Friday, 28 March 2008

Parlamentarë, politikanë e diplomatë britanik festojnë për Kosovën në Koha Bar Londër

Nga Londra
Muhamed Veliu

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka mbledhur për të festuar, në Cafe Koha Bar në qendër të Londrës, parlamentarë britanik, lordë përfshi përfaqësues të ambasadave të atyre vendeve që deri më tani e kanë njohur Kosovën shtet.Mes tyre edhe ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe Zef Mazi dhe shumë shqiptarë të ftuar.Ideja këtij organizmi për t’i uruar pavarësinë e Kosovës shqiptarëve në Londër, e për t’i shprehur mirënjohje atyre që punuan për çështjen kosovare, mban firmën e deputetit laburist John Grogan dhe pronarit të bar Kosha Fadil Maqedonci.“Qëllimi këtij aktiviteti është për t’i thënë faleminderit Qeverisë dhe popullit britanik për mbështetjen sublime dhe të pakursyer dhënë për Kosovën.” ka thënë në emër të organizatorëve Ralf Gjoni drejtori klubit Londinez të Lëvizjes Mjaft.Fadil Maqedonci i emocionuar në fjalën e tij i ka bërë një retrospektivë atyre ditëve kur Serbia po masakronte shqiptarët e Kosovës dhe ku diplomacia angleze, kishte nisur veprimtarinë e saj për ti thënë ndal spastrimeve etnike.Ai ka rrëfyer momentin kur në vitin 1999 ish-ministri i jashtëm britanik, i ndjeri Robin Cook, kishte mbërritur me përfaqësues të ministrisë që ai drejtonte tek Koha Bar i shoqëruar nga shumë gazetarë.“Ishte një moment që kurrë nuk mund ta harroj. Zoti Cook u ul përjashta lokalit duke më pyetur, nga cila zonë e Kosovës isha me origjinë, nëse isha lidhur me të familjes e si ishin ata. Ndërkohë fotografët e medias britanike bënin foto. Gjatë bisedës ai na tregoi për përkrahjen që qeveria britanike ishte e gatshme të ipte për popullin e Kosovës, njëkohësisht për shqiptarët që jetonin në Angli. Më kujtohet momenti ku ai më tha. “Mos u trishto. Ne do të jemi së bashku me shqiptarët”. Ishte një moment që nuk mund ti mbaja lotët. Është për të ardhur keq që Robin Cook nuk pati mundësi ta shikojë Kosovën e pavarur por të gjithë ne i jemi mirënjohës për atë që ai bëri për vendin tonë”.Duke përfunduar Fadil Maqedonci u shpreh se tani Kosova është e lirë, kosovarët janë të lirë, por ende kemi nevojë për mbështetjen britanike në sfidat që kemi përpara si shtet. Ai propozoi një dolli për Kosovën shtet.Deputeti laburist John Grogan i grupit të miqësisë gjithë-partiake për Kosovën e ka filluar fjalën e tij përshëndetëse duke thënë se ai ndjehej mirë që në këtë mbrëmje të prezantohej nga zoti Ralf Gjoni i cili ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte komentatori kryesor në Sky News.“Ndjehem i lumtur që jam njëri prej organizatorëve të kësaj mbrëmje. Nuk do ta quaja një mbrëmje si thjesht simbolike. E quaj vetëm me fat që jam mes jush shqiptarëve ku shumica keni dhënë edhe vazhdoni të ipni kontributin tuaj nëpër institucione të ndryshme në Londër. Disa prej jush kanë vendosur të kthehen apo të vazhdojnë të jetojnë në Britani. Pavarësisht se çfarë keni vendosur të bëni ju jeni asete të vyera për shtetin e Kosovës.”Grogan me fjalë të zgjedhura ka kujtuar kolegun e tij Robin Cook për të cilin tha se mbështetja që ai dhe Qeveria britanikë dhanë për Kosovën padyshim ishin arritje.“Nganjëherë në politikë është e vështirë të dallosh me qartësi zhvillimet që ndodhin në një vend mijëra kilometra larg vendit tënd. Megjithatë Robin Cook bëri zgjedhjen e duhur. Padyshim që Kosova sot e pavarur është një nga arritjet politike të tijat për të cilat nëse do të ishte gjallë mes nesh do të ishte shumë i lumtur” tha zoti Grogan i cili më tej ka përshëndetur qëndrimin politik tepër korrekt të Tiranës zyrtare në lidhje me Kosovën, gjatë këtyre muajve të fundit përpara dhe pas shpalljes së pavarësisë.Deputeti Grogan tashmë një mik i afirmuar i shqiptarëve në Angli e ka mbyllur fjalën e tij përshëndetëse duke theksuar se në këtë mbrëmje mes tyre janë edhe përfaqësues të shumë ambasadave akredituar në Londër, vendet e të cilave natyrisht e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. “Se ndryshe nuk mund të hysh dot në Koha Bar” ka përfunduar duke qeshur deputeti Grogan.I ftuari special ka qenë zoti Andrew Sparkes ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë. Ai ka vënë në test shqipen të cilën ka disa muaj që ka filluar ta mësojë.”Jam i lumtur që jam me ju sonte. Jam i sigurt se shteti i ri i Kosovës ka një të ardhme të shndritshme. E quaj veten me fat dhe të nderuar që do të jem ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë, në këtë kohë të jashtëzakonshme e mbushur me zhvillime atje jo vetëm për këtë vend të ri por për të gjithë rajonin. Misioni im diplomatik atje nis pas tre javësh. Besoj se tani ka ardhur momenti që Kosova t’i japë fund vuajtjeve dhe konflikteve në këtë rajon që kanë zgjatur për kaq shumë. Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për kolegët e mi dhe shumë të tjerë që kanë punuar për këtë përfundim. E ardhmja e Kosovës padyshim që është të qënurit anëtare e BE-së duke u bërë një zë i fuqishëm pse jo një shembull të ri për të gjithë rajonin. Jam i lumtur që po shkoj atje të punoj me kolegët e mi në ndihmë jo vetëm të Kosovës por të gjithë Europës” tha ambasadori Andrew Sparkes.Bar Koha në Leicester Square mban brenda saj shumë kujtime historike gjatë periudhës së luftës në Kosovë ku janë mbajtur shumë takime për çështjen kombëtare, përfshi takime me ish sekretarin e jashtëm britanik të ndjerin Robin Cook. Përveç se një bar, Bar Koha ka shërbyer dhe vazhdon të jetë një pikë takimi për shumë politikanë, gazetarë apo njerëz të artit apo të shoqërisë civile që vinë nga Prishtina, Tirana apo vise të tjera shqiptare që vizitojnë Londrën.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats