Tuesday, 3 June 2008

"ADN-ja" e Shqipërisë në 52 minuta.

Kompania e produksionit të dokumentarëve "Buzz TV", gati planin për xhirimet ne Shqiperi

Nga Londra
Muhamed Veliu

A mjaftojnë 52 minuta për të pasqyruar qytetet më të bukura shqiptare: kulturën e Shqipërisë, turizmin, veshjet tradicionale, ushqimet, pa harruar mikpritjen për të cilën ne shquhemi, hijeshinë e shqiptarëve, vitalitetin e djemve apo bukuritë e bregdetit nga Velipoja në Sarandë? Përgjigjet mund të jenë nga më të larmishmet. Producentët e kompanisë britaniko-spanjolle "Buzz TV" mendojnë se po.

Tashmë ata e kanë gati planin e punës për një ndër dokumentarët më ambiciozë të këtyre 17 viteve të fundit, që kërkon mbështetjen e qeverisë shqiptare, apo kompanive private, nëse do të duan që imazhet ndryshe të Shqipërisë të ndiqen në të gjithë botën nga miliona teleshikues përmes kanaleve "Discovery", "TVE" dhe "The Travel Channel".

Gazeta "Shqip" zotëron ekskluzivisht planin e punës tejet të detajuar që "Buzz TV" ka hartuar për të nisur xhirimet e dokumentarit në fjalë, pjesë e 6 serive mbi turizmin në botë që do të quhet "Escape", me përbërjen e 13 shteteve të përzgjedhura nga një listë e 40 vendeve."Ne i kemi gati planet për të prodhuar disa dokumentarë, ku do të pasqyrohen vende të njohura turistike në botë, përfshi disa vende më pak të shkelura nga turistët. Për ne, nga ana gjeografike, përfshirë dhe atë kulturore, Shqipëria në mënyrë të padiskutueshme ka se çfarë t‘u ofrojë shikuesve në të gjithë botën. Besojmë në mënyrë absolute që Shqipëria është një destinacion i ri turistik jo shumë i njohur.

Grupi ynë i xhirimit do të fokusohet në pjesët e paprekshme, pothuajse të virgjëra të bregdetit, fshatrat e vjetër, përfshi malësinë e Shqipërisë. Nga malet në veri, duke vazhduar në jug me vendet arkeologjike, nga qytetet e mëdha në rritje të vazhdueshme si Tirana apo Durrësi, në fshatrat e bukur në të gjithë vendin, duke nënvizuar surprizat që presin turistët në një parajsë të panjohur më parë", shkruhet kështu në planin e punës përgatitur nga producentët e "Buzz TV", që kanë vizituar disa herë Shqipërinë.

Në dokumentarin 52 minutësh janë përfshirë një sërë aspektesh të veçanta, që përbëjnë profilin origjinal të atdheut tonë. Ato janë: natyra e paprekur me bukuritë e saj në male, fusha e bregdet; ngjyrat e peizazhet e rralla, si dhe pasuritë e trashëgimisë. Më tej, vihen në dukje karakteristika si: mikpritja shqiptare e ndërthurur me traditën në krahina të ndryshme, ku përfshihet dhe kultura e kuzhinës. Por, ndërkohë, do flitet dhe për zhvillimin e biznesit.

Padyshim që ky projekt televiziv merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi në të shkuarën kanalet televizive greke apo italiane nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë transmetuar pamje shqiptarësh që mbërrijnë me anije për një jetë më të mirë në gadishullin Apenin, apo në prag luftën civile në 1997-ën, kur pamjet tronditëse të Shqipërisë që digjej, ende edhe sot bëjnë xhiron e botës. Mundësia që i jepet Shqipërisë në përfshirjen e serive "Escape" për herë të parë i bën ADN-në vendit tonë me potenciale të mëdha, por pak të njohura, ose me qëllim të keqpërdorura nga fqinjët që i tremben një Shqipërie të qetë, e cila ofron turizëm më lirë se ata.

Realizuesit e këtij dokumentari do të përcjellin mes tij mesazhe qindra herë më të forta se ato që janë përzgjedhur në spotin 300 000 eurosh që transmetohet në CNN. Nuk dihet ende se si do të mirëpritet apo mbështetet ideja e këtij dokumentari nga qeveria e Tiranës, e cila po trumbeton me të madhe "sukseset" e saj në fushën e turizmit.Por, gjatë një bisede me ambasadorin e Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Zef Mazi, ai jep mbështetjen e plotë për një projekt që vende të tjera të botës do ta paguanin sa frëngu pulën për të realizuar një dokumentar të tillë, ndërkohë që Shqipërisë i ofrohet kundrejt një mbështetje simbolike."Buzz TV", së bashku me partnerët që do të merren me distribucionin në bërjen e këtij dokumentari, marrin përsipër të gjitha fazat, ku futen xhirimet, post-produksioni, shitja, marketing.

Në të shkuarën "Buzz TV" ka prodhuar më shumë se 100 dokumentarë të kësaj natyre, të transmetuar në stacionet e mirënjohura si "Discovery", "TVE" dhe "The Travel Channel", duke kapur një audiencë prej 450 milionë teleshikuesish në çdo cep të botës.Sipas rregullave të produksionit të "Buzz TV", e drejta e autorit për këtë dokumentar i mbetet Shqipërisë për ta transmetuar atë në stacionet kombëtare apo ndërkombëtare.

Sakaq, Ministrisë së Turizmit për arkivim apo për përdorim në të ardhmen, do t‘i vihen në dispozicion 6-8 orë filmime profesionale të përdorura në dokumentarin final prej 52 minutash.Ekzistojnë të gjitha mundësitë që dokumentari të përdoret për qëllime tërësisht komerciale si film prezantues për Shqipërinë në botë, përfshi edhe shitjen e tij në DVD.Burime nga Ministria e Turizmit në Tiranë kanë pohuar se vetë ministri Ylli Pango, dashamirës dhe njëkohësisht vetë dokumentarëbërës, e ka mirëpritur këtë projekt të "Buzz TV". Ajo që nuk dihet ende është se në çfarë niveli do të jetë bashkëpunimi, pasi, sipas producentëve të televizionit në fjalë, filmi do të jetë në përputhje me programet që ka Shqipëria për turizmin në 5 vitet e ardhshme. "Buzz TV" do ta realizojë këtë dokumentar së bashku me partnerin "Transglobe", që njihet si një prej gjigantëve të prodhimit e dokumentarëve në botë.

Mësohet se të shtunën në mesditë ka mbërritur në Tiranë zonja Judith Luscombe, zëvendëspresidentja e "Buzz TV", për t‘u "matur pulsin" autoriteteve shqiptare, se sa të interesuar janë ata në këtë projekt, që mund të marrë jetë në shtator 2008. Padyshim që ajo do t‘u tregojë autoriteteve shqiptare një shprehje që përdoret shpeshherë mes njerëzve të televizionit, e në veçanti dokumentarëbërësve se "nëse një foto vlen sa njëmijë fjalë, një film duhet të vlejë miliona".


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats