Tuesday, 6 May 2008

Rudi, shqiptari që do mbrojë Londrën

Rrëfimi i një 18-vjeçari që kërkon të kapë majat e policisë britanike

Rudi, shqiptari që do mbrojë Londrën

"Do të bëja gjithçka për një vend që më ka dhënë shumë"

Nga Muhamed Veliu
Londer

Rudi Babalia, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tij të rendur pas botës së madhe të elektronikës, fushë në të cilën preferohet për t‘u studiuar, ka zgjedhur rrugën drejt një profesioni sa të bukur, po aq edhe të vështirë. Ai është një kadet në një shkollë policie në Londër. Është e kuptueshme. Për 18-vjeçarin Babalia, e ardhmja që ka përpara do të jetë e lidhur me profesionin e oficerit të policisë, për të cilin çdo njëri nga ne, kur ka qenë i vogël, e ka çuar në mendje edhe për njëherë të vetme, duke pohuar: "Unë do të bëhem polic".

E ndërsa profesionet tona tani janë nga më të ndryshmet, larg të qenit njeri që zbaton ligjin, për këtë djalë shqiptar duket se shkollimi drejt të diplomuarit si oficer police, më shumë se dëshirë, është pasion. Kjo nuk është aspak e vështirë për ta kuptuar, pasi djali i gjatë shqiptar që ka filluar të burrërohet, flet me pasion për shkollën, idetë që ka kur të diplomohet dhe karrierën drejt një oficeri të rangut të lartë në radhët e policisë britanike. Është pasditja e një dite me shi në Londër, pavarësisht se kalendari tregon fillimin e muajit maj, që presupozon fillimin e verës. Rudi ka pak që ka ardhur nga palestra, bashkë me të motrën, Julian.

Gjatë bisedës, shpesh ai mbërthen medorë muskulin e krahut. "Më është dashur të ngre shumë kilogramë, për të kompensuar mosshkuarjen në palestër një ditë më parë", tregon ai. Teksa qëndron ulur mbi një kolltuk ngjyrë kafe, në shtëpinë ku banon me prindërit, në lagjen "Angel", gjatë bisedës me ne hedh sytë vjedhurazi nga televizori ku po ritransmetohet finalja "Top Fest". Shpeshherë janë prindërit ata që vendosin apo janë shtytës për fëmijët e tyre që të studiojnë në ato degë që ata mendojnë se do të shkëlqejnë. Me Rudi Babalinë nuk ka ndodhur kështu, paçka se babai dikur ka punuar si shofer policie.

Por si lindi ideja që ai të niste studimet në shkollën "Islington Police Cadets" në 2005-ën? Marrim një përgjigje të cilën nëse do ta dëgjonte një oficer i lartë i policisë angleze, pse jo ndonjë politikan që bërtet për rrezikun e emigrantëve, e do të ndihej i lumtur. "Doja të bëja diçka për këtë shtet, i cili, kur unë erdha këtu, më dha gjithçka. U edukova, pata kujdesin e tyre dhe më dha shumë mundësi për t‘u integruar në jetën britanike. Nuk është një dëshirë e lindur nga ndonjë film policor në televizion, nga ku mund të kem marrë frymëzimin. Është thjesht një dëshirë që kam në zemër për të kontribuar në këtë shoqëri ku unë u rrita, pasi kur kam ardhur në Angli isha vetëm 6 vjeç". Kështu e nis rrëfimin shqiptari që synon të kapë majat e policisë angleze.

Që në ditën e parë kur këmba i shkeli në këtë akademi policore, pedagogët që e intervistuan u ndeshën me vendosshmërinë e këtij shqiptari, plot energji për të shërbyer në komunitet, përfshi pasionin që një ditë të vishte uniformën e policit.Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ata do ta pranonin në shkollë Rudin, duke u bërë kështu shqiptari i parë që frekuenton një akademi të tillë. Duke folur ngadalë, me një shqipe të pastër, ai na tregon se falë pasionit dhe vullnetit për të arritur objektivin që i kavënë vetes, shkolla nuk i është dukur e vështirë. Rudi tregon se pjesa më e madhe e leksioneve ka të bëjë me ligjet, botën e krimit dhe në veçanti punën parandalueseme krimet, përfshi anët teknike të komunikimit, për të cilat ai nuk flet shumë, pasi përbëjnë sekret. Në këtë akademi Rudi thotë se janë shumë pak të huaj, madje ka nga ato raste kur edhe studentët britanikë e nisin shkollën, por largohen, pasi e shikojnë që është e vështirë. Kadeti shqiptar ndihet i barabartë mes studentëve të tjerë britanikë.

Madje ai shton se ata e respektojnë jashtëzakonisht shumë, kur marrin vesh se ai është shqiptar dhe kërkon që me punë e tij të kontribuojë në shoqërinë britanike."Ata janë të lumtur kur mësojnë që nuk jam me origjinë shqiptare dhe po studioj t‘u bashkohem atyre në luftën kundra krimit, për ta bërë vendin e tyre të sigurt. Do të shtoja se ata janë të interesuar të bashkëbisedojnë me studentët jobritanikë për të mësuar gjuhët tona. Është një avantazh i madh për një oficer policie të dijë sa më shumë gjuhë të huaja. Kështu që miqtë e mi në këtë akademi kanë filluar të mësojnë disa fjalë shqip dhe u pëlqen kjo gjuhë", tregon kadeti Babalia.

Por jo gjithçka shkon vaj, sikur do të dëshironin të gjithë pedagogët e kësaj akademie, përfshi Rudin, i cili sqaron se pjesa më e vështirë është kur vjen puna për konkurse të vazhdueshme në këtëshkollë. "Deri më tani pjesa më e vështirë është kur në grupet që ne konkurrojnë janë persona jo në të njëjtën përgatitje që ti ke. Është punë grupi, në të cilin, nëse dikush nuk është i përgatitur, na prish punë të gjithëve", pohon ai. Ambiciet e Rudit në përfundim të shkollës shkojnë larg. Ai tregon se me përfundimin e studimeve do t‘i duhet të punojë për dy vjen nën supervizion dhe pastaj mund të aplikojë për një pozicion më të lartë se ai i PC (Police Constable), oficer i thjeshtë policie. Tashmë ai e ka të projektuar në mendje se ku ka dëshirë të punojë me mbarimin e shkollës. "Më pëlqen të jem në shërbim të qytetarëve në rrugë. Por pas përfundimit të dy viteve punë nën supervizion, kam dëshirë të shkoj për departamentin e hetimeve të krimeve CID (Crime Investigation Department), ku sfidat janë akoma më të mëdha dhe puna merr dimensione ndryshe nga ato të një polici të thjeshtë në detyrë".

I drejtojmë një pyetje disi të vështirë, kur e pyesim nëse ai kur të jetë në CID dhe t‘i bëhet një ofertë për të punuar ekskluzivisht në hetimin e krimit shqiptar në Angli, a do ta pranonte një ofertë të tillë. Rudi jep këtë përgjigje. "Është një diçka e mirë, por po ashtu edhe e keqe, pasi i bie të merresh me njerëz të komunitetit tënd, të cilët mund të thonë t‘i po na heton apo arreston ne, ndërkohë që je shqiptarë si puna jonë. Megjithatë, mendoj se do të jetë një diçka e bukur të punosh me komunitetin shqiptar në Angli, t‘i kuptosh problemet e tyre dhe të tregosh që rruga e krimit është rrugë e gabuar. Pra ka dy anë të medaljes. Njëra anë të kuptuarit e problemeve që ata kanë dhe tjetra se ata mund të thonë: Pse më arrestoni, unë jam nga vendi juaj. Këtu mendoj se do ta kem problem dhe mund të më vijë keq për ata. Kështu mendoj të mos punoj në një departament policie që merret vetëm me shqiptarët".

Biseda jonë sa vjen e bëhet akoma më interesante nga përgjigjet që jep i riu shqiptar, i cili padyshim do të jetë talenti i ardhshëm i policisë britanike. Cilido që e njeh, e përkrah në atë që ai ka zgjedhur të bëjë, paçka se ndonjëri me shaka i thotë "Mr. Copper" ("zoti polic"). Kjo nuk i bën përshtypje, pasi mbi të gjitha ai po bën diçka që e ka përzemër dhe ka marrë bekimin e prindërve që janë tejet të lumtur për rrugën që ka zgjedhur djali i tyre. Nuk do të kishte kuptim kjo intervistë nëse në një moment të saj nuk do të ndaleshim në problemet që kanë të rinjtë shqiptarë në Britani, pasi shumë prej tyre janë përfshirë në krime, madje tashmë dergjen në burgjet britanike. Kadet Babalia është i mirinformuar për bashkëmoshatarët e tij që kanë zgjedhur rrugën e krimit dhe jo atë të shkollimit. Sipas tij, arsyet janë komplekse, se përse ata tashmë kanë zgjedhur të militojnë në botën e egër e të frikshme, mbushur me viktima të krimit. "Shumë prej tyre kanë ardhur këtu pa familje. Ata jetojnë të vetmuar.

Kështu, ata në vend që të këshillohen, të bëjnë gjëra të mira, bëjnë të kundërtën. Pra, problemi më i madh që ata kanë është se nuk kanë dikë që t‘i drejtojë në rrugën e duhur. Ata nuk influencohen nga grupet e djemve me ngjyrë, por kërkojnë të krijojnë grupe më të mëdha se ata. Të rinjtë shqiptarë kanë krijuar grupe gangsterësh. Kështu, unë di se në zona të ndryshme, këto grupe ekzistojnë, si për shembull grupi OTR, apo grupe të tjera në Barking apo Wood Green. Ky është një problem serioz, pasi nëse ata kërkojnë të duken si grupe më të fuqishme se të tjerët, do të përfshihen në krime të rënda, përfshi vrasjet. Kjo bën që emri i shqiptarëve, sa herë që përmendet, të ketë një nam të keq, si të rrezikshëm dhe shton akoma më shumë urrejtjen mes tyre dhe grupeve të tjera. Një situatë e tillë shkon deri në vrasje", sqaron Rudi Babalia.

A ka një zgjidhje për një situatë të tillë? Sipas tij, po. Ashpërsimi i ligjit. "Kjo do t‘i parandalojë shumë krimet dhe jo si tani, kur gjykatat japin dënime të lehta", përgjigjet ai prerë. Nga e gjithë biseda me kadetin shqiptar të policisë britanike, një gjë është më se e qartë. Vendosmëria që ky i ri ka, përfshi pasionin, për t‘ju bashkuar police britanike. Mos t‘ju duket aspak çudi, kur pas disa vitesh të shikoni në faqet e gazetave apo ekranet e televizorëve, oficerin e suksesshëm të Scotland Yard, shqiptarin Babalia.

Botuar fillimisht ne gazeten The Albanian Londer dhe sot ne gazeta Shqip Tirane.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats