Sunday, 15 June 2008

Vrau në Londër bashkëqytetarin, prangoset 33-vjeçari

Gazeta Shekulli

Policia e Shkodrës ndaloi një 33-vjeçar, i cili akuzohet si autor i një vrasjeje të ndodhur në Angli në vitin 2000. Taulant Çefa, 33-vjeç, lindur e banues në lagjen “Kongresi i Përmetit”, në Shkodër është vënë në pranga me akuzën e vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim.

Ngjarja për të cilën akuzohet Taulant Çefa është e njohur në qytetin e Shkodrës dhe ka ndodhur më 25.10.2000 në një lagje të Londrës, në 8 Luke’s Path Ilford Essex, ku është vrarë me thikë Florjan Ndoja, po nga Shkodra. Trupi i tij është gjendur i masakruar në banesën ku jetonte, tre javë më vonë, më 18 nëntor.

Për këtë ngjarje, policia angleze ka akuzuar dy vëllezërit, Pjerin e Taulant Çefa, shokë të afërt të viktimës, si në Shkodër ashtu dhe në Angli. Mësohet se pas ngjarjes, ata të dy kanë lënë Londrën e janë kthyer në Shqipëri, ku edhe janë ndaluar nga policia. Pas ndalimit, në Shkodër, Pjerin Çefa ka marrë përsipër autorësinë e vrasjes së Florian Ndojës dhe ka qëndrur në burg deri në përfundim të gjykimit, ndërsa vëllai i tij Taulanti është lënë i lirë.

Më 25.08.2002, çështja në ngarkim të Pjerin Çefës është pezulluar, pasi gjykata e Shkodrës e ka nxjerrë atë të papërgjegjshëm në momentin e kryerjes së krimit të ndodhur në Angli dhe ai është dërguar në një spital psikiatrik.

Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me prokurorinë e këtij rrethi kanë vendosur rifillimin e hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Angli dhe për këtë analizat e AND-së, të dyshuarit tjetër si autor i kësaj ngjarjeje, Taulant Çefa janë dërguar në Angli për t’u bërë krahasimi shkencor me gjurmët e shumta të gjetura nga policët anglezë, në vendin e ngjarjes.

Burime nga policia bëjnë të ditur se më 7.5.2008 është kthyer përgjigje nga autoritetet policore angleze, sipas të cilave dyshohet se Taulant Çefa është bashkëpunëtor në krimin e kryer, së bashku me vëllanë e tij. Nisur nga kjo, gjykata e Shkodrës, ka vendosur masën e sigurisë, arrest me burg. Ndërkohë që policia ka bërë ndalimin e tij, brenda në banesë.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats