Sunday, 9 March 2008

Shqiptaro-britaniku humb betejën e ekstradimit

Armand Bogdani tentoi përmes Greqisë trafikimin në Angli të 1720 kg kanabis

Nga gjykata "City of Westminster Magistrate Court"
Muhamed Veliu

Një shqiptar, i cilësuar nga gjykata britanike si "lojtari kryesor", në konspiracionin e trafikimit nga Shqipëri në Greqi, me destinacion final Anglinë, të rreth 1.7 tonë kanabis, ka humbur betejën për të bllokuar ekstradimin.
Gjykatësi Nicholas Evans e ka cilësuar si të drejtë kërkesën e qeverisë shqiptare për të ekstraduar nga Anglia shqiptaro-britanikun Armand Bogdani, i dënuar nga Gjykata e Gjirokastrës me 13 vite burg për trafik lëndësh narkotike.
Sipas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë, mësohet se 27 vjeçari Bogdani me origjinë nga Librazhdi, martuar me një shtetase angleze, në korrik 2002 tentoi të kalonte drejt Greqisë 1720 kile kanabis. Doganierët shqiptarë në pikën kufitare të Kakavijës sekuestruan sasinë e drogës. Nga hetimet dhe arresti i disa pjesëtarëve të grupit, u vërtetua se Armand Bogdani, përmes dokumentacionit të falsifikuar, kishte blerë mjetin transportues, duke e bërë atë njeriun kyç në këtë konspiracion trafikimi të lëndëve narkotike. Policia shqiptare beson se destinacioni final i drogës ishte tregu anglez, ku nëse kjo sasi droge do të arrinte, vlera e shitjes në treg ishte 7,8 milionë paund.
Për këtë krim, Gjykata e Gjirokastrës gjeti fajtor në mungesë Bogdanin, duke e dënuar me 13 vite burg. Ai është larguar nga Shqipëria disa ditë pas dështimit të trafikimit të ngarkesës e fshehur në një dysheme të dyfishtë në kamion.
Nga procesi i ekstradimit u mësua se ai kishte për përdorim dy pasaporta, një shqiptare dhe një tjetër britanike, pasi ishte martuar me një shtetase të këtij vendi dhe jetonte me të në qytetin e Nottinghamit, në veri të Anglisë. Arrestimi tij, më 5 Korrik 2007 erdhi si pasojë e një bashkëpunimi mes Zyrës së Interpol-Tiranës dhe skuadrës së ekstradimeve në Scotland Yard, e cila njihet si "Extradition Unit", ku nga Tirana kanë mbërritur 100 fletë arresti për t‘u ekzekutuar.

Vendimi

Gjatë leximit të vendimit gjykatësi ka shprehur pakënaqësi rreth përkthimit të dokumentacionit nisur nga Tirana. “Versioni në anglisht i dokumentave të dërguara lë për të dëshiruar” tha ai.
Po ashtu gjykatësi nuk i ka kursyer kritikat rreth një raporti prej dhjetë faqesh hartuar nga një konsulent i organizatës shqiptare për të drejtat e njeriut.
Në pikën dhjetë të vendimit gjykatësi Evans thotë se ai nuk e ka marrë si argument strikt garancinë e dërguar nga ministri Enkeleid Alibeja datw 28 Janar 2008 se i kërkuari Bogdani në bazë të ligjeve shqiptare ka të drejtën e rigjykimit.
“Ekzekutivi nuk mund të ndërhy apo influencojë në pavarësinë e e gjyqësorit, por duke menduar se ministri supozohet të ketë dijeni për ligje të caktuara dhe është në pozitë të japë këshillime për termat dhe efektet e tij, e pranoj këtë garanci” shprehet gjykatësi britanik në vijim të vendimit.
Më tej ai nuk vërën ndonjë problem në ligjin shqiptar të rigjykimit apo mos përputhje me Konventën e të Drejtave të Njeriut,siç parashtroi pretendimet e saja pala mbrojtëse e Armand Bogdanit.
Në të tilla kushte në fund të vendimit gjykatësi Nicholas Evans shprehet se e lejon ekstradimin e Bogdanit duke ja kaluar çështjen sekretares së shtetit për të firmosur certifikatën e ekstradimit,gjatë gjashtë javëve në vazhdim kohë e parashikuar nga ligji anglez.
Ai ka urdhëruar çuarjen në burg të shqiptaro-britanikut, pasi vjehrri nga Uellsi që kishte dalë garant për lirinë e tij me kusht kundrejt shumës 55 mijë paund, nuk ishte prezent me paratë në gjykatë. Armand Bogdani e ka përjetuar shumë keq vendimin i zbehur në fytyrë, duke ecur drejt qelive nën shoqërinë e një gardiani.

Kritika

Avokatët mbrojtës të Armand Bogdanit përmes një raporti për gjëndjen e të drejtave të burgosurve dhe sistemin e drejtësisë kanë dashur ti “pikturojnë” gjykatësit një tabllo të errët të drejtësisë shqiptare.
Për ta arritur një gjë të tillë ata kishin angazhuar zotin Genci Terpo i cili e ka nëshkruar raportin prej 10 faqesh si një ekspert për çështjet legale dhe koordinator i “Organizatës për të Drejtat e Njeriut”.
Gjykatësi Nicholas Evans në faqen tre të vendimit, pika tetë, paragrafi shtatë e quan raportin si të parfisllëshëm duke futur në thonjza fjalën ekspert sa herë që e përmend duke komentuar.
“Nuk jam aspak i kënaqur nga ky raport/dëshmi e dërguar nga “eksperti”i “Organizatës shqiptare për të Drejtat e Njeriut”. Ai është tërësisht gojë kyçur rreth artikullit 6 të Konventës së Drejtave të Njeriut si dhe faktit që Shqipëria e ka ratifikuar atë duke e inkorporuar atë marrveshje ndërkombëtare me ligjin shqiptarë”.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats