Saturday, 1 March 2008

SOCA -FBI-ja britanike zbarkon në Tiranë

FBI-ja britanike do të drejtojë gjatë tre viteve të ardhshme misionin evropian të policisë për Shqipërinë

SOCA -FBI-ja britanike zbarkon në Tiranë

Kreu i SOCA: Grupet e organizuara, rrezik për Britaninë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Britania e Madhe merr në dorë dhënien e asistencës në luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit ilegal, nëpërmjet drejtimit në tre vitet në vazhdim të Misionit Evropian për Policinë Shqiptare, PAMECA. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Brendshme Britanike, Home Office. Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe nën drejtimin e oficerëve britanikë të luftës kundër krimit të organizuar, ky mision do të organizojë një strategji për të shkatërruar grupet kriminale shqiptare, tashmë me lidhje të forta në të gjithë Evropën. Ekspertë të SOCA (Special Organised Crime Agency) do të jetë "truri" drejtues i PAMECA-s deri në vitin 2011.

Kërcënimi

Grupet kriminale shqiptare konsiderohen nga ekspertët vendas të krimit si një kërcënim serioz për Britaninë e Madhe, kryesisht në trafikun e njerëzve dhe prostitucionit. Ky hap që ndërmerr Britania e Madhe, duke marrë në dorë drejtimin e PAMECA-s, është biseduar gjatë vizitës në Londër, disa jave më parë, të ministrit të Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha. Në mënyrë indirekte, kjo nismë u promovua nga sekretari britanik i Shtetit, David Miliband, i cili menjëherë pas përfundimit të takimit kokë më kokë me ministrin Basha deklaroi edhe bashkëpunimin me Shqipërinë në luftën kundër krimit. "Biseduam edhe për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Britanisë, ku përfshihet lufta kundër krimit të organizuar dhe nevojës së domosdoshme të reformave për Shqipërinë, në mënyrë që ajo t‘i afrohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ne do të mbështesim Shqipërinë në këtë luftë", tha Miliband.
Në sekret të plotë, mësohet se prej disa muajsh, pala britanike i ka kërkuar Bashkimit Evropian, financues i misionit policor PAMECA, për të marrë në dorë frenat e drejtimit të kësaj asistence. "Që tani e tutje, PAMECA do të jetë në duart e ekspertëve britanikë, që do të vijnë nga Policia Metropolitane Londineze, SOCA (Agjencia Speciale e Krimit të Organizuar), e njohur si FBI-ja angleze, Ministria e Jashtme, si dhe partnerë të qeverisë ‘Brown‘ për çështjet e krimit", ka saktësuar Home Office. Gjatë tre viteve, ky mision do të ketë një fond prej 5,5 milionë euro dhe do të financohet nga vendet e BE-së.
Një zyrtar i Home Office i tha gazetës "Shqip" se, gjatë këtyre tre viteve nën udhëheqjen britanike, PAMECA duhet të arrijë një sërë objektivash. "Shpresojmë se gjatë këtyre viteve, Shqipëria do të avancojë dhe kërcënimi i Britanisë nga krimi organizuar shqiptar do të minimizohet", u shpreh ai. Në planet e britanikëve parashikohet një reformë totale në sistemin e pikave kufitare, duke përmirësuar shërbimet e tyre, njëkohësisht dhe parandalimin e trafikut të njerëzve e lëndëve narkotike.

Rëndësia

Ky zhvillim është konsideruar shumë i rëndësishëm për Britaninë e Madhe, pasi kërcënimi i grupeve kriminale shqiptare për këtë vend sa vjen e po rritet. Ministri i Çështjeve Kundër Terrorizmit dhe i Policisë Britanike, Tony McNultry, përmes një deklarate dha disa detaje për këtë vendim.
"Fitimi i së drejtës për të udhëhequr këtë mision evropian policor në Shqipëri demonstron edhe njëherë faktin se, qeveria britanike është e vendosur të luftojë krimin e organizuar, atje ku e ka burimin, duke suportuar vendet nga ku ky krim fillon e zhvillohet. Drejtimi nga ne i këtij misioni në Shqipëri do të na japë mundësinë të ndihmojmë Shqipërinë në adresimin e problemeve dhe zgjidhjen e tyre, në të mirë edhe të Britanisë së Madhe dhe BE-së", shpjegoi ai.
Nuk ka munguar në deklarime edhe drejtori i përgjithshëm i SOCA-s, Bill Hughes. "SOCA është e lumtur të vazhdojë rrugën e suksesshme të PAMECA-s, e cila është një vazhdimësi e punës së nisur me Shqipërinë. Kjo tregon edhe njëherë vendosmërinë që Britania, në bashkëpunim me partnerët evropianë, ka në luftën kundër krimit të organizuar", tha Hughes. Që në krijimin e saj, dy vjet më parë, të parën zyrë ndërkombëtare që SOCA do të hapte ishte pikërisht ajo në Tiranë.

Dokumenti sekret Arsyeja e vërtetë e komandës britanike

"Shqip" ka zbuluar arsyen e vërtetë të kësaj iniciative kaq këmbëngulëse të britanikëve për të drejtuar misionin policor PAMECA. Që prej fundit të vitit të shkuar, në të gjitha ministritë britanike është vënë në qarkullim një dokument me mbishkrimin "Top-Secret and Highly Confidential" (sekret me konfidencë të lartë) për riskun potencial që mund t‘i shkaktohet Britanisë së Madhe nga krimi organizuar me origjinë shqiptare. Përmes një liste janë renditur vendet më problematike. Në vendin e parë qëndronte Shqipëria, e pasuar nga Serbia, Rumania dhe Bullgaria, pavarësisht se këto dy vende janë anëtare të Bashkimit Evropian. Burime qeveritare, që kanë studiuar këtë dokument, të hartuar nga Shërbimi Sekret i Jashtëm i Britanisë, MI6, dhe agjentë të SOCA-s në Shqipëri, janë shprehur se, raporti është marrë shumë seriozisht dhe ka ngjallur shqetësim. Me detaje në të parashikohet rritja e shpejtë e grupeve kriminale shqiptare në Shqipëri, duke bashkërenduar aktivitetin kriminal me grupet kriminale shqiptare aktive në Britaninë e Madhe. "Ky është edhe shkaku përse Britania, përmes bisedimeve sekrete me BE-në, ka kërkuar drejtimin e PAMECA-s", ka theksuar burimi qeveritar.

PAMECA II, misioni i përfunduar në Shqipëri

Tre vjet më parë, misioni PAMECA zbriti në Shqipëri për të ndihmuar policinë shqiptare, duke trajnuar me qindra punonjës policie, që nga efektivët e thjeshtë e deri te drejtuesit. Por, tashmë misioni konsiderohet i përfunduar. Për dy mandate radhazi ajo mori emërtimet PAMECA I dhe PAMECA II. Pak javë më parë, autoritetet shqiptare organizuan një ceremoni lamtumire për nder të këtij misioni. Megjithatë, sipas disa zërave që qarkulluan në mjediset e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, PAMECA pritet të zëvendësohet nga një tjetër mision policor, që siç duket kësaj radhe do të jetë nën drejtimin e ekspertëve të Britanisë së Madhe dhe pritet gjithashtu të ketë tjetër formë organizimi, ndoshta edhe drejtimi.




You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats