Saturday, 5 July 2008

Angli, pasaportat burgosin dy shqiptare të trafikuara

Të shfrytëzuarat për prostitucion kishin dokumente false

Nga Londra
Muhamed Veliu

Dy vajza shqiptare, të detyruara të punonin si prostituta, janë dënuar me nga 12 muaj burg secila, pasi ishin trafikuar në Angli ilegalisht përmes pasaportave të falsifikuara. A. Sh., 23 vjeçe, ka pranuar dy akuzat për posedim të një pasaporte të falsifikuar, të cilën ka tentuar ta përdorë dhe për hyrje në Angli përmes mashtrimit, duke fituar leje qëndrimi. Po të njëjtat akuza kanë rënduar për E. H., 23 vjeçe. Sipas prokurorisë, në akuzën e dytë ajo kishte konsumuar krimin e kërkesës së azilit si shtetase kosovare, pasi kishte hyrë në Angli me pasaportë të falsifikuar. Të dyja shqiptaret ishin trafikuar nga dy persona të ndryshëm për t‘u shfrytëzuar si prostituta. Ndërkohë, tani, pas një shfrytëzimi të gjatë, atyre do t‘u duhet të përballen edhe me burgun, pasi ishin pajisur nga tutorët e tyre me pasaporta false, në mënyrë që të mos kapeshin nga policia. "Hyrja në vendin tonë me pasaporta të falsifikuara është një krim i dënueshëm. Si pasojë e përdorimit të këtyre dokumenteve, ju keni qëndruar në këtë vend për disa vjet. Ndëshkimi i këtij krimi është burgu. Ju dënoj me nga 12 muaj burg secilën. Në fund të dënimit urdhëroj dëbimin tuaj në Shqipëri", ka thënë gjykatësi Dobkin, gjatë leximit të masës së dënimin në gjykatën e krimeve "Leeds Crown Court".

Arrestimi

Prokurori David Hurlstone i tha gjykatës se më 24 prill 2008 policia lokale ekzekutoi një mandat kontrolli në një shtëpi publike në zonën Beeston. Në momentin e kontrollit u gjetën tre vajza shqiptare. Njëra prej tyre ishte A. Sh., e cila paraqiti një pasaportë greke, por asnjë lloj tjetër dokumenti me emrin e saj. Pasi policia ka konkluduar se pasaporta ishte e falsifikuar, e ka arrestuar atë. Gjatë marrjes në pyetje në polici, shqiptarja ka treguar se ajo ishte trafikuar me anë të kësaj pasaporte nga Greqia dhe se kishte katër javë që ishte sjellë në atë shtëpi publike. Po në të njëjtën datë, policia e zonës Yorkshire ka ndërmarrë një tjetër kontroll në një shtëpi publike në zonën Wycliffe Crescent Leeds. E. H. ka hapur derën dhe është prezantuar si shtetase lituaneze. Ajo tha se kishte gjashtë vjet që kishte ardhur në Angli. Gjatë kontrollit, policia gjeti pasaportën, bashkë me një patentë lituaneze, po ashtu edhe një dosje me dokumente në një emër tjetër. Vajza e re ka pranuar se përdorte pasaportën lituaneze për të qëndruar në Angli, ndërkohë që kishte aplikuar për azil si shtetase kosovare.

Skllave seksi që 16 vjeçe

Në fytyrën e E. H. dalloje shqetësim, ankth dhe frikë teksa gjykatësi Dobkin lexonte masën e dënimit. Ky dënim ishte vuajtja e radhës për këtë vajzë, e cila u trafikua në Angli që kur ishte 16 vjeçe. Për 7 vjet me radhë, deri në momentin e arrestimit, ajo nuk njihte asgjë tjetër përveç plotësimit të dëshirave seksuale të meshkujve që paguanin për trupin e saj. Historia e vajzës së re është e njëjtë me ato të mijëra vajzave të trafikuara. Premtimi i jetës më të mirë nga i dashuri e me të mbërritur në Angli përballja me një realitet ku ajo do të hiqte të zitë e ullirit, prostitucioni. Për një moment ajo do të fitonte lirinë, pasi i dashuri, tashmë i kthyer në tutor, do të futej në burg për një tjetër krim. Ajo nuk do ta jetonte lirinë për shumë kohë. Shokë të ish-tutorit të burgosur do ta rikthenin atë në shtëpitë publike në Leeds. Sipas avokatit të saj mbrojtës, ajo nuk kishte guximin të shkonte në polici të raportonte kalvarin e vuajtjeve si prostitutë kundra dëshirës së saj, pasi kishte frikë se mos i ndodhte diçka në familje. Avokati ka sqaruar se shqiptarja ishte detyruar nga tutori i saj të kërkonte azil si shtetase kosovare, në mënyrë që të mos kishte problem me qëndrimin në Angli. Pas shtatë vitesh vuajte, ajo në përfundim të dënimit do të dëbohet për në Shqipëri, ku shpesh në të tilla raste, kur familja merr vesh se çfarë ka ndodhur me vajzën e tyre, u mbyll derën duke i braktisur.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats