Sunday, 20 April 2008

Londër, tutorët shqiptarë i zë paniku: Na kanë spiunuar

Burgoset bosi i prostitucionit, Edmond Elezaj. Hije dyshimi se ka bashkëpunuar me drejtësinë britanike

Nga Londra
Muhamed Veliu

Dënimi i një shqiptari vetëm me dy vjet burg, për trafikimin e shfrytëzimin e një të miture në Londër si prostitutë, ka ngjalluar hije të forta dyshimi se ai është kthyer në një super-spiun për drejtësinë britanike. Edmon Elezaj, 35 vjeç, me origjinë nga Vlora, emigrant ilegal në Angli, njihej si një nga eksponentët kryesorë të prostitucionit në zonën Bayswater në Londër, ku kontrollonte disa vajza polake. Në dhjetor 2007, Elezaj u prangos, pasi një 17-vjeçare polake e trafikuar nga ai shkoi në polici duke treguar se shqiptari bashkë me një tjetër vajzë polake, e quajtur Dorota Piechocka, po e shfrytëzonin si prostitutë. Ajo ka rrëfyer se ata i kishin marrë pasaportën dhe i thoshin se lirinë do ta fitonte vetëm atëherë kur ajo të kishte bërë 50 mijë paund për ta. Elezaj bashkë me Piechockën, të cilën e shfrytëzonte si prostitutë të nivelit të lartë, do të arrestoheshin nga njësia anti-prostitucion. Mbi shqiptarin do të ngriheshin një sërë akuzash për trafikim të një personi minoren për qëllime prostitucioni, shfrytëzim për qëllime prostitucioni, burgosje të rreme dhe përdhunim. Polakja Dorota Piechocka akuzohej vetëm për konspiracion në trafikimin e të miturës në Angli. Të dy ata pranuan akuzat në seancën e parë gjyqësore në gjykatën e krimeve "South Wark Crown court" pas një marrëveshje mes palës mbrojtëse dhe akuzës. Marrëveshja konsistonte në faktin se nëse Elezaj pranonte vetëm akuzën për trafik personi në Angli, t‘i rrëzoheshin akuzat e tjera. Kjo kërkesë e avokatit mbrojtës të Elezajt është pranuar nga prokurori pa më të voglën rezistencë. Çudia e radhës do të ndodhte në dhënien e masës së dënimit. Për një vepër të tillë penale, që ka të bëjë me trafikimin e personit për qëllime prostitucioni, ligji parashikon një dënim prej 14 vitesh burg. Ndërkohë, Edmond Elezaj u dënua vetëm me dy vjet burg. Ndërsa 25-vjeçarja e bukur polake, Dorota Piechocka, u dënua me 15 muaj burg. Zhvillimet e këtij procesi gjyqësor në Londër janë ndjekur me shumë interes nga bashkëpunëtorët e Elezajt. Ai njihej në Londër si njëri prej kapove të prostitucionit me prostituta të nivelit të lartë, që njihen si vajza shoqërimi "Escort Girls". Burime nga komuniteti shqiptar në Londër thanë për "Shqip" se Edmon Elezaj njihej mes grupeve kriminale shqiptare në Angli me pseudonimin "Babolja". Po të njëjtat burime shtuan se dënimi me dy vite burg ka ngjalluar habi njëkohësisht dhe frikë, pasi Elezaj në këmbim të pak viteve burg mund të ketë bashkëpunuar me drejtësinë britanike, duke u shndërruar kështu në një super-spiun. "Mondi kontrollonte disa shtëpi publike në lagjen "Bayswater", ku punonin disa vajza për llogari të tij. Ai i njihte pothuajse të gjithë shqiptarët që kanë goca në këtë zonë. Dënimi me kaq pak vite burg na ka bërë të besojmë se diçka është kurdisur pas dyerve të mbyllura", shprehet një shqiptar që e njihte nga afër Edmond Elezajn. Mësohet se Elezaj për të justifikuar paratë e fituara nga prostitucioni kishte hapur një dyqan të quajtur "Arbëria" në veri të Londrës, ku shiste kaseta me filma e muzikë shqiptare. Po ashtu burime nga komuniteti shqiptar në Londër pohojnë se ai kishte një miqësi të ngushtë me një biznesmen shqiptar, në veri të Londrës, të cilit Elezaj i besonte pastrimin e mijëra paundëve përmes biznesit të tij.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

About Me

Veliupress


View My Stats