Thursday, 17 July 2008

Londër, tjetër "shuplakë" për drejtësinë shqiptare

Avokatja nga Kukësi rrëfen procesin gjyqësor ndaj Afrim Sinanit, për të cilin kërkohet ekstradimi në Shqipëri

Nga Londra
Muhamed Veliu

Për herë të parë, në gjykatën londineze të ekstradimeve "City of Westminster Magistrate Court" ka dhënë dëshminë e saj një avokate shqiptare, ardhur posaçërisht nga Shqipëria. Drita Veliu, avokate nga qyteti i Kukësit, ka rrëfyer me detaje të gjithë procesin gjyqësor, zhvilluar në gjykatën e këtij qyteti, në tetor 1996, ku Afrim Sinani është dënuar për vrasje. Tani Sinani, pasi është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit në vitin 1997, po përballet me një tjetër proces gjyqësor, kësaj radhe në Londër. Ai kërkohet për t‘u ekstraduar në Shqipëri.

Pretendimet

Gjatë tri seancave gjyqësore, Sinani ka pretenduar se procesi gjyqësor i zhvilluar në Kukës nuk ka qenë aspak i drejtë dhe se ai ka pranuar autorësinë e vrasjes së Naim Sinanit pas dhunës fizike të ushtruar ndaj tij nga policia. Avokatët e tij në Londër kanë thirrur si dëshmitare avokaten Drita Veliu, e cila në vitin 1996 mori në mbrojtje Sinanin. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë, sipas këshillës së saj, u dënua me 18 vite burg. Avokatja Drita Veliu ishte ulur dje në sallën e gjyqit nr.3, në "City of Westminster Magistrate Court". Pasi është betuar se do të rrëfente të vërtetën, me ndihmën e një përkthyeseje, Veliu është pyetur nga avokati i Sinanit dhe përfaqësuesi i shtetit shqiptar. Që në fillim, ajo e ka cilësuar procesin gjyqësor të zhvilluar në Kukës si të padrejtë, të paragjykuar dhe se asaj nuk iu pranuan një sërë provash.

Dëshmia

"Ai proces gjyqësor u zhvillua duke ushtruar presion ndaj meje dhe Afrimit. Gjatë bisedave me gjykatësin dhe prokurorin jashtë gjyqit dukej qartë se ata donin ta mbyllnin këtë çështje me dënimin e Afrimit. Mund të them se trupi gjykues përbëhej nga tre gjyqtarë aspak të kualifikuar dhe larg standardeve profesionale", është shprehur avokatja Drita Veliu. Ajo shtoi se vendimi i gjykatës është firmosur vetëm nga një gjykatës dhe jo tre, siç e kërkon ligji në të tilla raste.
Në vijim të dëshmisë, ajo tha se nuk kishte asnjë mundësi për të sjellë në gjykatë një dëshmitare greke, e cila thoshte se në kohën kur ka ndodhur vrasja, Afrim Sinani jetonte në fshatin e saj si refugjat. Po ashtu, zonja Veliu i tha gjykatës se dëshmitarë të këtij procesi nuk u sollën të dëshmonin.
Avokatja Veliu është zënë ngushtë kur është pyetur nga përfaqësuesi i shtetit shqiptar, nëse ishte ajo që udhëzoi Afrim Sinanin të pranonte fajin për më pak vite burg. Juristja shqiptare nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes, duke detyruar gjykatësin t‘i drejtohej asaj me një ton të lartë dhe kërkuar përgjigje me "po" ose "jo".
Avokatja i tha gjykatës, se gjatë procesit gjyqësor në Kukës, vëllai viktimës i ka bërë presion. "Më ka kërcënuar se do të më vriste. Edhe fëmijëve të mi u kanë bërë presion në forma të ndryshme", është shprehur ajo. Dëshmia e saj ka ndihmuar avokatin mbrojtës të Sinanit për t‘i kërkuar gjykatësit evidentimin e shkeljes të të drejtave të njeriut gjatë gjyqit të zhvilluar në Shqipëri dhe refuzimin e kërkesës për ekstradim.
Gjykatësi do të lexojë vendimin më 24 korrik.



You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats