Saturday, 17 May 2008

Te pakten si Zimbabve

Te pakten si Zimbabve

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ministri Ylli Pango, gjatë seancës pyetje-përgjigje në "Forumin e parë të investimeve britaniko-shqiptare" javën e shkuar është pyetur përse Shqipëria nuk ka qendra kulturore dhe turistike në vende të ndryshme të botës?
Pango e ka quajtur pyetjen e ngritur si të drejtë duke zbuluar një plan ambicioz të ministrisë që ai drejton kur tha: "Ne kemi gati projektin për çeljen e qendrave kulturoro-turistike në kryeqytetet Londër, Athinë e Romë ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptarësh.
Ato do të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e traditave shqiptare nga emigrantët tanë në këto vende. Po ashtu do të shërbejnë gjithashtu si promotorë të turizmit shqiptar përmes një strategjie dhe programeve të veçanta", ishte kjo përgjigjja e ministrit Pango.
Rreth kësaj iniciative, gazeta "Shqip" intervistoi tre njohës të mirë të problemeve kulturore përfshirë dhe ato të emigracionit në komunitetin shqiptar në Britani.
Ata janë zonja Luljeta Nuzi, drejtore e "Shpressa Programme", Petrit Kuçana, drejtor i gazetës së shqiptarëve në Angli "The Albanian" dhe Ralf Gjoni drejtor i klubit londinez të lëvizjes "Mjaft", "London Mjaft Club".

Lajm i mirë

Petrit Kuçana, drejtor i gazetës "The Albanian" thotë se deri diku kjo deklaratë e ministrit Pango nuk ishte një lajm i ri, pasi sipas tij, ka disa kohë që qarkullon ky lajm.
"Gjithsesi, ngritja e qendrave të kulturës shqiptare, mbetet një lajm vërtet i gëzuar për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar.
Mendoj se nëpërmjet kësaj qendre do të ndihet fuqishëm dora e shtetit, pasi deri më tani përfaqësitë tona diplomatike kanë qenë shumë të kufizuara në misionin e tyre. Të paktën në Mbretërinë e Bashkuar, ambasada shqiptare ka gjithsej një personel prej vetëm 3 vetash.
Me hapjen e kësaj qendre besohet se do të fillojë një stad i ri komunikimi dhe bashkëpunimi mes shtetit dhe diasporës, të munguara këto prej shumë e shumë kohësh. Ngritja e kësaj qendre do t‘i jepte fund perceptimit të emigrantëve që shpeshherë u ndien më tepër se jetimë, e ndonjëherë edhe të diskriminuar prej shtetit të tyre; do t‘i jepte fund kohës kur mërgimtarët kujtoheshin vetëm kur fillonte sezoni turistik apo kur publikoheshin të ardhurat nga emigracioni; do t‘u jepte fund "marrëdhënie të ngrira" shtet-mërgimtarë që sollën si produkt prirjen për tëhuajsim të mërgimtarëve, që ushqeheshim madje me doza të larta të pesimizmit për "bërjen e Shqipërisë".
Por a do të kenë efektin e duhur këto qendra në jetën kulturore të shqiptarëve në këto vende ku parashikohet hapja e tyre? Petrit Kuçana beson se po.
"Patjetër që po, e do të kishin efektin e tyre në përditshmërinë e shumë emigrantëve, që e pakta që mund të thuhet, nuk ndiheshin edhe aq komodë të thoshin kombësinë e tyre. E në vend që të ishin vërtet limfa që do të transmetonte vlera dhe kulturë nëpër shtetet ku jetojnë, në vend që të kishin mbështetjen e shtetit amë dhe të implementonin platforma të studiuara mirë dhe tepër produktive, ata në shumë raste u sfumuan, duke mos qenë në gjendje të përfaqësojnë denjësisht veten e për rrjedhojë vendin e tyre. Kujtojmë se deri tani as që mund të bëhet fjalë për ndonjë "të drejtë të të ikurve" qoftë kjo edhe e sanksionuar me ligj në rregulloren themeltare të shtetit, në Kushtetutë.
Gjithsesi, kjo qendër do të shërbente si një katalizator i fuqishëm për koordinimin e të gjitha aktiviteteve kulturoro-artistike, duke bërë të mundur prezantimin sa më dinjitoz të vlerave shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar."

Optimizmi

"Një iniciativë e mrekullueshme dhe me shumë vlera për vendin tonë besoj", shprehet Luljeta Nuzi, drejtore e "Shpresa Programe" në Londër që merret me aktivitete social-kulturore për komunitetin shqiptar në Londër.
Ajo më tej në prononcimin e saj thotë:
"Uroj që të mos jetë thjesht një iniciativë, por së shpejti të bëhet realitet.
Shpresoj që të mos ndodhë si iniciativat e mëparshme të ndërmarra nga institucione shtetërore ku ne kemi hasur shumë vështirësi. Do të përmendja iniciativën e Ministrisë së Jashtme, për të na ndihmuar me transportin e librave për studentët shqiptarë që mësojnë shqip në kurset qe ne kemi hapur. Kjo iniciativë kurrë nuk gjeti zbatim dhe pas një odiseje të gjatë njëvjeçare.
Shpresoj dhe uroj që kjo iniciativë të mbështetet dhe nga ambasadori i ri në Mbretërinë e Bashkuar, zoti Mazi, i cili për mendimin tim po bën një punë shumë të mirë si për promovimin e Shqipërisë në Britani e në përgjigje të nevojave të komunitetit shqiptar në Angli. "Shpresa Programe" uron që kjo iniciativë të bëhet sa më shpejt realitet."

Skepticizmi

Ralf Gjoni, drejtor i klubit londinez të lëvizjes "Mjaft" "London Mjaft Club" e cilëson deklarimin e Pangos në Londër për çeljen e qendrave kulturoro-turistike në kryeqytetet evropiane si një provë tjetër që kjo është një deklaratë e dalë nga goja e një anëtari të një qeverie retorike.
"Flitet për qendra turistike, por nuk jepen shpjegime rreth fondeve që do të harxhohen apo kufijve kohorë brenda të cilëve do të implementohen këto projekte. Kur edhe vetë ambasada shqiptare në Londër është më e vogël sesa apartamenti i një emigranti shqiptar në Angli, si mund të presësh hapjen e një qendre turistike të mirëfilltë?! Ajo që më shqetëson prej kohësh është se deri tani kemi vetëm deklarata të ‘bukura‘ dhe premtime pafund, por asnjë hap konkret. Ne si klub i "Mjaftit" në Londër kemi mbi tre vjet që përpiqemi me mundësitë tona modeste për të përmirësuar sadopak imazhin e Shqipërisë në Britani, kjo nëpërmjet influencës në media dhe nëpërmjet aktiviteteve promovuese mes audiencës britanike".
Gjoni është skeptik për këtë projekt, pasi ai kujton një kërkesë drejtuar Ministrisë së Kulturës që në kohën e ministrit Leskaj rreth një bashkëpunimi të mundshëm. "Deri më tani asnjë ndihmë nuk na është ofruar. Trajtohemi gjithnjë me të qeshura, përqafime, premtime boshe dhe pastaj çdo gjë lihet në harresë. Është turp që edhe vende si Zimbabve, qytetarët e të cilit po vdesin urie nën thundrën e Mugabes, kanë qendra turistiko-kulturore në zonat më prestigjioze të Londrës, kurse Shqipëria, vendi i "Mercedesit" dhe "Porshit" ka 17 vjet që ka ngecur në detin e mediokritetit dhe nuk ka arritur të ndërtojë kapacitetet e duhura për t‘u përfaqësuar me dinjitet jashtë kufijve të saj".



You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats