Monday, 5 May 2008

Në gjykatë truproja shqiptarë që vrau anglezin

Akuza për vrasje Rustem Gecës. Goditi për vdekje në kokë sikur të ishte top futbolli Lee Rayner

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një emigrant shqiptar i punësuar si roje sigurie në një lokal nate është përballur në Gjykatën e Krimeve të Rënda "Central Criminal Court Old Bailey" në Londër, me akuzat për vrasje me dashje. Rustem Geca, 24 vjeç është akuzuar nga prokuroria britanike se së bashku me kolegun Johnives Kalu, 23 vjeç, për rrahjen me pasojë vdekjen e 30-vjeçarit Lee Rayner.
Ngjarja e rëndë me protagonist shqiptarin Geca ndodhi më 16 qershor 2007 në zonën Romford në Lindje të Londrës. Viktima Lee Rayner iu afrua dy truprojave të lokalit Opium Lounge në North Street, Romford, duke kërkuar të hynte.
Përgjigjja që ai ka marrë ishte jo, pasi sipas dy truprojave të lokalit, ai ishte nën moshë paçka se Rayner në realitet ishte 30 vjeç.

Akuza

Prokurori Anthony Leonard QC i tha gjykatës se Lee Rayner së bashku me disa miq mbajtën radhën për të hyrë në këtë lokal, por kur iu afruan rojeve të sigurisë ata i pyetën nëse ishim mbi 21 vjeç.
Megjithëse që të gjithë ata ishin të moshës 27 dhe 30 vjeç, nuk kishin ndonjë dokument që provonte moshën iu refuzua hyrja.
Kjo bëri që ata të acarohen.
Gjithçka është agravuar në mënyrë të shpejtë duke filluar një zënkë mes Lee Rayner, tre miqve të tij dhe pesë truprojave të lokalit. Lee Rayner në gjendje të dehur pështyn truprojën e quajtur Charlotte Paul.

Goditjet

"Kjo ka bërë në grumbullimin e të gjithë truprojave për të mbrojtur njëri-tjetrin. Lee Rayner është larguar paqësisht për në drejtim të rrugës "St Edwards Way" ku është ndalur nga truprojat, të cilat ishin të inatosura dhe kërkonin të hakmerreshin për aktin e pështyrjes në fytyrë të koleges së tyre. Rustem Gena në mënyrë të veçantë ishte ai i cili kishte më shumë inat. Për ta qetësuar njëri prej kolegëve të tij e kishte futur brenda në lokal.
Geca së bashku me Johnives Kalu do të linte lokalin për të ndjekur nga pas grupin e të katërt. Pas disa minutave, ai arrin t‘u afrohet atyre. Ata ishin të frikësuar që në momentin kur panë se po ndiqeshin nga truprojat e lokalit. Lee Rayner së bashku me të vëllain u goditën.
John Rayner ra në tokë duke u goditur përsëri prej tyre. Geca do të godiste me këmbë dy herë në kokë sikur të ishte top futbolli Lee Rayner, ndërsa Johnives Kalu e goditi në stomak.
E ndërsa Lee Rayner ishte në tokë, ai kishte marrë aq shumë goditje të forta, saqë i ishte çarë kafka e kokës njësoj sikur t‘ia kishe shtypur. John Rayner ka mundur t‘u shpëtojë goditjeve të mëtejshme duke i shkuar në ndihmë të vëllait.
Ai e gjeti atë pa ndjenja, duke i dalë gjak nga sytë dhe veshët. I riu Lee Rayner si pasojë e këtyre goditjeve nuk mundi të mbijetonte.
Ai ndërroi jetë në spital. Dy javë pas incidentit ai do të martohej", ka përfunduar së rrëfyeri në gjykatë prokurori Anthony Leonard QC rreth asaj që ndodhi natën e 16 qershorit 2007.
Rustem Geca së bashku me Johnives Kalu i mohojnë akuzat.
Procesi gjyqësor pritet të përfundojë pas pesë javësh. Geca është e çon në nëntë numrin e shqiptarëve të përfshirë në vrasjen e shtetasve britanikë këto 10 vitet e fundit në Britaninë e Madhe.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats