Tuesday, 25 March 2008

Një pianiste japoneze, në “Fluturimin e shqiponjës”

Vepra e njohur e kompozitorit Thoma Simaku do të interpretohet në Nju Jork

Nga Londra
Muhamed Veliu

“Fluturimi i shqiponjës”, një prej kompozime më të njohura të kompozitorit Thoma Simaku do të luhet së shpejti në skenën amerikane. Ky kompozim do të interpretohet nga pianistja japoneze, Noriko Kawai, gjatë një koncerti me muzikë kontemporane të kompozitorëve ballkanas.
Lajmi bëhet i ditur nga faqja e internetit e Universitetit të Minesotës. Nga informacioni online, mësohet se pianistja Noriko Kawai është shumë e njohur dhe ka një aktivitet të gjerë në shkallë ndërkombëtare. Përpos festivaleve të rëndësishme në Evropë, ajo ka interpretuar edhe në koncertin “Proms” në Londër më 2006-ën. Gjatë një bisede telefonike me “Shqip” nga qyteti Nju Jorkut ku kompozitori Simaku jeton prej vitesh ai shprehet se ndihet mirë që kjo vepër do të luhet nga një pianiste si Kawai. “Pikënisja për kompozimin e kësaj vepre është një proverb e vjetër shqiptare që thotë: ‘Shqiponja fluturon në qiell, por folenë e ndërton në tokë’.
Siç sugjeron dhe vetë titulli i veprës, “The Flight of the Eagle” është një vepër virtuoze”, thotë Simaku për këtë vepër. Sipas tij, për herë të parë ky kompozim u interpretua nga pianisti anglez, Ian Pace, në sallën “Sir Jack Lyons” në qytetin anglez, York më 2002.
Pianistja Noriko Kawai do ta ekzekutojë atë edhe në “Festivalin Ndërkombëtar ‘Nuovi Spazi Musicali’. Në Romë më 9 tetor 2008. Kompozitori shqiptar që punon si lektor në Universitetin e Yorkut tregon se gjatë këtij viti veprat e tij do të luhen në disa koncerte.
Vetëm gjatë muajit maj do të interpretohen 5 vepra në Angli, Itali dhe Holandë. Ndërkohë, me rastin e 50-vjetorit të lindjes për nder të Simakut do të bëhet promovimi i CDsë me kompozimet më të mira si për të cilin është zgjedhur “Spring Festival” që organizohet çdo vit nga Bashkia e qytetit York.
Kompozitori shqiptar nga Kosova me banim në Londër, Akil Koci, u shpreh se ka një kohë të gjatë që ndjek krijimtarinë e kolegut Thoma Simakut, duke shtuar se interpretimi veprës “Fluturimi Shqiponjës” është në vazhdën e sukseseve të Simakut në skenat botërore. “Mund të them se ai është i vetmi kompozitor shqiptar që ekzekutohet për momentin në Evropë dhe më gjerë. Kjo do të thotë se ai kompozon vepra me kualitet. Në këto vepra hasim forma të reja të muzikës avangarde evropiane. Megjithatë, ai përdor perlat e muzikës shqiptare si bazë të këtyre krijimeve”, thotë Koçi.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats