Saturday, 7 June 2008

Jorgen Çetaj, kampion Anglie për të dytin vit radhazi

Boks / Shqiptari gati për t‘u ndeshur për titullin e kampionit të Britanisë së Madhe

Nga Londra
Muhamed Veliu

Për të dytin vit radhazi, boksieri Jorgen Çetaj është shpallur kampion i Anglisë për moshat e reja në federatën amatore, "Amatory Boxing Association". 17-vjeçari shqiptar ka mundur me lehtësi në finalen e zhvilluar në Liverpul kundërshtarin Rajan Aston, që mban dy breza të kampionit të Anglisë në peshën super të mesme. Që në minutën e parë të raundit të parë, Çetaj ka lëshuar një të majtë të fuqishme, duke i treguar kundërshtarit nga Birmingemi se kishte hyrë në ring për ta mposhtur. Shqiptari ka fituar raundin e parë, duke grumbulluar 3 pikë, ndërsa Aston asnjë.

Sfida ka vazhduar me kampionin anglez, që ka provuar të vërë në vështirësi Çetajn, duke lëshuar një ganxhë të fuqishme me të majtën, por boksieri shqiptar nuk është dorëzuar dhe u kundërpërgjigj me një të majtë të rrufeshme. Edhe ky raund do të fitohej nga Jorgen Çetaj, me rezultatin 5 me 2. Në raundin tretë dhe të fundit, duke treguar pjekuri, Çetaj ka administruar minutën e parë dhe nuk është hedhur aspak në sulm.

Kjo ka bërë që rivali i tij të kërkonte me dëshpërim kontaktin fizik (edhe sepse ishte në disavantazh me pikë), por Aston iu kushtua më shumë sulmit sesa mbrojtjes. Pikërisht këtu përfiton talenti shqiptar i ringut, që shfrytëzon mirë hapësirat dhe e godet në fytyrë kundërshtarin: edhe nga ky raund, Çetaj mbledh 5 pikë të tjera.Përmes emocioneve se është shpallur kampion i Anglisë për të dytën herë, ku e mbylli duelin me një fitore të pastër prej 13 pikësh, 17-vjeçari dukej tejet i lumtur. "Për mua fitimi i këtij titulli për të dytin vit radhazi do të thotë shumë, si në aspektin kombëtar po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Mbi të gjitha më ndihmon që të njihem si boksier këtu në Angli, por edhe më gjerë", është shprehur Çetaj gjatë një interviste telefonike për "Shqip". Duke folur rreth duelit, ai tregon se hyri në ring me një dëmtim të vogël në dorën e djathtë, që e kishte pësuar gjatë stërvitjes. Megjithatë, gjithçka shkoi sipas planit. Çetaj nuk harron as vlerësimet për paraqitjen e kundërshtarit, të cilin e cilësoi si një boksier të mirë. "Rajan Aston është një boksier me kualitet. U gëzova pamasë që e munda dhe arrita për të dytën herë të fitoj titullin e kampionit për ABA. Ishte një duel që e fitova pa shumë vështirësi, mund të them në një mënyrë komode". Kjo fitore e rëndësishme i jep atij shanse për të qenë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike 2012.

Por, përpara se të mbërrij deri atje, Jorgen Çetaj ka një tjetër sfidë të rëndësishme në fund të këtij muaji, për të cilën thotë: "Federata Angleze e Boksit më ka dërguar një letër, ku më kërkon që të përfaqësoj Anglinë në kampionatin e boksit dhe të ndeshem me kundërshtarët nga Irlanda, Skocia dhe Uellsi për titullin e kampionit të Britanisë së Madhe. Ky kompeticion do të zhvillohet në Skoci. Unë jam në gjendje shumë të mirë fizike, pasi gjatë tërë kohës jam stërvitur për ndeshjen e fundit që pata. E kam shtuar stërvitjen për të shkuar atje dhe pse jo për të fituar. Këto tre javë në vazhdim do të jenë të vështira për mua, pasi do të më duhet të stërvitem shumë". Kjo ishte fitorja e 14 radhazi për Jurgenin në dy vjet.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats