Wednesday, 11 June 2008

Angli, 1,115 shqiptarë fitojnë nënshtetësinë britanike

Angli, 1,115 shqiptarë fitojnë nënshtetësinë britanike

"Home Office" publikon të dhënat për vitin e kaluar. Gati ligji i ri për emigracionin

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ministria e Brendshme britanike "Home Office", përmes një raporti të detajuar, ka publikuar numrin e personave që kanë marrë nënshtetësi britanike gjatë vitit 2007. Nga ky raport mësohet se 1115 shtetasve shqiptarë u ka buzëqeshur fati të fitojnë nënshtetësinë britanike. Prej tyre, 380 e kanë fituar nënshtetësinë, pasi kishin marrë më parë të drejtën e rezidentit në Britani. Nga martesat me shtetase angleze apo evropiane, që jetojnë në Britani, kanë përfituar nënshtetësinë britanike 595 veta. Në kategorinë e fëmijëve shqiptarë tashmë shtetas britanikë, sipas raportit janë 130. Vendin e parë në Ballkan për numrin më të madh të personave që kanë fituar të drejtën e mbajtjes së qytetarisë britanike e ka Serbia dhe Mali i Zi me 3485 persona, nga të cilët 2195 si rezidentë, 400 nga martesat dhe 885 fëmijë. Nëse këto shifra krahasohem me vitet e mëparshme janë disa herë më të larta, duke u dhënë kështu mundësi përfituesve të nënshtetësisë britanike t‘u thonë "lamtumirë" kokëçarjeve me procesin e legalizimit në shtetin ishull, ku ligjet e emigracionit ashpërsohen dita-ditës.

Heqja e nënshtetësisë

E nëse 1115 i gëzohen pasaportës britanike, shumë të tjerë janë nën ankth se ç‘do të ndodhë me ta. Bëhet fjalë për atë kategori shqiptarësh, që janë vënë nën hetim për përfitim të nënshtetësisë përmes mashtrimit."Zbulimi i mashtrimit te disa emigrantë shqiptarë në Britaninë e Madhe ka ardhur për vetë fajin e tyre. Ata kanë paraqitur në ambasadë certifikata lindjeje, të noterizuara në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, përmes të cilave vërtetojnë se nuk kanë lindur në Kosovë, ashtu siç shkruhet në pasaportat e tyre britanike, por në Shqipëri. Kjo është bërë për efekt të sjelljes së bashkëshorteve apo dërgimin e garancive për familjarët e tyre, me qëllim marrjen e vizave". Ky është pohimi i një avokati në Londër, që merret me çështjet e emigracionit.Të tilla raste janë raportuar nga Ambasada Britanike në Tiranë te "Home Office", e cila ka ngritur një departament të veçantë për hetimin e rasteve kur nënshtetësia britanike është marrë me mashtrim.Në një prononcim për mediat vitin e shkuar, kjo ambasadë paralajmëroi se "qeveria britanike nuk do të tolerojë abuzimin e sistemit të emigracionit dhe, sa herë që të zbulohen raste të tilla abuzimi, do të kryhen hetime të hollësishme dhe do të merren masa të ashpra". "Nëse do të provohet që një individ e ka fituar nënshtetësinë britanike duke mashtruar, falsifikuar apo fshehur fakte materiale, për shembull duke u hequr si shtetas i një vendi tjetër, atëherë ligji lejon që atij t‘i hiqet nënshtetësia", pohojnë zyrtarë të lartë të emigracionit. "Në të njëjtën mënyrë, nëse një individ e ka fituar statusin e refugjatit dhe, si rrjedhim edhe lejen e qëndrimit në Britani, duke mashtruar, atëherë është e mundur që atij t‘i anulohet ky status refugjati dhe po ashtu dhe leja e qëndrimit". Këto sanksione i parashikon neni 41 i ligjit britanik për shtetësinë, i miratuar në vitin 1981.Për këtë çështje pritet një vendim përfundimtar nga "Home Office", e cila do të këmbëngulë deri në gjykata që falsifikatorët dhe mashtruesit, përveç heqjes së nënshtetësisë, të përballen me drejtësinë. Proceset e tilla do të marrin në shqyrtim faktin pse është bërë mashtrimi, gjendjen familjare, statusin e punës dhe kontributin në shoqërinë britanike.

Ligji i ri

Qeveria britanike pritet t‘i paraqesë Mbretëreshës Elisabeta II një sërë ligjesh, ku më i rëndësishmi konsiderohet "The Citizenship, Immigration and Borders Bill" - ligji për "Qytetarinë, Emigracionin dhe Kufirin". Analistët e çështjeve të emigracionit thonë se ky ligj përbën një ndryshim radikal që pëson ai për qytetarinë dhe emigracionin këto 35 vitet e fundit.

Precedenti
Në gjyq shqiptarja

Deri tani "Home Office" ka çuar në gjykatë një shqiptare, për të cilën ka vërtetuar se e përfitoi nënshtetësinë britanike me mashtrim. Zonja Elda Derri do të gjykohet gjatë kësaj fundjave, në një gjykatë londineze. Për të është ngritur akuza e dhënies së deklaratës false kur ka aplikuar për nënshtetësinë.Ekspertë të emigracionit e konsiderojnë këtë rast si një "Test Case" (rast testimi) nga "Home Office". Nëse shqiptarja e humb këtë rast, atëherë për "Home Office" kjo bëhet një "Case Law" (precedent ligjor) dhe do të merret si shembull për rastet e tjera.Për këtë rast, mësohet se avokatët e shtetases shqiptare, së cilës për arsye etike nuk i publikohet identiteti, do të argumentojnë në gjykatë se ajo ka dy fëmijë të lindur në Londër dhe se ata si familje kanë dhjetë vjet që jetojnë në këtë vend. Por burime nga "Home Office" pohojnë se ky institucion po përgatit një politikë të re posaçërisht për këto raste, pasi e kanë kuptuar se problemi ka qenë më i madh nga sa e kanë menduar.Vitin e shkuar, "Home Office" deklaroi se u ka dërguar 217 shqiptarëve kërkesa për të dorëzuar pasaportat britanike, pasi janë nën hetim për përfitimin e tyre duke mashtruar.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats