Monday, 16 June 2008

Policia, "zbor" emigrantëve që vijnë nga Anglia

Shoqatat paralajmërojnë protestë përpara ambasadës shqiptare në Londër

Nga Londra
Muhamed Veliu

Emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë shprehur indinjatën e tyre se si ata po trajtohen nga policia shqiptare kur mbërrijnë në Aeroportin e Rinasit apo Portin e Durrësit.
Shqiptarët që kanë mundur të pajisen me pasaporta britanike, të cilët vijnë me pushime në vendlindje, po ndeshen me një mori pyetjesh që kanë të bëjnë me fitimin prej tyre të pasaportave, madje u kërkohet të rrëfejnë edhe se ku do të shkojnë. Shoqatat e emigrantëve në Londër, përballë një situate të tillë, pohojnë se janë duke parë mundësinë e protestës përpara ambasadës shqiptare në Londër, nëse abuzimet me emigrantët nuk do të ndalen nga shteti shqiptar. "Ankesat e emigrantëve tanë që shkojnë me pushime nga Anglia në Shqipëri sa vijnë e shtohen. Ata po trajtohen në mënyrë aspak të denjë kur u kontrollohen pasaportat. Madje ka pasur raste kur kontrollorët e pasaportave në pikat aeroportuale u kanë thënë emigrantëve duke u bërë presion se do t‘ia sekuestrojnë pasaportën me pretekstin se e kanë fituar me mashtrim", deklaroi, Lutfi Vata, drejtor i shoqatës "Ardhmëria" në Londër.
Sipas gazetarit të gazetës "Shqip" në Durrës, Vali Qyrfyqi, dy ditë më parë, në Portin e Durrësit, shqiptari me nënshtetësi britanike Astrit Shëngjergji u arrestua nga strukturat antikorrupsion të policisë së këtij qyteti. Motivi i arrestimit sipas policisë ka qenë hetimi i gjenialiteteve të pasaportës britanike.

Reagimi

Shoqatat e emigrantëve në Londër thonë se janë dakord që duhet të bëhet pa diskutim zbatimi i ligjit në pikat e kontrollit të kufirit të shtetit shqiptar, në arrestimin e personave që janë të kërkuar dhe mund të jenë pajisur me pasaporta britanike. Por sipas tyre, emigrantët e ndershëm nuk duhen të futen në një thes duke u bërë presion psikologjik, madje t‘u merren pasaportat. Në ato raste kur policia dyshon se ka të bëjë me individë që kërkohen prej drejtësisë, duhet të veprojë.
Ka qenë i menjëhershëm edhe reagimi i "Klubit Londinez të Lëvizjes Mjaft" ("London Mjaft Club"). Alban Bytyçi, aktivist i saj, shprehet se policia duhet të zbatojë padyshim ligjin në ato raste kur ja vlen për t‘u hetuar dhe jo të nisë një fushatë vënieje "gjobash" për shqiptarët e thjeshtë që shkojnë me pushime.
"Është e arsyeshme që policia shqiptare të hetojë rastet e falsifikimeve apo aktiviteteve që bien ndesh me ligjet shqiptare apo ato ndërkombëtare ku Shqipëria aderon. Ndërkohë besojmë që trysnia e tipit ‘fshesë‘ që ushtrohet mbi të gjithë mërgimtarët shqiptarë si të ishin në vendin fqinj në Jugun e Shqipërisë, është një praktikë që ne si ‘London Mjaft Club‘ në diasporë mendojmë që do të armiqësojë emigrantët me institucionet e vendit amë. Si rrjedhojë, kjo do të ndikojë negativisht në rolin ekonomik që diaspora luan me dërgesat e parave në vend. U bëjmë thirrje organeve përkatëse të rishikojnë dhe të ndërpresin praktikën e deritanishme që shumë mërgimtarë e kanë përshkruar si arrogancë institucionale ndaj tyre".

Një vit më parë

I njëjti problem me keqtrajtimin e emigrantëve shqiptarë që vijnë nga Anglia është vënë re edhe vitin e shkuar. Pas një interesimi nga "Top Media" për këtë problem, vetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, premtoi se strukturat e kontrollit të pasaportave në pikat kufitare do të sillen në mënyrë korrekte me shqiptarët që vijnë nga Anglia. Duket se vartësit e zotit Nishani e kanë harruar këtë pohim të shefit të tyre një vit më parë dhe me sa duket kanë nevojë që t‘u përsëritet se ata janë atje të kontrollojnë pasaportat dhe jo t‘i marrin në pyetje emigrantët njësoj sikur ata të kenë bërë ndonjë krim.

Protesta

"Shqip" ka mësuar se në ditët në vazhdim pritet zhvillimi i një takimi me pjesëmarrjen e të gjitha shoqatave shqiptare në Angli për të diskutuar rreth këtij problem. Organizatorët e takimit pohojnë se gjatë tij do të diskutohen hapat e mëtejshëm. Fillimisht nga ky takim do t‘i dërgohet një letër proteste Presidentit Bamir Topi dhe Kryeministrit Sali Berisha për t‘i dhënë fund të tilla bezdisjeve që po ndeshin emigrantët që vijnë nga Anglia. Gjatë takimit do të diskutohet edhe rreth një proteste të mundshme përpara ambasadës shqiptare në Londër, nëse autoritetet e larta shtetërore nuk do të marrim masat e duhura për t‘i thënë stop këtij presioni policor në pikat e kontrollit të pasaportave.



You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats