Wednesday, 4 June 2008

Princi Çarls, një skulpturë shqiptare në shtëpi

Princi Çarls, një skulpturë shqiptare në shtëpi

ANILA MEMA/PANORAMA

Në Sarandë punonte në parkun arkeologjik të Butrintit dhe kjo eksperiencë e ndihmoi të merrte edhe bursën, për të mësuar gurë gdhendje. Tani është një skulptor i njohur në tregun anglez. Deri para 2002, punonte në një nga fabrikat më të njohur aty, Dick Reid’s Workshop. E më pas eksperienca e bëri të hapë vetë një studio private. Sot punët e tij janë të shumta, të njohura dhe në koleksione të ndryshme private. Mes tyre edhe princi i Wellsit, Çarls, mban një punë të tijën. Eshtë një skulpturë të cilën e ka vendosur në faqen e jashtme të murit rrethues. Është Laokonti, prifti trojan i cili u mbyt nga gjarpërinjtë me dy djemtë e tij, të cilën Melka e ka gdhendur në gur. Për gazetën artisti shqiptar tregon se me Princin Çarls takimi i parë ka qenë në shtëpinë e tij në Highgrove. “Aty po bënim disa punime për shtëpinë. Ndërkohë më pas, me arkitektin e tij, ramë dakord me për Laokontin, që ta vendosnim në një nga muret e jashtëm të shtëpisë. Më pas Princi ose Çarli boy (si e quajmë ne) bëri edhe një përurim të një monumenti tjetër të vogël që bëra unë po në gur” shprehet më tej Andriani. Kur e pyet se si janë tashmë marrëdhëniet e tij me familjen mbretërore ai shton me modesti: nuk mund të thuash lidhje me Royalty, sepse ata janë shumë më lart nga çdo njeri tjetër këtu në Angli, po të paktën më mban mend emrin dhe ka pyetur gjithnjë bosin ku punoja më parë se ç’bëhet me mua”, shton artisti. Megjithatë, Princi Çarls nuk është i vetmi që ka veprat e skulptorit shqiptar.

Pas Princit Çarls edhe Lordi Rothschild

Edhe Lord Rothschild ka një vepër të shqiptarit. “Lord Rothschild ishte një nga sponsorët e “Butrint Foundation” kështu që kur mbarova kolegjin këtu ai bleu një nga punimet që bëra gjatë vitit “Betejën e Centaurëve”, thotë Melka. Ndërkohë, veprat e tij janë të shumta. Mjafton të kërkosh në internet dhe web site-t që hapen nga motorët e kërkimit janë të pafund. Melka ka realizuar kokën e Mbretëreshës dhe Dukës së Edinburgut për Chichester Cathedral. Një tjetër skulpturë e tij është edhe për Mikelanxhelon, por vetë skulptori thotë se veprat e tij më të shumta ndodhen në Amerikë. “Shumica e punëve të mia ka qenë për Amerikën ku pëlqehen më shumë punimet Neoklasike”, vazhdon të tregojë artisti. Ndërkohë kohët e fundit është duke u marrë më një skulpturë të radhës, me lartësi 1.8 metra. Është një kopje origjinale e Afërditës. Ndërsa vetë Melka thotë: Kohët e fundit i jam kthyer pak dhe temave të vjetra nga universiteti dhe po punoj me stil pak me abstrakt.

Udhëtimi për në Angli

Por si ka qenë largimi i tij drejt Anglisë. Për art dhe skulpturë Andrian Melka ka studiuar që nga mosha dhjetëvjeçare. Më pas është diplomuar në vitin 1994 në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Pas diplomimit ka shpenzuar rreth dy vjet në kopjimin e kokave të antikave dhe relieveve. Ndërsa në vitin 1997 udhëton drejt Anglisë, ku edhe filloi punën përkrah të mirënjohurit, Dick Reid, si një drejtues në studion e tij në York. Aty ai punoi midis disenjatorëve dhe arkitektëve të profileve të larta. “Unë erdha në Angli si student në 1997 pas trazirave në Shqipëri. Në atë kohë punoja në Butrint me Arkeologjikun e Sarandës dhe “Butrint Foundation” që ishte një skuadër Angleze. Nëpërmjet tyre mora bursën për të ardhur këtu për të mësuar gurë gdhendje. Pasi mbarova studimet pas dy vjetësh vendosa të rija këtu, pasi gjeta një punë të mirë në një nga punishtet më të njohura në Angli (Dick Reid’s Workshop). Pasi punova për gjashtë vjet dola më vete dhe tani kam punishten time”, thekson Andriani për gazetën “Panorama”. Në vitin 2002 ai hapi një studio të vetën në periferi të Yorkut. Puna e tij përfshinte skulptura natyrale dhe art të dhomës. Ndërsa sot ai është një emër i njohur mes skulptorëve britanikë. Skulptori shqiptar, është gjithashtu fitues i një “Certificate of Merit Awards” për veprën në St Andrew’s OldChurch, Bishopthorpe, York.

Mediat angleze

Gazetat e zonës së Yorkshir-ës Lindore në Angli, shkruajnë mirë për skulptorin shqiptar. Ata kanë vënë në dukje interesimin dhe dashamirësinë e Princit Çarls dhe Lordit Rothschild. Ai tashmë është duke i dhënë dorën e fundit veprës së tij që është vlerësuar shumë edhe nga dy dashamirësit e tij të nivelit të lartë. Kjo vepër që është një replikim i origjinalit përbën një art më vete. “Që nga koha kur 35-vjeçari Andrian Melka, lëvizi dhe u vendos në Angli, ai jeton në Stamford Bridge dhe studion e ka vendosur në Bugthorpe”, thuhet në shtypin vendas.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats