Friday, 16 May 2008

Silvi, shkodrania e "Merril Lynch"

Silvi, shkodrania e "Merril Lynch"

Nga Londra
Muhamed Veliu


Silvi Tahiri është një prej shumë të rinjve shqiptarë në Britaninë e Madhe që po shkëlqejnë nëpër institucionet vendase ku janë punësuar. Pasi ka lënë bankat e shkollës, ajo do të punësohet në një prej bankave londineze të investimeve, e quajtur "FairFax".

Që prej disa muajsh i është bashkangjitur njërës prej korporatave më të mëdha bankare në botë, e quajtur "Merril Lynch", e cila ka të punësuar 63100 punonjës, me një fitim vjetor bruto prej 2,9 miliardë dollarësh dhe biznes të shtrirë në 40 vende të botës. Silvin, një vajzë të qeshur, veshur me një kostum bezhë, një këmishë të bardhë, flokë të zeza, e takojmë afër ambienteve të punës, në zonën e quajtur "City of London", në të cilën zhvillohen 35% e transaksioneve të biznesit për të gjithë botën. Ajo flet ngadalë, me një aksent të ëmbël shkodran, pjesë e krenarisë së saj, që të kursen ta pyesësh për origjinën. "Ndonjëherë e gjej veten duke folur me një theks letrar dhe kjo ndodh edhe nga shoqëria që kam këtu në Londër, por menjëherë më duket sikur diçka mungon nga vetja ime", fillon bisedën Silvi, në një kafene aty pranë, pasi ka rrufitur disa gllënjka kapuçino. Silvi na tregon se nuk ishin aspak të lehta për të vitet e para kur mbërriti në Angli. Por ajo në mendjen e saj kishte projektuar me saktësi të ardhmen. "Me të mbërritur në Angli iu futa studimeve në një kolegj për IT. Mbasi përfundova kolegjin me rezultate shumë të mira, arrita të siguroj një vend në Universitetin Westminster, ku studiova shkenca kompjuteristike për 3 vjet", tregon ajo rreth fillimit të studimeve. Thekson se gjithnjë ka pasur mbështetjen dhe inkurajimin e prindërve për t‘u shkolluar dhe se pa dashurinë dhe mbështetjen e tyre ajo asnjëherë do nuk të arrinte gjithçka që ka arritur deri më sot, apo edhe në të ardhme. "Gjithçka ua dedikoj prindërve të mi dhe sigurisht punës sime ngulmuese", shprehet ajo.

Që në fillim, shqiptarja me një paraqitje të bukur, sikurse shumë bashkëmoshatarë të saj shqiptarë, do të spikatej si një studente e suksesshme. Pikërisht ky sukses buronte nga fakti se ajo u kishte bërë një premtim prindërve dhe vetes së saj, që studimet e larta t‘i përfundonte me rezultate maksimale. Madje na tregon se kishte vënë një bast me veten. E pyes Silvin se cili ishte ai bast. Ajo më jep këtë përgjigje, duke qeshur njëkohësisht: "Mos kujto se ishte ndonjë bast i vënë në lokalet e basteve. Më pëlqen të mbështetem tek aftësitë dhe puna ime më shumë se te fati i rëndomtë. Basti në këtë rast ishte ta përfundoja universitetin me rezultatet maksimale. Dhe këtë bast e fitova kur u diplomova me rezultatin maksimal ‘First Class Honours‘". E gëzuar nga ky mision i mbyllur me sukses, për Silvin do të niste një kapitull i ri në jetën e saj si emigrante në Britaninë e Madhe. Konfidente në maksimum, ambicioze përtej kufijve të normales dhe tashmë e bindur për aftësitë e saja, Silvi nuk e merr me aspak frikë perspektivën e punësimit pas universitetit, aspekt i cili shqetëson së tepërmi të sapodiplomuarit.

Kur dihet që Londra është kthyer në qendrën më të madhe ekonomike, duke lënë pas New York-un, kërkesat për njerëz që punojnë në banka investimesh dhe bursa të ndryshme, apo sektorë të tjerë ekonomikë, është i lartë. Si pasojë edhe cilësia e punonjësve merr dimensione të veçanta. Bankierët e rinj duhet të ndeshen përditë për luhatjet e bursës, që këtë vit kanë qenë të shpeshta. Prandaj edhe ky sektor kërkon njerëz të stërvitur mirë përballë presionit psikologjik që të shkakton kjo lloj pune. Silvi Tahiri është një prej tyre. Pas mbarimit të universitetit në korrik 2006, filloi punë në "FairFax", një bankë investimesh në zonën Mayfair, ku kaloi 2 vjet të plota. Ndërkohë përfundoi një diplomë në investime dhe rregulacion. Në mars 2008 i ofrohet puna në "Merril Lynch", një ndër 3 bankat më të mira në botë në sektorin e fondit të aseteve divizioni menaxhimit, në rolin e analistes së fondeve të ndryshme, duke mbuluar ato që në gjuhën bankare njihen si "fixed incomes" (të ardhurat fikse). Shqiptarja Tahiri tregon se ishte një rastësi fillimi i punës në "FairFax". Kot nuk i thonë rastësia është mbreti i botës. Silvi thotë: "Kisha vetëm disa javë që isha diplomuar. Po lexoja gazetën "Financial Times", ku në faqen e reklamave pashë një vend pune.

Nisa menjëherë CV-në time. Nuk vonoi shumë dhe pas disa ditëve më ftuan për intervistë. Nuk mendoja se do ta merrja atë vend pune, kur pashë se nëntë personat e tjerë që kishin ardhur për intervistë ishin që të gjithë meshkuj dhe britanikë". Përballë një situate të tillë, ajo ka hyrë në intervistë si e barabartë, pa pasur aspak frikë, por pranon se emocionet ishin të forta. Pas një interviste që zgjati gjithë paraditen, vjen fundi i saj dhe pjesa më e vështirë. Ishte momenti për të mësuar nëse e kishte fituar atë vend pune. Tre intervistuesit e saj ishin të një mendjeje. Silvi Tahiri e meritonte të bëhej pjesë e kompanisë së tyre. "Nuk më besohej, sinqerisht, edhe pse thellë-thellë e ndieja që e meritoja plotësisht këtë mundësi. Në ato momente pothuajse e gjithë jeta më kaloi me një shpejtësi të rrufeshme para syve dhe e kuptova sa shumë kisha punuar për të arritur këtë çast. E përmbajta veten dhe pasi i falënderova për dhënien e kësaj mundësie, dola nga ambientet e ‘FairFax‘ me lot në sy, shumë e lumtur dhe mbi të gjitha me shumë ëndrra, emocione e dëshira për të ardhmen", rikujton ajo atë moment. Një telefonatë pothuajse e menjëhershme nënës së saj, ku përmes telefonit përcolli fjalët: "E fitova vendin e punës mami".

Gëzimi nuk ishte vetëm i saji, por i të gjithëve. Një festë e planifikuar dhe e organizuar shumë bukur nga familja e saj dhe rreth 60 të ftuar për të festuar diplomimin e tashmë edhe fillimin e një karriere të re, do të ishte mbyllja e një dite shumë interesante, plot emocione, por që kishte mbaruar në favor të saj. Megjithëse ka hedhur hapa të sigurt deri më tani në atë që ka dëshirë të bëjë, "oreksi" për të ngjitur akoma më shumë shkallë suksesi është i dallueshëm përgjatë gjithë bisedës. Silvi thotë: "E ardhmja është e vështirë për t‘u parashikuar dhe nuk më pëlqen ta bëj këtë gjë. Vazhdoj të jem pozitive dhe plot shpresa për të ardhmen, ku një ndër synimet e mia është të arrij në pozita menaxhuese, pse jo edhe më lart. Më pëlqejnë sfidat dhe marrja e përgjegjësive më të mëdha mbi vete, pasi e ndjen që jam e aftë për të përballuar me sukses sfida të tjera në fushën që kam zgjedhur.

Për momentin ndihem e lumtur që jam pjesë e ‘Merril Lynch‘, themeluar në 1914 dhe padyshim ka lënë gjurmë në historinë bankare të botës. Sigurisht, do të vazhdoj njëkohësisht studimet dhe trajnimin e mëtejshëm, duke kryer një master part-time, të cilin e nis këtë shtator. Synimet e mia tashmë në ‘Merril Lynch‘, ku jam e vetmja shqiptare në degët e saj në Angli dhe e dyta në të gjithë botën, janë drejt niveleve menaxhuese. Megjithatë, pavarësisht se në Londër jam në pozita komode punësimi, synimi im është që të kthehem në Shqipëri.

Do të doja shumë që kjo të ndodhte sa më shpejt", pohon ajo. Zhvilluam një vizitë të shpejtë te zyra e saj, me një pamje mahnitëse nga lumi Tamiz. Është e mbushur me njerëz ku zhurma më e vogël që mund të dëgjosh është ajo e tastierës së kompjuterëve. Një foto e Nënë Terezës, ku shkruhet "Paqja fillon me një buzëqeshje", një tjetër e Shkodrës dhe një tjetër e familjes, së bashku me një flamur shqiptar, janë të vendosura mbi tavolinën e punës ku punon 25-vjeçarja Tahiri. Por simbolet nuk mbarojnë këtu. Lëmë ambientet e zyrës. Poshtë saj menjëherë të bie në sy një makinë "Peugeot" gri, me një flamur shqiptar varur te pasqyra e brendshme. Ndërsa prapa, në hapësirën mes sediljes së pasme dhe xhamit, një tjetër flamur kuqezi që mbulon të gjithë hapësirën. Një atdhedashuri në zemër të Londrës për ta pasur zili. Biseda më tej rrjedh natyrshëm. Nuk mund të rrija pa e pyetur atë se çfarë mendon për bashkëmoshatarët e saj, të cilët kanë mbërritur në të njëjtën kohë me të në Britaninë e Madhe.

Marr një përgjigje të cilën më duhej ta kundërshtoja me jo shumë argumente, pasi, sipas Silvit, vajzat shqiptare në Angli janë shumë hapa përpara me shkollimin apo integrimin në jetën britanike. "Njoh shumë bashkëmoshatarë të mi në komunitetin shqiptar. Besoj se vajzat shqiptare, po t‘i krahasosh me djemtë, kanë ecur më mirë, kanë më shumë ambicie dhe dëshirë për të ecur përpara", më deklaron ajo me një buzëqeshje, por pa më dhënë ndonjë argument bindës. Ky opinion i saj, marr vesh pak më vonë, është ndërtuar mbi bazat e shoqërisë që ajo ka krijuar tashmë në Londër, ku shumica janë femra, prandaj nuk më mbetet gjë tjetër veç se t‘i përmend asaj disa raste kur djem shqiptarë kanë shkëlqyer në universitete, madje punojnë në institucione të rëndësishme. Dy prej tyre në banka si bankierë.

Nuk e di nëse e binda sadopak. Gjithsesi ajo theksoi edhe njëherë dëshirën e saj të madhe që të shohë sa më shumë djem dhe vajza shqiptare që përparojnë kudo që ata ndodhen nëpër botë. Ajo gjithashtu shprehet me shumë çiltërsi se shpreson që një ditë ajo vetë të jetë frymëzimi dhe ndoshta këshilluese e atyre të rinjve shqiptarë që aspirojnë ëndrra dhe ambicie për të ardhmen. Minutave të rezervuara për mua nga Silvi po u vinte fundi. Siç janë striktë me shifrat apo paratë për bankierët, çdo minutë është e artë. Ishte koha që ajo t‘i rikthehej punës në zyrë.

Duke përfituar nga koha me diell, e përcjell deri te hyrja e ndërtesës së madhe, ku mbi të është shkruar me germa të bronzta: "Merril Lynch Financial Centre". Papritmas më shkoi në mendje një pyetje të cilën me shpejtësi nuk hezitoj t‘ia bëj. Si ajo mund ta analizojë emrin Silvi? Mendoja se mund ta zija mat. Gabova. Si mund të zihet mat një vajzë si ajo, ku inteligjenca kap koeficiente të larta. Sipas Silvit, Silvi do të thotë: Successful, Influential, Logical, Visionary dhe Important (E suksesshme, Influencuese, Logjikuese, Me vizion, E rëndësishme). Nuk do t‘i hiqja asnjë presje përgjigjes, përveçse do t‘i shtoja se gjatë intervistës me të kisha nderin të kisha përballë për afro 60 minuta një vajzë të suksesshme shqiptare në Londër, një tjetër shqiptare të suksesshme nga komuniteti shqiptar në Britaninë e Madhe.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats