Sunday, 27 July 2008

Një kafe shqiptarçe me Rudinën në Londër

Gazetarja dhe moderatorja e njohur në "Top Channel" takohet me emigrantët shqiptarë në kryeqytetin britanik

Nga Londra
Muhamed Veliu

Emigrantët shqiptarë në Londër, ndjekës të rregullt të programeve në "Top Channel", kanë pasur rastin të takohen nga afër me Rudina Xhungën, drejtuesen e emisionit "Shqip".

Përmes një takimi tejet informal, pa protokoll e fjalime, shqiptarët e Anglisë kanë falënderuar gazetaren Xhunga për punën e saj, duke sjellë në ekranet e tyre, përmes DigitAlb, gjithçka shqiptare gjatë këtyre viteve jetë të emisionit "Shqip". Për ta ishte një kënaqësi e veçantë të uleshin e të diskutonin për temat që "Shqip" ka trajtuar, guximin dhe mundin e Rudina Xhungës për të përcjellë me finesë e profesionalizëm emisione me karakter historik, politik e social nga të gjitha trevat shqiptare.

Të pranishmit, gjatë një bashkëbisedimi të gjatë, kanë pyetur gazetaren e "Top Channel" për udhëtimet e saja në Ukrainë, Çamëri dhe Kalabri, ku jetojnë shqiptarët, duke sjellë jetën e panjohur të këtyre komuniteteve, që me shumë kujdes kanë ruajtur ndër shekuj traditën dhe kulturën e vendit të origjinës nga ata vinin.

Xhunga ka rrëfyer anën e padukshme të punës që bëhet në redaksinë e "Shqip", për të sjellë tek audienca brenda dhe jashtë Shqipërisë, emisionet kushtuar Kosovës, debatet e forta politike në Shqipëri, përfshi tragjedinë e Gërdecit, ku në "Shqip" pamjet e fëmijëve skllevër në fabrikën e Delijorgjit dhe dëshmitë e drejtpërdrejta të tyre nga Vora, tronditën opinionin publik dhe u futën ethet politikanëve të Tiranës.

"Si e shikonte gazetarja shqiptare Kosovën pas pavarësisë, zhvillimet në Maqedoni, apo klimën politike në Tiranë?", "Çfarë janë të rejat që sjell kryeqyteti shqiptar?", ishin disa nga pyetjet drejtuar asaj gjatë bashkëbisedimit.

"Qëllimi i këtij takimi ishte që dashamirësit e emisionit ‘Shqip‘ në Londër të kishin rastin të bisedonin nga afër me drejtuesen e tij, zonjushën Rudina Xhunga. Ajo ka lënë gjurmë në gazetarinë shqiptare, si një gazetare ambicioze, e cila ka mundur të realizojë disa programe, që për një kohë të gjatë nuk do të mund të realizohen nga të tjerë kolegë të saj si në Shqipëri dhe Kosovë", thotë studiuesi i arkivave britanikë, Bejtullah Destani.

Sipas tij, shumë persona që kishin marrë vesh se Xhunga kishte ardhur në Londër për të marrë disa intervista për emisionet e saja të ardhshme, iu lutën ta takonin. Kështu ka lindur ideja e një takimi të përbashkët për të pirë një kafe me gazetaren, njëkohësisht shkrimtaren Rudina Xhunga.

Lutfi Vata, drejtor i shoqatës "Ardhmëria", thotë se "Top Channel" është shtëpia e madhe e gjithë shqiptarëve, për të gjitha moshat, ndërkohë ai e cilëson emisionin "Shqip" si qershia mbi tortë e të gjitha programeve që mbajnë firmën e prodhimit nga Top Media. "Është më shumë se kënaqësi të ulesh e të bashkëbisedosh me Rudinën, gazetarja që nëpërmjet emisioneve të saj ka sjellë te ne shqiptarët e diasporës emisione që na kanë emocionuar dhe zor se do të fshihen lehtë nga memoria jonë", tha zoti Vata.

Vetë gazetarja Xhunga pohon se ishte një takim me shumë njerëz të panjohur, që i dha mundësinë të mësojë jo pak për shqiptarët që kanë ditur ta ndërtojnë jetën jashtë Prishtinës, apo Tiranës, një jetë prej shqiptarësh në Londër.

"Është për t‘u admiruar se si diaspora shqiptare në Londër është fanatike e ruajtjes së gjuhës shqipe, janë shikues të ‘Top Channel‘ dhe mbi të gjitha janë kureshtarë të dinë për gjithçka ndodh në ‘Top Channel‘", tha Xhunga tejet e kënaqur që u takua me dashamirësit e emisionit të saj në Londër. Njëri nga të pranishmit e ka pyetur gazetaren se çfarë do të ndodhë me Top Median, tani që themeluesi i saj, presidenti i ndjerë Dritan Hoxha, nuk jeton më. "E prisja një pyetje të tillë. Përgjigjja ime është jo. Asgjë nuk do të ndryshojë. Përkundrazi, të gjithë jemi të motivuar për të vazhduar, madje për ta vazhduar mirë punën tonë", u përgjigj Xhunga. Rudina tha se ky takim bëri që ajo, edhe njëherë tjetër sikurse në vendet e tjera ku ka qenë më parë, të risjellë në vëmendje që "Top Channel" është një shtëpi e madhe e gjuhës, e filmave, e kurioziteteve, e fëmijëve të tyre, ku ata gjejnë veten në programet dedikuar atyre.

"Është një kënaqësi kur dëgjon kaq shumë njerëz të gatshëm për të folur për ‘Top Channel‘, për emisionin tim, rrugëtimet e mia kudo që ka shqiptarë. Me sa duket paskam bërë gjënë e duhur me vajtjet ku ka shqiptarë, sado larg ata kanë qenë. Besoj se do të vazhdoj ta bëj këtë, pasi ka qenë një mënyrë e mirë për të bashkuar njerëz dhe për t‘i bërë ata të mendojnë më shumë për identitetin e tyre. Kur unë kam realizuar këto emisione, ndoshta pa dashje nuk e kam kuptuar rëndësinë e tyre. Tani kur zhvilloj takime si ky në Londër, kuriozitetin e tyre për të ditur më shumë, e kuptoj që ka qenë një moment i rëndësishëm i identitetit të emisionit ‘Shqip‘ në ‘Top Channel‘", tregon Rudina, e cila më tej në rrëfimin e saj tregon se "Shqip", edhe në sezonin e ri televiziv do të nisë vrullshëm. Pa dashur të tregojë gjithçka që ajo po përgatit për emisionet e ardhshme, pohon se në axhendën e emisionit do të jenë shumë personalitete VIP, që janë pjesë e historisë së Shqipërisë.

"‘Shqip‘ nuk do të jetë observues dhe analizues i të gjitha betejave të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, në Mal të Zi, por edhe në të gjitha vendbanimet e hershme të shqiptarëve. Vura re se kjo i ngacmonte më shumë shqiptarët që takova këtu". E pyesim Rudina Xhungën nëse përpara ardhjes në Londër ajo e dinte që "Shqip" dhe emisionet e tjera në "Top Channel" ishin kaq të ndjekura nga shqiptarët e Anglisë, kur beteja për audiencë nga mediat e tjera audiovizive në Shqipëri sa vjen dhe ashpërsohet... "Të jem e sinqertë dua të them se më bie rasti të takoj shumë shqiptarë, të cilët ndjekin DigitAlb. Kjo më bën të mendoj se sa me fat jam unë që punoj në një televizion si ‘Top Channel‘ dhe që ka mundësi të përhapet nëpërmjet DigitAlb-it në të gjithë botën. E kam provuar këtë ndjesi. Por kur vjen në Londër, ti shikon që në këtë qytet të mrekullueshëm, ku ndihesh mirë, ndryshe, rrethuar nga njerëz të panjohur të ndodhë që në një restorant, rastësisht një njeri të thotë doja të të përshëndesja, se jam me origjinë nga Kosova dhe të ndjek në televizor.

Apo në një vend tjetër, kur ti i drejtohesh një kamerieri në anglisht për të të sjellë një kafe dhe ai të shikon në sy, qesh dhe thotë se edhe unë jam shqiptar, madje të flet për programin e tij më të dashur që ka parë në ‘Top Channel‘. Nuk e dija që kishte kaq shumë shqiptarë në Londër, mbi të gjitha të ishin kaq të lidhur me televizionin tonë. Dhe ky është barometri më i saktë do të thosha për punën që bëjmë dhe nivelin e audiencës që kemi jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Kjo më jep më shumë dëshirë për të realizuar emisione që këtyre njerëzve u pëlqejnë, duke më bërë krenare që jam pjesë e kësaj media", u shpreh Xhunga.

Duke përfunduar rrëfimin për atë kafe të gjatë që pati me shqiptarët e Londrës, Rudina Xhunga tregon se ndihet e detyruar që një emision të sajin së shpejti t‘ua kushtojë dhe atyre. "Dua të shtoj gjithashtu se qëndrimi im në Londër për dy muaj ka shërbyer për të parë e njohur nga afër median britanike. Një media me ritëm, me programe të ideuara aq bukur. Ritmin e medias angleze dhe shumë e shumë gjëra të tjera që unë po shikoj në Londër, do të përfshihen në emisionin ‘Shqip‘", tha gazetarja dhe moderatorja e njohur e "Top Channel".


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats