Saturday, 24 May 2008

"The Albanian" nderon Malcolm dhe Koçin

Gazeta e shqiptarëve të Britanisë ndan dy çmime për dy personazhe që kanë kontribuar për Shqipërinë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Shqiptarët e Britanisë së Madhe kanë nderuar me dy çmime të veçanta historianin Noel Malcolm për punën e tij të palodhur në çështjen kombëtare dhe kompozitorin Akil Koçi. Pas një sondazhi të përvitshëm nga gazeta e komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe "The Albanian", Malcolm dhe Koçi rezultuan si dy prej më të votuarve. Çmimet u ndanë në katër vjetorin e kësaj gazete, e cila është kthyer në zërin e shqiptarëve që jetojnë në ishullin britanik. "Është kthyer në traditë që gazeta e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar ‘The Albanian‘ dhuron çmime për në përvjetorët e saj. Këto çmime, që janë shprehje e mirënjohjes për miqtë e mëdhenj britanikë, për kontributin që kanë dhënë për shqiptarët dhe çështjen shqiptare, synojnë ndërtimin dhe fuqizimin e urave shqiptaro-britanike. Ndërsa çmimet për shqiptarët që jetojnë në Britani synojnë evidentimin e vlerave dhe kontributeve shqiptare në këtë ishull", thotë Petrit Kuçana themeluesi dhe drejtor i "The Albanian". Noel Malcolm për arsye pune nuk ka mundur të asistojë në marrjen e këtij çmimi me motivacionin "Miku i madh i së vërtetës dhe i shqiptarëve". Këtë çmim e ka tërhequr miku i tij, Bejtullah Destani, i cili e komentoi çmimin si tejet të spikatur. "Është domosdoshmëri, jo vetëm nga ne shqiptarët në Britani, por edhe nga instancat më të larta politike në Kosovë dhe Shqipëri që të tilla figura si Noel Malcolm të marrin nderimet e duhura për punën e pakursyer në çështjen shqiptare". Këtë çmim e ka dorëzuar ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, zoti Zef Mazi, i cili ka vlerësuar punën e "The Albanian" dhe rëndësisë e informimit në komunitetin shqiptar. Ai ka theksuar se është kënaqësi kur në faqet e kësaj gazete lexon për shqiptarë të suksesshëm që me të vërtetë janë diplomatët më të mirë të Shqipërisë në botë. Kompozitori Akil Koçi i emocionuar ka marrë çmimin me motivacionin "Ambasador i kulturës shqiptare në botë". Zoti Koçi, i cili për punën e tij është shpallur Qytetar Nderi i Kroacisë, u shpreh se ai në të shkuarën ka marrë shumë çmime. "Ky është më i veçanti, pasi nuk vjen nga ndonjë organizëm shtetëror apo institucion kulturor siç ka ndodhur në të shkuarën. Por vjen nga bashkëkombësit e mi shqiptarë në Britani, që kanë votuar në këtë sondazh të realizuar nga "The Albanian". tha ai. Çmime të ngjashme vitin e shkuar kanë marrë zonja Patricia Nugge, për koleksionin e librave të shkruar për Skënderbeun dhe Pip Willson, i cili ka ndihmuar emigrantët shqiptarë në lindje të Londrës.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats