Saturday, 26 July 2008

Mungesa e profesionalizmit, "sëmundja" e turizmit tonë

Një student shqiptar mbron në Londër disertacionin për turizmin, por rrëfen problemet dhe çelësin si mund të zgjidhen ato.

Nga Londra
Muhamed Veliu

Shqipëria ndodhet në pikun e sezonit turistik. Ministria përkatëse që mbulon këtë sektor shpreson se në fund të sezonit turistik 2008, numri turistëve të jetë dy herë më shumë se një vitë më parë.

Privatët, ata që kanë në dorë çelësin e suksesit së mbarëvajtjes së turizmit më shumë se sa cilësia e ofruar për pushuesit, shikojnë të shlyejnë sa më shpejtë investimet e kryera. Është e njëjta histori që përsëritet nga viti në vit, ku fjala cilësi apo shërbim i klientit duken ende të largëta për ata që merren me këtë lloj biznesi. Por a është turizmi shqiptar i denjë për t‘u ofruar pushuesve vendas dhe atyre të huaj shërbim me standarde të barabarta, njësoj si fqinjët tanë?
Një student shqiptar në universitetin "Metropolitan University" në Londër, për tre vjet me radhë ka analizuar me detaje çdo aspekt të turizmit në Shqipëri. Dori Gjalpi, disa ditë më parë, ka dorëzuar temën e diplomës mbështetur në industrinë shqiptare të turizmit. Puna e tij studimore dhe kërkimore sjell përfundime interesante, duke u përqëndruar në analizën e fakteve nëse turizmi në Shqipëri është një zgjidhje momentale për të shëruar sëmundjen ekonomike-sociale apo një industri që duhet të ketë priroritet kombëtar?

Dëshira

Duke folur për gazetën "Shqip", Dori Gjalpi thotë se ky sezon turistik është një prove e rëndësishme për sektorin privat, në pritje të bumit turistik në Shqipëri. "Zhvillimet në sektorin turistik në Shqipëri përgjithësisht janë pozitive dhe vijnë duke u rritur. Këto duken qartazi në investemet si nga sektori privat, ashtu edhe nga ai publik. Investimet e miliona dollarëve të biznesit privat tregojnë qartë interesimin dhe investimet e shqiptarëve në këtë sektor prioritar dhe kaq shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, social e kulturor të vendit", thotë studenti i sapodiplomuar.
Duke parë këtë bum të turizmit shqiptar, Gjalpi pohon se kjo ishte një shtytje për të, e cila e çoi drejt studimit në degën "International Tourism Management", në universitetin "Metropolitan" të Londrës. Ai rrëfen se dega që zgjodhi për të studiuar ishte një zgjedhje e duhur aq më tepër për të. Studimet morën rëndësi të veçantë, pasi gjatë tri viteve të universitetit, lëndën e parë me shembuj ilustrues për detyrat apo debatet universitare Gjalpi kishte Shqipërinë.
Tashmë, ai është një njohës i mirë i sukseseve të turizmit shqiptar, përfshirë aspektet ku ai çalon dhe duhen përmirësuar. "Potenciali i mrekullueshëm dhe e ardhmja e turizmit shqiptar ishin frymëzimi im për të investuar sadopak në sektorin turistik. Ishte një investim krejt ndryshe. Jo në ndërtimin e ndonjë hoteli apo fshati turistik. Ishte një investim padyshim me shumë vlerë, të studiuarit në thellësi të turizmit tonë, i cili reflektohet te puna ime studimore e përmbledhur për temën e dipllomës", shprehet studenti shqiptar në Londër.

Studimi

Gjalpi flet me shumë pasion për këtë fushë, saqë të duket sikur ai nuk ka për ta ndalur kurrë në rrëfimin e tij të detajuar e të ilustruar me shembuj pafund rreth turizmit, që me të drejtë ai e cilëson "një industri, së cilës duhet t‘i jepet prioritet kombëtar". Por cilët janë disa nga pikat më të "nxehta" të studimit të tij? E marrim përgjigjen vetëm atëherë kur nga çanta nxjerr studimin voluminoz, të sistemuar me kujdes nën kapituj të veçantë për çështjet që trajton. "Lëndën përmbledhëse për temën e diplomës ia kushtova turizmit në Shqipëri dhe barrierat që pengojnë zhvillimin dhe stabilitetin ekonomik e social-kulturor të sektorit turistik atje. Nga studimi im për temën e disertacionit më rezulton se pengesa krysore që ky sektor ndeshet është çështja e profesionalizmit", thotë Gjalpi.
Sipas tij, janë një sërë hallkash që rezultojnë jo efektive dhe, si pasojë, sjellin shërbim me standarde të ulëta. Problemet nisin që tek gjërat më elementare, si shërbimimi ndaj klientit, për të vijuar më tej me menaxhimin e këtij sektori apo trajnimin e punësimin e njerëzve të kualifikuar në këtë fushë.
Në Shqipëri, thotë Gjalpi, duhet të marrë fund njëherë e përgjithonë fenomeni punësimit të familjarëve nëpër hotele apo vende ku zhvillohet turizëm, e ku pronari i ndërtesës bën rolin e menaxherit apo kuzhinierit, e shoqja recepsionisten apo kamerieren e kështu me radhë.
Vend të veçantë në studim i kushtohet çështjes nëse turizmi është një zgjidhje për të shëruar sëmundjen ekonomike sociale të momentit apo një industri me potencial të jashtëzakonshëm? Për t‘i dhënë përgjigje kësaj çështjeje, që në fillim të studimit Dori Gjalpi e analizon atë, duke sjellë krahasimet e nevojshme me fqinjët tanë, përfshirë një sërë shifrash, për të arritur në përfundimin sa vërtet po investohet në turizmin shqiptar.

Përmirësimi

Krahasimi i shifrave në studim sjell një panoramë aspak rozë për turizmin shqiptar, nga i cili kanë hedhur sytë këtë sezon të nxehtë vere jo vetëm pushuesit, por edhe vetë qeveria. Studimi i Dori Gjalpit nuk lë vë aspak vend për eufori kur vjen puna për të lavdëruar veten në turizëm. Përfundimi i studimit sjell një sërë rekomandimesh, ku më kryesori është aspekti i profesionalizmit në këtë sektor.
"Nga ana akademike, por edhe nga eksperienca personale, mendoj se profesonalizmi është akoma në faza amatore. Punësimi dhe trajnimi i stafit lënë shumë për të dëshiruar, si në rrafsh shërbimi dhe menaxhimi. Në shumë raste pronaret e këtyre bizneseve preferojnë të punësojnë familjarët apo të afërmit, sesa njerëz të kualifikuar në fushën e turizmit dhe biznesit. Ky është treguesi i qartë se si sektori privat ka mungesë largpamësie në mbarëvajtien dhe zhvillim e këtij sektori. Është immediate që në biznesin privat të kuptohet ndryshimi midis të qenit biznesmen dhe të bërit biznes", sugjeron studenti Gjalpi.
Por radiografia turizmit shqiptar nuk përfundon këtu për Gjalpin, i cili i jep rëndësi të veçantë ndërthurjes së investimeve të mëdha në objektet turistike (hotele, fshatra turistikë) me mikpritjen, kulturën, përfshirë edhe vendet arkeologjike që trashëgon Shqipëria.
"Me krenari mund të themi që bukuritë natyrore, plazhet e mrekullueshme, po ashtu dhe investimet e sektorit privat në hoteleri, krahasohen me fqinjët, tanë por kur bëhet fjalë për profesionalizëm shërbimet lënë për të dëshiruar", përfundon ai.

Shifrat Diçka mungon te turizmi...

"Turizmi ka kohë që ështe bërë prioritet për të gjithë, si sektori publik, edhe ai privat, ku shihet një angazhim i të gjithëve. Por më duket se diçka mungon, kur duam të vlerësohemi me meritë apo të krahasomi me fqinjët tanë, si Kroacia, Maqedonia apo Mali i Zi", thotë Dori Gjalpi. Për këtë, i vijnë në ndihmë statistikat. Bazuar në shifrat e "Ëorld Travel and Tourism Council", kontributi i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë është 14.7%. Ndërsa përqindja e të punësuarve në këtë sektor është 11.9% dhe ajo bie ndesh me të qenit prioritet i këtij sektori, që kontribon fuqishëm në GDP-në e vendit. Në Kroaci p.sh., turizmi kontribon 25.5% në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit dhe 28.7% në punësimin e njerëzve në këtë sektor. Po ashtu, edhe Mali i Zi përfiton në GDP 24.6% nga turizmi.

Optimizmi Pritet "boom"-i i sektorit

Ky sezon turistik, bazuar në shifrat e publikuara të ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pritet të ketë një "boom" në sektorin e turizmit në Shqipëri, por në të njëjtën kohë shërben edhe si provë për cilësinë dhe shërbimin që ofrohet nga biznesi shqiptar. "Më ka bërë pershtypje një shprehje e mikut tim anglez, Jack, i cili ka vizituar Shqipërinë disa herë. Kur u kthye në Londër disa miq anglezë e pyetën se si mund ta përshkruante Shqipërinë me dy fjalë. Ai tha: "Shqipëria është India e Evropës". Dori Gjalpi pohon se sikur të ndërthuren mikpritja që karakterizon shqiptarin dhe profesionalizmi do ishte një produkt shumë i fuqishëm në konkurencën e fortë turistike në rajon. Dhe në fund, thotë se është optimist për këtë sezon turistik.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats