Thursday, 19 June 2008

Albani, nga bari dhish në asistent i deputetit britanik

Nga Londra
Muhamed Veliu

Alban Bytyci është një emër i njohur për komunitetin shqiptar në Angli.
Nuk ka veprimtarisocial-kulturore, sportive, apo nga ato me karakter politik që ai mos të jetë prezent. Epiteti"i gjithanshëm" është përcaktuesi më i saktë që mund të gjendet për ta përkufizuar me një fjalëtë vetme këtë djalë kaq energjik e tejet popullor mes bashkëmoshatarëve shqiptarë e të huaj në kryeqytetin britanik. Si gjithmonë i veshur sportiv ai është i përpiktë me kohën e takimit,jo shumë larg shtëpisë ku banon prej disa vitesh në Soho.

Biseda jonë nis shumë vite pas në kohë, kur ai ka mbaruar studimet në shkollën 8-vjeçare. "Kisha dëshirë të madhe të mësoja. Kushtet nuk ishin. Kështu, si shumë bashkëmoshatarë të mi, me të mbaruar tetëvjeçaren iu futa punës si bari", fillon rrëfimin Albani. Gjatë gjithë bisedës ai e thekson me të madhe se pavarësisht kusteve ai donte të shkollohej me çdo kusht.
Ky është edhe shkaku primar për të cilin do të braktiste vendlindjen për t‘iu drejtuar një bote të re, ku shpejtësia me të cilën jetohej e punohej ishte jashtëzakonisht e madhe krahasuar me atë të një bariu. Kjo nuk e trembi. Përkundrazi e bëri që edhe ai të motivohej për të kapur shpejtësinë e ritmit të jetës. Përpara kishte shumë sfida, të cilat kur ai i mendon se i ka kapërcyer me sukses.

Ishte viti 2000 kur mbërriti në Britaninë e Madhe. Ishte vetëm 20 vjeç. Gjëja e parë që bëri ishte puna për një indian që kishte lindur në Angli, vetëm e vetëm për të mësuar gjuhën. Ishte një hap i menduar mirë.

Vetëm disa muaj më pas ishte në gjendje të komunikonte anglisht. Shtatorin e atij viti i drejtohet kolegjit të quajtur "Barnfield College", në qytezën Luton, duke treguar interes për të studiuar në degën e Anglishtes dhe Medias. "Anglishtja juaj nuk është e mjaftueshme për t‘u regjistruar në një kurs të tillë", kanë qenë fjalët e pedagoges së pranimit që po e intervistonte. Albani këmbënguli duke i thënë. "Ka vetëm disa muaj që kam ardhur në Angli. Nuk flisja asnjë fjalë. Tani unë po komunikoj me ju në anglisht.

Në këto muaj unë kam avancuar shumë. Ma jepni mundësinë të studioj. Keni për ta parë se nuk do të kem asnjë problem". E shtangur nga ngulmimi i Albanit, profesoresha vendos ta pranojë. Kursi njëvjeçar do të mbaronte shumë shpejt për të. Duke befasuar të gjithë klasën, shqiptari "me anglishte jo të mjaftueshme për të ndjekur atë kurs" renditet në radhën e atyre që u shpallën "Silver students". Por si ia arriti diçkaje të tillë? Albani thotë: "Me këmbëngulje. Qëndroja në kolegj për 12 orë. Punoja në darkë për 7 orë, kohën që mbetej e përdorja për të studiuar në shtëpi dhe pak gjumë".
Të studiuarit për një vit Media e bënë atë të mendojë se gazetaria gjëja që donte të bënte në jetë. Aq më tepër që kishte krijuar idhullin e tij në BBC, editorin ndërkombëtar, të madhin Jonhn Simpson. Hapi tjetër drejt shkollimit në nivel universitar ishte ndjekja për një vit e një kursi që njihet si "Akses në edukimin e lartë". Ndërkohë që ndiqte këtë kurs, Albani tregon se si nisi të punonte në një kompani avokatore si postier i brendshëm dhe i jashtëm.

Pasi konkurroi në disa degë të ndryshme në universitetin "Kings College" të Londrës, vendosi të studionte në degën "Studime Amerikane", duke braktisur deri diku aspiratën për t‘u bërë gazetar, por jo tërësisht. Ishte viti 2003 kur ai u ul për herë të parë në këtë tempull dijesh, që renditet ndër universitet më të mira në Angli. Shpeshherë, me të drejtë miqtë, apo ata që nuk e njohin, kur bisedojnë me Albanin rreth zgjedhjes së kësaj dege që tingëllon disi e çuditshme për një joamerikan, marrin prej tij një përgjigje tejet të argumentuar:"Në viset shqipfolëse ka një frymë pro amerikane tejet të theksuar".

Po nga buron ky pro amerikanizëm i ‘çmendur‘ te shqiptarët? Nuk merrja përgjigje. Për këtë vendosa të studio në këtë degë. Dhe përgjigjen e enigmës së proamerikanizmit të shqiptarëve e mora pas tre vitesh studimi. Ishte historia reciproke e Amerikës me Shqipërinë që tregon këtë dashuri amerikane aspak të verbër. Janë arsyet historike ato që dominojnë. Ishte ish-amerikani President, Woodrow Willson, ai i cili në vitet 1900 vendosi që shqiptarët të kishin të drejtën e vetëvendosjes. Dhe kjo nuk është pak". Pas përfundimit të studimeve, Albani në vitin 2006 u trajnua për mësimdhënie në degën "English Speaking Other Language" ("Anglishtja përfolësit e gjuhëve të tjera").

Tani ai është punësuar si mësues në "City of Westminster College" në Londër, ku krahas të mësuarit të huajve anglisht, u jep mësim edhe studentëve vendas në degën "Aftësi themelore dhe biznes",duke i parapërgatitur ata për arsimin e lartë. Promovimi i autorëve shqiptarë është një tjetër aspekt të cilit ai i kushton një vëmendje të veçantë. Aktiviteti më i fundit i kësaj natyre, që mban firmën e organizatorit nga Alban Bytyci, ishte promovimi i librit më të fundit të autorit Gëzim Alpion.

Ruajtja e trashëgimisë muzikore shqiptare dhe përdorimi i saj sa më gjerësisht nga shqiptarët e Anglisë ka qenë dhe mbetet një tjetër angazhim i Bytycit. Çdo muaj ai kthehet në promotor i mbrëmjeve me muzikë shqiptare në ambientet e ngrohta të shtëpisë së madhe, gjithnjë me dyer të hapura për shqiptarët e Londrës, "Bar Koha". "Nostalgjia e tingujve Shqip", me këtë emër ai i ka pagëzuar këto mbrëmje që tërheqin shumë të rinj duke vallëzuar deri në orët e para të mëngjesit nën ritmet e muzikës shqiptare nga të gjitha trevat.

Nuk mbarojnë këtu aktivitetet e tij. "London Mjaft Club", së bashku me Ralf Gjonin, do të ishte angazhimi i radhës, ku Alban Bytyci nuk do të hezitonte t‘i thoshte jo. Me dhjetëra veprimtari në Parlamentin britanik, duke bërë lobing për Shqipërinë dhe Kosovën, protesta përpara ambasadës greke në Londër për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në vendin helen, si dh shumë të tjera, mbajnë Brenda tyre mundin e organizimit të tij. Tashmë, pas largimit nga Anglia të drejtorit të këtij klubi, zotit Ralf Gjoni, atij i është besuar drejtimi "London Mjaft Club". Megjithëse shpeshherë kritik me politikanët shqiptarë, Alban Bytyci e shikon politikën si një fushë ku ka shumë për të eksploruar.

Për këtë ai fitoi respektin e deputetin britanik, John Grogan, i cili do ta bënte pjesë të bashkëpunëtorëve të ngushtë, duke i besuar rolin e ndihmës asistentit. "Në moshën 16 deri 20-vjeçare isha një njeri i pashpresë. Jeta ime ndryshoi e mori kuptim kur mbusha 20 vjeç, falë vendosshmërisë për të ardhur në Angli, ku hulumtova shumë gjëra dhe vazhdoj ta bëj akoma në çdo minutë të jetës sime", janë fjalët e fundit, tejet të sinqerta, gjatë bisedës së gjatë e interesante me Alban Bytycin, që nuk e la jetën të rridhte mbas një bariu të përjetshëm mes malesh, duke ruajtur dhitë.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats