Monday, 24 March 2008

Policia angleze shpëton shqiptaren e trafikuar

Kërkohet riatdhesimi në Shqipëri. Sekretarja britanike e Shtetit nuk garanton mosdëbimin

Policia angleze shpëton shqiptaren e trafikuar

NGA LONDRA
MUHAMED VELIU

Policia angleze ka shpëtuar një vajzë shqiptare, e cila shfrytëzohej si prostitutë në shtëpitë publike të Londrës.
Emri i saj nuk bëhet publik për arsye hetimi. Pasi ajo është shpëtuar gjatë një operacioni antiprostitucion disa ditë më parë, tani i duhet të përballet me një sfidë tjetër në jetën e saj. Autoritetet britanike të emigracionit po tentojnë dëbimin e saj për në Shqipëri paçka se avokatët e viktimës janë shprehur se një veprim i tillë është në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në këtë çështje është përfshirë edhe vetë sekretarja britanike e Shtetit pranë Home Office, zonja Zhakuin Smith. Ajo ka deklaruar se nuk mund të japë asnjë garanci që shqiptarja e shpëtuar nga policia nuk do të dëbohet nga Anglia.
Vajza shqiptare e moshës 20 vjeçe, pasi është mbajtur për disa ditë në një qendër detencioni tani ndodhet nën kujdesin e “Poppy Project”, një organizatë bamirësie e cila merret me rehabilitimin e viktimave të trafikut të prostitucionit. Burime policore pranë Scotland Yard që po hetojnë këtë rast treguan për “Shqip” se viktima ishte trafikuar nga Shqipëria që në moshën 12-vjeçare. Fillimisht, përmes dokumenteve të falsifikuara është çuar në Hamburg të Gjermanisë ku u detyrua të shesë trupin e saj. Pas katër vjet shfrytëzimi në Gjermani, ajo do të trafikohej për herë të dytë. Kësaj here në Britaninë e Madhe ku iu shit një grupi shqiptarësh për 2 mijë euro, të cilët menjëherë e çuan në një shtëpi publike në veri të Londrës.

Torturat

Sipas po të njëjtit burim, shqiptarja ka deklaruar se është keqtrajtuar në mënyrë mizore nga shfrytëzuesit e saj. Donte të largohej nga ata, por ishte e frikësuar të ndërmerrte një hap të tillë. Gjatë dëshmisë së saj në polici ajo ka deklaruar se nëse nuk arrinte t’i çonte atyre shuma të mëdha parash siç i kërkonin në darkë e fusnin në një vaskë me ujë të ftohtë dhe e rrihnin.
“Nëse nuk u çoja para atyre nuk më jepnin ushqim. Kam menduar disa herë të vras veten apo t’u largohem atyre. Nëse ata të kapin kjo është gjëja më e keqe”, ka deklaruar ajo. Pasi është shpëtuar nga policia londineze një mjek ligjor në trupin e saj ka gjetur plagë në trup të shkaktuara nga çarja me thikë dhe djegia me hekur rrobash për të cilat ajo ka thënë në polici se: “I kam këto të çara pasi me kanë goditur me thikë dhe më kanë djegur me hekur në këmbë. Jam rrahur në mënyrë sistematike”.
Ajo tani është e frikësuar, pasi mund të dëbohet nga Anglia dhe nëse çohet për në Shqipëri njerëzit e personave që e shfrytëzonin mund ta vrasin, pasi ata mendojnë se ka rrëfyer në polici emrat e bashkëkombëse të saj që e shfrytëzonin. Nuk dihen hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë policia londineze në identifikimin dhe më pas arrestimin e atyre që e shfrytëzonin shqiptaren. Po ashtu mbetet enigmë fakti nëse ajo ka bashkëpunuar me policinë dhe do të dëshmojë në të ardhmen në gjykatë kundra shfrytëzuesve të saj nëse arrestohen.


Lufta

Sipas statistikave çdo vit në Britaninë e Madhe trafikohen 4 mijë vajza dhe gra për qëllime shfrytëzimi si prostituta. Përballë kësaj situate Ministria e Brendshme,(Home Office) ka ngritur një operacion kundra trafikut dhe shpëtimit të vajzave të trafikuara për prostitucion. Operacioni i koduar quhet “Pentameter 2” ku janë përfshirë 55 forcat policore në Angli dhe Irlandë së bashku me një skuadër të dedikuar kundra prostitucionit me bazë në Shefild ku operon qendra “Human Trafficking Centre”. Dy vjet më patë operacioni “Pentameter 1” shpëtoi nga skllavëria moderne e prostitucionit 84 gra dhe vajza nga shtëpitë publike në të gjithë vendin duke kryer 232 arrestime të trafikantëve apo shfrytëzuesve mes tyre edhe shumë shqiptarë.
Sekretarja e Shtetit, zonja Zhakuin
Smith, disa kohë më parë në një konferencë shtypi për çështjet e trafikut të grave për prostitucion do të deklaronte:
“Parlamenti ynë 200 vjet më parë nxori ligjin që e ndalonte skllavërinë. Është tronditëse që skllavëria moderne e këtyre vajzave dhe grave vazhdon ende”. Ajo shprehu shqetësim se numri gjithnjë në rritje i grave të trafikuara në Britani është si rrjedhim i kërkesës së meshkujve britanikë që paguajnë për të blerë seks.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats