Thursday, 17 July 2008

Burgosen shqiptarët që vodhën 1140 "Play Station"

Nga Londra
Muhamed Veliu


Dy shqiptarë, të cilët në mënyrë të përsosur ekzekutuan një plan që çoi në grabitjen e 1140 lojërave elektronike të tipit "Play Station", janë dënuar me nga katër vite e gjysmë burg secili.

Partizan Zekaj, 28 vjeç, së bashku me Nard Palokën, 29 vjeç, në mënyrë mjeshtërore mundën të realizonin këtë grabitje më 15 maj të vitit 2007. Vlera e mallit të vjedhur nga një magazinë në qytetin Northampton, në veri të Anglisë, ishte 750 mijë sterlina.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor, dy shqiptarët nuk i kanë pranuar akuzat. Por pamjet filmike të grabitjes, regjistruar nga kamerat e sigurisë, ishin prova e pakontestueshme që prokuroria kishte kundër tyre. Paloka, banues në zonën Walthamstou, në lindje të Londrës, ishte punësuar nga kompania "NYK Logistics", që merrej me shpërndarjen e lojërave elektronike. Ndërsa Zekaj kishte punuar më parë si punonjës magazine.

Të dy shqiptarët kanë kryer të gjitha procedurat, duke organizuar daljen nga magazina të 1140 "Play Station", të tipit PS3, prodhuar nga kompania "Sony". Një person i tretë i përfshirë në grabitje, ende i pa kapur, me një kamion katër tonësh, ka transportuar për llogari të shqiptarëve mallin e vjedhur, që nuk është gjetur kurrë nga policia.Sipas prokurorit, në këtë grabitje janë përfshirë edhe të tjerë persona, por shqiptarët janë në qendër të saj, pasi ata dinin kodet e sigurisë për hapjen e dyerve të magazinës.

Duke lexuar vendimin e dënimit, gjykatësi Charles Wide tha se dy shqiptarët luajtën rol të rëndësishëm në këtë vjedhje. "Ju të dy luajtët një rol aktiv dhe të rëndësishëm në një vjedhje të planifikuar në mënyrë profesionale, me kujdes, ku vlera e mallit arrin shumën e afro 1 milion paund. Kjo ishte një grabitje e brendshme. Ju shpërdoruat besimin. Zhdukja e mallit të vjedhur pa lënë asnjë gjurmë vërteton se sa i sofistikuar ishte plani i grabitjes", tha gjykatësi britanik.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats