Tuesday, 22 July 2008

Shqiptarët me pasaportë britanike rekrutohen si korrierë kokaine

Shqiptarët me pasaportë britanike rekrutohen si korrierë kokaine

"Scotland Yard" jep alarmin. Po rritet numri i shqiptarëve të kapur me drogë në porte

Nga Londra
Muhamed Veliu

Emigrantët shqiptarë, që kanë fituar nënshtetësinë britanike, po rekrutohen si korrierë droge. Alarmin e japin zyrtarë të "Scotland Yard", që merren me luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike.

Në krahasim me disa vite më parë, gjatë këtij viti është rritur ndjeshëm numri i korrierëve të kapur me drogë në portin e Doverit dhe atë të Ramsgate.

Sipas burimeve policore dhe atyre doganore që kanë kapur sasi droge, korrierët shqiptarë janë transportues të kokainës nga Holanda apo Belgjika. Ata dërgohen nga bosët shqiptarë të drogës në Londër.

Rekrutimi i korrierëve bëhet brenda komunitetit shqiptar, tek ata të cilët kanë pasaporta britanike, duke u ofruar shpërblime që variojnë në mijëra paund për sasinë e drogës së transportuar. Droga e kapur në disa raste fshihet në vende të ndryshme të makinës. Megjithatë, edhe kjo metodë fshehjeje është zbuluar nga investiguesit e antidrogës në pikat portuale.

Një njohës i strukturës së pagesës, që u jepet korrierëve, pohon se për çdo kile drogë që ata mund të fusin nga Evropa në Angli, paguhen nga 7 deri në 8 mijë sterlina. Ndërsa për ata, të cilët kryejnë transportin brenda qyteteve të Anglisë, çmimet variojnë nga 2 deri në 3 mijë sterlina.

Vetëm këtë vit janë arrestuar katër shqiptarë si korrierë kokaine. Që të gjithë janë ndaluar pas kontrollove në pikën doganore të portit Ramsgate, në jug të Anglisë. Sefer Kamberaj do të ndalohej në fillim të muajit janar. Ai po transportonte nga Belgjika 2 kg kokainë. Që në seancën e parë gjyqësore, Kamberaj pranoi akuzat, duke mos rrezikuar 11 vite burg, por u dënua me 7 vjet. Po të njëjtin fat do të kishte edhe korrieri tjetër i drogës, Mir Qylafi. Në muajin shkurt, atij iu gjetën në makinë 2.2 kile kokainë. Qylafi po udhëtonte nga Holanda.

Shqiptari 29-vjeçar kishte fituar nënshtetësinë britanike në vitin 2006. Edhe Qylafi nuk ka pasur rrugëdalje tjetër, përveç pranimit të akuzës për import të lëndëve narkotike. Ftohtësinë e prangave të policisë në portin e Doverit do ta provonin edhe Alfoso Boka me Mete Gashin. Boka udhëtonte nëpër vende të ndryshme të Evropës, me një dokument udhëtimi të lëshuar nga Ministria e Brendshme britanike "Home Office", ndërsa Gashi kishte fituar nënshtetësinë britanike.

Mete Gashi deklaroi në polici se 5.3 kg kokainë ishte e tij dhe se Boka nuk kishte dijeni.

Gjatë një senace gjyqësore Alfonso Boka nuk i ka pranuar akuzat e transportit të kokainës nga Belgjika duke thënë se ishte pasagjer në makinën e Gashit. Procesi gjyqësor në ngarkim të Bokës ende nuk është mbyllur. Ai ka qënë i dënuar edhe mëparë për vendosje reklamash për prostituta nëpër telefona.

“SOCA” Tashmë shqiptarët pas prostitucionit shitës droge

“Grupet kriminale shqiptare që veprojnë në Britaninë e Madhe pasi e kanë stabilizuar veten e tyre si lojtarë kryesorë në kontrollin e trafikut të vajzave për ti shfrytëzuar ato në prostitucion, tani po tentojnë të marrin në dorë tregëtinë e Heroinës dhe Kokainës” do të deklaronte për Shqip disa kohë më parë drejtori mardhënjeve me jashtë në SOCA “Serious Organised Crime Agency” zoti Rob Wainwrigh.

Sipas zotit Wainwrigh strukturat kriminale shqiptare janë tashmë evidente në Britani njësoj sikurse edhe në vënde te tjera europiane, duke përbërë një shqetësim serioz sidomos në trafikun e lëndëve narkotike nga Europa në Britaninë e Madhe.

“Vërejmë se grupet kriminale shqiptare që janë të dhunshme dhe nuk kanë frikë me përballjen me rivalë po tentojnë të hynë në tregëtinë e heroinës dhe kokainës. Ata tashmë janë të stabilizuar mirë në prostitucion dhe po e përdorin atë si një avantazh për të hyrë në tregun e drogës” do të pohonte ai.





You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats