Sunday, 6 July 2008

Ali Recica tenton "Cage Fight", duelin e të luftuarit në kafaz

Nga Reading
Muhamed Veliu

Ali Recica është shqiptari që kërkon të bëjë emër në sportin e vështirë të "Cage Fight", të luftuarit në kafaz. Mbrëmjen e 3 korrikut ai është futur në kafaz, në duelin e parë të tij në këtë sport tejet agresiv. Recica, 24 vjeç, ka pasur përballë britanikun Irving Daniels, i cili kishte tre fitore dhe 1 humbje. Shqiptari Recica, djalosh me pamje muskuloze, ka hyrë në kafaz tejet konfident pas një stërvitjeje të gjatë. "Cage Fight", i cili ka pesë raunde nga pesë minuta, kërkon një përgatitje të lartë fizike, por mbi të gjitha taktike.

Në fillim të raundit të parë Recica kërkonte të bënte protagonistin, ndërsa Daniels, disa herë më i vogël në trup se shqiptari, gjuante rrallë duke studiuar strategjinë e Recicës. Një rënie në tapet nga Daniels si pasojë e moseksperiencës nuk është shfrytëzuar nga Recica për ta mbajtur në një pozicion ku ai mund ta grushtonte mbi kokë, duke çuar në mënyrë direkte shqiptarin drejt fitimit të duelit.

Daniels ka gjetur forcat për t‘u rikthyer në dyluftim me ashpërsi. Minutat e fundit të raundit të parë kanë qenë të qeta për të dy kundërshtarët. Te Recica janë dalluar shenja lodhjeje. Përsëri në fillim të raundit të dytë Recica është hedhur në sulm: një goditje e kundërshtarit i ka shkaktuar hemorragji gjaku të lehtë nga hunda. Por, Ali Recia nuk është ndalur, duke tentuar me çdo kusht të rrëzonte në tapet britanikun. Eksperienca, e ndërthurur me një teknikë të admirueshme, ka bërë që Daniels të krijojë një epërsi ndaj Recicës, që sa vinte e tregonte shenja lodhjeje. Disa goditje të menjëhershme në mesin e raundit të dytë kanë detyruar arbitrin t‘i japë fund dyluftimit, duke shpallur Irvine Daniels fitues. "Nuk e di ku gabova. Ende s‘e besoj që humba", deklaroi për "The Albanian" pas duelit Ali Recica.

Pavarësisht nga kjo humbje, ai pohoi se nuk është aspak i dekurajuar. Pas disa javëve pushim, Recicës i duhet t‘i përvishet punës për një stërvitje të gjatë për dyluftimin e radhës. Gjatë të gjithë duelit ai është mbështetur nga shqiptarë të shumtë që jetojnë në zonën e Riding, të cilët kishin ardhur për ta ndjekur.

Ndërkohë, Nehat Recica, babai Aliut, pohon se ai kurrë nuk ka dashur që i biri të merret me këtë sport. "Është dëshira e tij. Jam munduar disa herë ta ndaloj, por nuk më ka dëgjuar", thotë ai, pasi për herë të parë ka parë të birin duke dyluftuar. Në krah të Ali Recicës ishin edhe disa polakë, që gjatë ndeshjes e mbështesnin. Që në moshën 10-vjeçare ai ka jetuar në Poloni, kur i ati vendosi të largohet nga Kosova. Recica kurrë nuk e ka mohuar origjinën: kur hyri në kafaz për dyluftimin e organizuar nga "Freestyle Fighting Federation", ai është prezantuar si një sportist që do të ndeshej për të mbrojtur ngjyrat e Kosovës.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats