Thursday, 10 April 2008

Dy vjet burg kush hyn me pasaportë false ne Angli

Dy vjet burg kush hyn me pasaportë false ne Angli

Nga Londra

Muhamed Veliu


Tentimi për të hyrë me pasaportë false në Angli tashmë konsiderohet krim i dënueshëm deri me dy vjet burg nga drejtësia vendase. Ndryshimet në ligjin e emigracionit i kanë kushtuar disa muaj burg një shqiptari, i cili kërkonte të hyjë në shtetin ishull me pasaportë çeke. Ai është zbuluar nga oficerët e emigracionit në aeroportin "Stansted" në Londër, pasi kishte udhëtuar nga Holanda e nga ku kishte mundur të kalonte pa problem.Hilmi Mëzezi, 32 vjeç, ish-azilant i dëbuar nga Anglia, do të kapej mbrëmjen e 21 janarit 2007, pasi mbërriti me linjën ajrore "Easy Jet". Në pikën e kontrollit, ai do të paraqiste një pasaportë çeke, e cila është diktuar nga ana oficerit të emigracionit. Shqiptari ka menduar se vetëm do të kthehej prapa nga kishte ardhur, por në fakt ai është prangosur, duke u akuzuar për përdorim të një instrumenti të falsifikuar, me qëllim hyrjen në Britaninë e Madhe. Mëzezi ka dalë përpara gjykatës "Chelmsford Magistrate Court", ku ka pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria. Ai u dënua me 15 muaj burg. Gjykatësi urdhëroi dëbimin e tij në Shqipëri në fund të dënimit. E kontaktuar nga "Shqip" për këtë çështje, Ministria e Brendshme Home Office, përmes një zëdhënësi deklaroi: "Siguria e kufijve të Britanisë së Madhe tani është ndër më rreptat në botë. Këtë vit do të kemi ndryshime të mëtejshme, duke krijuar tre breza kufiri, përfshirë marrjen e shenjave të gishtave të pasagjerëve, një njësi të vetme kufitare dhe karta identiteti për qytetarët e huaj në vend. ‘UK Border Agency‘ (Agjencia Britanike e Kufirit) do të ndëshkojë ashpër ata që abuzojnë me sistemin tonë të emigracionit. Personat, të cilët paraqesin pasaportë të falsifikuar në kufi do të përballen me ligjin dhe ndëshkimi është deri në dy vjet burg".Në të shkuarën, hyrja apo dalja nga Britania e Madhe me pasaporta false nuk përbënte krim të dënueshëm me burg. Me mijëra shqiptarë në të shkuarën kanë hyrë në këtë vend, pikërisht me pasaporta false, duke udhëtuar me linja ajrore ose me tren. "Klientët e mi që i kam trafikuar në Angli i çoja me pasaporta greke apo italiane të falsifikuara te ‘Rruga e Kavajës‘. Ka pasur raste kur njerëzit që trafikoja, flas për vitet 1997-2000, janë kapur në aeroportin ‘Heathrout‘ me të tilla pasaporta dhe nuk janë futur në burg. Ata janë lënë të lirë, pasi oficerët e emigracionit u kanë marrë shenjat e gishtave, duke u pajisur me dokumentin IND të azilantëve", deklaroi për "Shqip" një ish-trafikant i qenieve njerëzore, tani student gazetarie. Por, që nga mesi i vitit të shkuar, me ndryshimin e ligjit të emigracionit, dënimet për këtë vepër penale variojnë nga 12 deri në 24 muaj burg, sipas rrethanave të kryerjes së krimit, - konfirmoi Home Office.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

About Me

Veliupress


View My Stats