Friday, 30 May 2008

Anglia dëbon Gëzim Hidrin, shqiptarin që po skalit në gurë portretin e miliarderit rus

Atentat" në kufijtë e artit (ose varianti anglez i Kledi Kadiut)

Anglia dëbon Gëzim Hidrin, shqiptarin që po skalit në gurë portretin e miliarderit rus

Ng Londra
Muhamed Veliu


Autoritetet britanike të emigracionit kanë ndërprerë në mes krijimtarinë një skulptori shqiptar, duke e dëbuar atë në Shqipëri, pasi i kishte mbaruar leja e qëndrimit. Fjala është për artistin Gëzim Hidri, i cili kishte nisur së ndërtuari një mozaik në formë portreti të miliarderit rus Roman Abramoviç. Të enjten në mesditë, ai është kapur teksa punonte me veprën e tij.


Dje në mesditë ai është kthyer për në Tiranë. Të afërm të Hidrit pohuan për gazetën "Shqip" se njerëzit e Abramoviçit, njeriut i cili renditet si personi i 11 më i pasur në botë, kanë treguar interes në blerjen e mozaikut. Sipas tyre, nëse Gëzim Hidri do të arrinte ta përfundonte atë, vlera e shitjes mund të ishte deri në 5 milionë paund. Kohët e fundit media britanike po thekson se miliarderit rus po i humb dëshira për të investuar në ekipin e Çelsit.


Pas divorcit me bashkëshorten Irina, rusi 41-vjeçar, është duke bashkëjetuar me 27-vjeçaren Daria Zhukova, e cila njihet si një koleksionuese veprash arti. Miq të skulptorit shqiptar pohojnë gjithashtu se mes tij dhe sekretarëve të Abramoviçit janë shkëmbyer disa fakse, ku nga njerëzit e oligarkut rus ky mozaik gjigand është mirëpritur. Siç shikohet nga fotot ekskluzive që ka mundur të sigurojë gazeta "Shqip", fytyra e miliarderit rus Roman Abramoviç ka nisur të marrë formë pasi Hidri me mjeshtëri ka mundur të zgjedhë gurët e duhur, duke i prerë ata e duke formuar këtë mozaik. Artisti shqiptar, ish- student i Edi Ramës në Institutin e Lartë të Arteve në degën Pikturë Monumentale, deri disa muaj më parë kishte mundur të vendoste mbi 13 mijë gurë në këtë mozaik.


Vepra ende e papërfunduar kishte tërhequr kureshtjen e artistëve nga e gjithë bota që kishin vizituar studion ku po ndërtonte mozaikun në lagjen "Edmonton Green" në veri të kryeqytetit britanik. Në qarqet e artit britanik e në veçanti ato të skulpturës, shqiptari 39-vjeçar me origjinë nga Librazhdi njihet si "Slave Stone" (skllavi i gurit). Disa vite më parë artisti shqiptar ka kryer të gjitha punimet e mermerit në klubin e "Polos" të princit Charls, gjë për të cilën ka shkruar edhe revista e përmuajshme e skulptorëve anglezë. Që prej disa vitesh, ai së bashku me disa miq, kishte hapur një pikë mermeri, ndërsa në një cep të saj kishte ngritur një studio plot dritë ku punonte dhe ekspozonte krijimtarinë.


Mësohet se disa muaj më parë, Gëzim Hidri për herë të parë e ka nxjerrë mozaikun nga studioja, duke e transportuar me një furgon drejt fushës së stërvitjes së ekipit Çelsi, ku edhe e ka ekspozuar publikisht për herë të parë projektin ambicioz të quajtur "Kodi planetit". Në një bisedë me disa kureshtarë që iu afruan mozaikut, Hidri deklaroi: "Më sillni të gjitha pikturat e Mikelanxhelos, t‘iu a kthej në mozaik". Interesi i këtij mozaiku i ka kapërcyer kufijtë e Britanisë së Madhe. Muzeu i Arteve në Australi i ka dërguar disa ftesa për të ekspozuar punimet e tij atje. Ndërkohë disa biznesmenë egjiptianë i kanë ofruar shqiptarit të nënshkruajë kontrata të majme për të realizuar mozaikë në shtëpitë e tyre. Me punën e palodhur në gdhendjen e gurit e në veçanti, krijimin e mozaikëve, Hidri do të linte me gojë hapur punëdhënësit grekë kur shkoi në vendin helen si emigrant.


Brenda tij jetonte arti, të cilin gjatë viteve kur mbaroi shkollimin në Tiranë nuk mundi ta shprehte. Talenti i Hidrit do të shpalosej në disa ekspozita në Kostur të Greqisë. Atje ai nisi edhe t‘u japë leksione në skulpturë studentëve grekë apo atyre anglezë që vitin nga universitete të këtij vendi. Në Greqi, ksenofobët grekë do ta vinin në shënjestër, duke linçuar punën e shqiptarit. Ata brenda një nate arritën t‘i vjedhin 21 punime skulpture vetëm e vetëm se ato ishin prodhuar nga dora një shqiptari. Kjo ndodhi nuk e dekurajoi artistin librazhdas. Së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat Anxhela dhe Armenisa, do të nisnin një emigrim të ri tashmë drejt "eldorados shqiptare". Hidri erdhi në Angli me një qëllim të vetëm: Të ishte i lirë dhe të bënte art i pa trazuar nga ksenofobët, siç i kishte ndodhur në Greqi. Por edhe në këtë vend ai nuk mundi të ishte i lirë në lëvizje. Shumë shpejt do t‘i refuzohej e drejta e qëndrimit. Një mëngjes të vitit 2006, oficerët e emigracionit do ta prangosnin në sytë e vajzave, duke i dëbuar familjarisht. Por ai nuk heq dorë nga aventura angleze për të përmbushur një dëshirë të vetme: T‘u tregonte atyre që e dëbuan se nuk mund t‘ia varrosnin talentin.


Përgjigja më e mirë sipas tij ishte ndërtimi këtij mozaiku me njërin prej njerëzve jo vetëm më të pasur të botës, por edhe të një njeriu që pasioni i tij më i ri është koleksionimi veprave të artit. Nuk dihet ende si ai do të mund t‘ia arrijë qëllimit final, përfundimit të mozaikut më 8 tetor 2008, datë të cilën do t‘i bënte një telefonatë sekretares së Abramoviçit duke i thënë: "Mozaiku është gati. Ejani ta merrni". Dëbimi nga Anglia i artistit Gëzim Hidri ndodh disa muaj më pas, nga koha kur gjykatat britanike kanë refuzuar ekstradimin në Shqipëri të të akuzuarit për vrasjen e Frrok Koçekut e për plagosjen e Pjetër Lekë Stakaj.


Duket se autoritetet vendase të emigracionit e kanë më të lehtë dëbimin e shqiptarëve që punojnë në Britani ndershmërisht, se sa të atyre problematikë dhe që kërkohen nga drejtësia shqiptare. Madje në disa raste, nga proceset gjyqësore të ekstradimit është zbuluar se shqiptarëve të kërkuar nga Interpoli si Afrim Sinani, Arsim Murtati apo Armand Bogdani, Ministria e Brendshme vendase (Home Office) u ka dhënë nënshtetësinë britanike.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats