Tuesday, 24 June 2008

Britani, komuniteti shqiptar, më të mirët në organizim

Nga Londra
Muhamed Veliu

"London School of Economics" nderon studentët shqiptarë për promovimin e traditave
Organizata studentore "LSE Albanian Society" është nderuar me çmimin "Best Overall Society" 2007-2008. Kjo do të thotë se mini-komuniteti shqiptar në ekonomikun e Londrës është vlerësuar si organizata më e mirë e huaj që ka promovuar më mirë traditat shqiptare. Por jo vetëm kaq. Organizata shqiptare është vlerësuar për sjelljen e mirë, inteligjencën në përzgjedhje, rezultatet e mira në mësime, për organizimin e debate apo realizimin e aktiviteteve kulturore duke promovuar traditën shqiptare. Jehona e fitimit të këtij çmimi vazhdon ende në korridoret e kësaj shkolle si një arritje për t‘u pasur zili nga të gjithë studentët nga viset shqiptare që kryejnë studimet në universitetet britanike, pse jo edhe në ato botërore.

Alfred Kovaçi, kreu i "LSE Albanian Society", thotë se ky është një vlerësim maksimal për punën e bërë deri tani, por njëkohësisht edhe një motivim dhe detyrim për studentët shqiptarë që ndjekin studimet në Britani. "Shanset për të fituar çmimin e parë ishin të pakta, pasi konkurrent kishim shoqata me një traditë të gjatë dhe emër të madh në LSE, siç janë "Economics Society", "Finance Society", "Business Society", "Conservative Society", "Labour Society", "German Society", "Italian Society", shoqata këto që kanë anëtarësi dhjetëra herë më të madhe në numër se ne, si dhe sponsorizohen nga bankat më prestigjioze të investimeve në të gjithë botën", sqaron Kovaçi. Sipas tij, kriteret që janë marrë parasysh për vlerësimin e shqiptarëve janë evenimentet cilësore që kanë organizuar "LSE Albanian Society".

Deri më tani në "London School of Economics" janë identifikuar 16 shqiptarë, por numri mund të jetë edhe më i lartë. Gjysma e tyre janë në LSE për studime universitare, ndërsa pjesa tjetër janë për studime pasuniversitare, kryesisht për të mbrojtur gradën "mjeshtër shkencash" në fushat e tyre përkatëse.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats