Sunday, 8 June 2008

Vrasësi Afrim Sinani, "luftë" me median

Përmes avokatëve kërkon mosraportimin nga gazetarët të procesit për ekstradimin në Londër

Nga Londra
Muhamed Veliu


Një vrasës shqiptar, i arratisur nga Burgu i Bënçës në 1997-ën, i ka kërkuar gjykatës mosraportimin e seancave të radhës në procesin e ekstradimit që po zhvillohet në Londër nga gazetarët.

Afrim Sinani, i dënuar me 22 vjet burg për vrasje përmes avokatëve mbrojtës, në seancën e djeshme të ekstradimit i ka kërkuar gjykatësit që në seancat e radhës media mos të raportojë, pasi do të dëshmojnë 8 dëshmitarë të ardhur nga Shqipëria. Sipas palës mbrojtëse, për njërin nga 8 dëshmitarët do të kërkohet anonimat i plotë, pasi mund t‘i rrezikohet jeta, madje edhe mund të persekutohet nga qeveria shqiptare për vetë pozicionin që mban në administratën shtetërore. Gjatë kësaj seance nuk u bënë publikë emrat e dëshmitarëve.

Avokatët e Sinanit i shprehën gjykatësit shqetësimin e tyre, pasi Ambasada Britanike në Tiranë u ka refuzuar atyre vizat, sepse ata rrezikojnë mos të kthehen nga Anglia pas dhënies dëshmi në gjykatë. Megjithatë, gjykatësi britanik është shprehur i vendosur që t‘u japë fund "zvarritjeve" 15-mujore nga pala mbrojtëse e Afrim Sinanit deri më tani. Ai ka ndërruar tre përfaqësues ligjorë. Shqiptari u arrestua nga Scotland Yard për llogari të Interpol Tiranës më 6 mars 2007, pas një fshehjeje të suksesshme 9-vjeçare në Londër, nën emrin Afrim Pulaj. Në këtë proces ekstradimi, Afrim Sinani ka dëshmuar në dy raste, ndërsa në një seancë tjetër ai është marrë në pyetje nga juristi britanik, i cili përfaqëson qeverinë shqiptare në këtë proces. Dëshmitë e Sinanit kanë qenë kontradiktore, kur ai është marrë në pyetje nga juristi i palës shqiptare.

Kërkesa e fundit nga Afrim Sinani, që mediat mos të raportojnë seancat e ardhshme gjyqësore, vijnë pas disa raportimeve në gazetën "Shqip" dhe në gazetën britanike "The People". Kjo lëvizje e fundit në bllokimin e ekstradimit, ndërmerret në mënyrë që të mos bëhet publik skenari i përgatitur me dëshmitarë të ardhur nga Shqipëria, të cilët kërkohen të dëshmojnë në mënyrë anonime, në favor të Sinanit, i cili, megjithëse është person në kërkim nga Interpoli, kishte mundur të fitonte nënshtetësinë britanike. Me po të njëjtin skenar, disa muaj më parë Frrok Koçeku, i dënuar për vrasje, mundi të bllokojë me sukses ekstradimin për në Shqipëri. Në favor të tij dëshmoi një dëshmitar i ardhur nga Tirana, të cilit nuk iu bë emri publik në gjykatë. Kjo kërkesë do të shqyrtohet në seancën e radhës më 9 korrik.

Gjykatësi britanik ka thënë se gjatë seancave gjyqësore 9-11 korrik, ai do t‘i japë fund shqyrtimit të këtij procesi. Sinani, 34 vjeç, banues në zonën Ilford në lindje të Londrës, në dëshminë e tij disa muaj më parë, i tha gjykatës se ai është amnistuar në 1997-ën nga Burgu i Bënçës, ku po vuante dënimin. Kjo dëshmi e rreme e raportuar nga "Shqip" dhe mediat britanike e kanë shqetësuar Sinanin, i cili kërkon që në seancat e radhës t‘i bëjë një "black out" raportimit të zhvillimeve nga procesi gjyqësor i ekstradimit. Sinani, baba i katër fëmijëve, kërkohet nga shteti shqiptar për t‘u rikthyer në vendin e vuajtjes së dënimit për vrasje. Ai është dënuar nga Gjykata e Rrethit Kukës në vitin 1995, si autor i vrasjes së Astrit Sinanit, pasi fisi i këtij të fundit i kishte zënë pritë Afrimit, nga ku mbeti i vrarë babai tij.

Të suksesshmit e ekstradimeve të bllokuara

Nëse Gjykata e Ekstradimeve, City of Westminster Magistrate, nuk do të lejojë ekstradimin e Afrim Sinanit nga Anglia, atëherë numri i shqiptarëve të arrestuar në Londër, të cilët jetojnë të lirë rrugëve të Anglisë, do të shkojë në gjashtë. Vitin e shkuar, Frrok Koçeku, dënuar me 16 vjet për vrasje, nuk u ekstradua, pasi gjykata besoi se ai me të vërtetë persekutohej nga qeveria. Pjetër Lekstakaj, i dënuar me dhjetë vjet për tentativë vrasjeje në një fshat të Lezhës, nuk u ekstradua, pasi ai vuan nga çrregullimet mendore dhe se në Spitalin e Burgut në Tiranë nuk kishte ekspertizë të nevojshme për ta kuruar.

Rastin më flagrant për të mos u ekstraduar nga Anglia do ta shënonte Hektor Mahmutaj nga Fieri, i dënuar me 25 vjet burg. Juristi britanik, John Hardy, përfaqësues i qeverisë shqiptare në proces, u tërhoq, pasi besonte se problemi i rigjykimit të personave të ekstraduar nuk zbatohej si duhet. Po për këtë problem, në janar 2007 Imer Hasani, i dënuar me 20 vjet për vrasje, nuk do të ekstradohej nga Anglia.

Tre vjet më parë, Fatmir Bleta në Gjykatën e Lartë, Royal Court of Justice, për çështje teknike fitoi procesin me shtetin shqiptar për mosekstradim për arsyen e vetme se shteti shqiptar nuk i kishte dërguar në shtëpi vendimin e gjyqit në mungesë dhe ta njoftonte se ai ishte person në kërkim. Rasti Bleta është kthyer në precedent, duke u përdorur masivisht nga juristët britanikë në proceset e ekstradimit ndaj shqiptarëve.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats