Saturday, 30 August 2008

Atentati ndaj Gordon Braun, ndalohet shqiptari nga Kosova

Mediat britanike: Në komplot janë përfshirë 4 persona

Nga Londra
Muhamed Veliu

Në planin konspirativ për të vrarë Kryeministrin britanik, Gordon Braun, raportohet të ketë qenë i përfshirë edhe një shqiptar nga Kosova.

Mediat britanike kanë raportuar gjatë ditës së djeshme lajmin e ndalimit të një personi 29-vjeçar, që besohet të jetë nga Kosova.
Në dy artikuj të njëpasnjëshëm gazeta "Evening Telegraph", duke iu referuar burimeve që po hetojnë këtë komplot, shkruan se personi i katërt i dyshuar, si pjesëmarrës në këtë konspiracion, është shqiptar. Sipas kësaj gazete, 29-vjeçari është ndaluar në shtëpinë e tij, në rrugën "Moore Street", Normanton, si i dyshuar në përfshirjen e akteve terroriste, vepër penale e parashikuar nga Akti i Terrorizmit 2000. Hetuesit kanë në dispozicion 28 ditë për ta marrë atë në pyetje dhe për të ngritur akuzat përkatëse, ose ta lënë të lirë. Një zëdhënës i "Greater Manchester Police", i konfirmoi gazetës "Shqip" ndalimin e një personi, por nuk ka pranuar të komentojë për nacionalitetin e tij.

"Ne nuk mund të komentojmë nacionalitetin e një personi të ndaluar, i cili po merret në pyetje për aq kohë sa ndaj tij nuk është ngritur ende ndonjë akuzë konkrete", ka thënë ai. Mësohet se policia ka kontrolluar banesën e personit të ndaluar dhe ka sekuestruar dy makina të parkuara përpara shtëpisë së tij, ku banonte ai. Arrestimi personit, që thuhet të jetë me origjinë nga Kosova, është kryer nga policia e zonës së Lancashire, në bashkëpunim me skuadrën e antiterrorizmit në policinë e Greater Mançester. Burimet policore kanë pohuar për median angleze se arrestimet kanë të bëjnë me një konspiracion për vrasjen e kryeministrit Gordon Braun dhe paraardhësit të tij Tony Blair.

Gazetarët e "Evening Telegraph", gazetë lokale e zonës ku jetonte kosovari, kanë nisur kërkime të "ethshme" për t‘i zbuluar emrin dhe të mësojnë më shumë për të. Fareed Hussain, anëtar i një forumi mysliman i zonës Derbi, ka pohuar se ai nuk ia dinte emrin e kosovarit të ndaluar. "Ne nuk kemi informacion rreth tij. E vetmja gjë që ne dimë është se ai është kosovar", ka pohuar ai.

Tre britanikë, me origjinë myslimane, kanë dalë dje përpara gjykatave londineze si të akuzuar për kërcim dhe eliminim të kryeministrit Gordon Braun dhe ish-kryeministrit Tony Blair. Krahas kësaj akuze, të katërt akuzohen si pjesëtarë të Al-Kaedës, për degën e Britanisë së Madhe, duke inkurajuar persona të tjerë për t‘iu bashkuar kësaj organizate.



You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

About Me

Veliupress


View My Stats