Monday, 11 August 2008

Përkthyesja shqiptare, mashtrim mijëra paundësh shërbimeve sociale

Vojsava Stena, e punësuar në një bashki angleze, përfitoi 120000 sterlina si e papunë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një emigrante shqiptare, e cila ishte punësuar si përkthyese në një bashki në veri të Anglisë, do të dëbohet për në Shqipëri, pasi përfitoi përmes mashtrimit 120 mijë paund.
Gjatë procesit gjyqësor u mësua se Vojsava Stena, 27 vjeçe, së bashku me bashkëshortin Altin Fusha, 32 vjeç, kishin transferuar me mijëra paund në disa llogari bankare jashtë Anglisë.
Çifti shqiptar kryente një jetë luksoze, duke përfituar ndihma sociale nga shteti anglez, pavarësisht se kërkesa e tyre për azil ishte refuzuar në vitin 2001, ndërkohë që zonja Stena punonte si përkthyese dhe nuk paguante asnjë lloj takse. Prokurori i çështjes, gjatë gjyqit tha se Vojsava Stena kishte fituar 30 mijë sterlina gjatë pesë viteve të fundit si e punësuar në bashkinë "Northamptonshire", duke mos paguar asnjë lloj takse.

Në mënyrë të padrejtë ajo kishte përfituar 20 mijë sterlina nga ndihmat sociale, tha prokurori. Të dy ata do të dënoheshin me nga nëntë muaj burg pasi pranuan akuzat për përfitime financiare përmes mashtrimit dhe pastrim parash. Ndërsa gjykatësi tha se, meqenëse ata i kishin pranuar akuzat, ky dënim do të konvertohet, me kthimin e tyre në Shqipëri. Gjykatësi Robert Broën, duke lexuar masën e dënimit, i tha çiftit Stena-Fusha se ata ishin përfshirë në një krim serioz, që meritonte dënim me burg. "Marrja e ndihmave sociale të pamerituara është një krim tejet serioz.

Të dy ju keni punuar ilegalisht së bashku, ndërkohë që nuk kishit të drejtë të punonit në këtë vend. Do t‘i rekomandoj ministrit të Brendshëm që të dy ju të dëboheni nga Anglia", tha ai. Altin Fusha dhe Vojsava Stena mbërritën në Angli në vitin 1999, duke u vendosur në qytetin Northampton, ku jeton një komunitet i madh shqiptarësh. Pavarësisht se pas refuzimit të azilit tyre nuk u lejohej marrja e ndihmave sociale, ata vazhduan marrjen tyre duke mashtruar autoritetet, duke pretenduar se ishin të papunë.

Nga hetimet për këtë mashtrim rezultoi se ata i transferonin paratë e fituara përmes mashtrimit në një llogari bankare në Shqipëri dhe një tjetër në Irlandë. Kur aktiviteti i tyre kriminal u zbulua nga policia në mars 2007, çiftit shqiptar iu ngri llogaria bankare. Sipas hetimit rezultoi se në Irlandë, në llogarinë që kishin hapur në një bankë, u gjetën 30 mijë sterlina.

Anglia, hetim të gjithë mashtruesve

Qeveria britanike, përmes organizmit të kontrollit "Liberta" ka filluar hetimin e disa familjeve shqiptare në Angli, të cilat merrnin ndihma sociale në para dhe punojnë ilegalisht. Gazeta "Shqip" ka mësuar se si përmes kontrollit "Liberta" i zbuloi në bankë 60 mijë sterlina, ndërkohë që për çdo muaj, ai bashkëshortja dhe fëmijët merrnin 1800 paund ndihma sociale, përfshirë këtu edhe të paguarit e qirasë e banesës. Kryefamiljari i kësaj familjeje, emri i të cilit nuk bëhet publik për arsye hetimi, gjatë një ore intervistë me oficerët e "Liberta"-s nuk ka dhënë asnjë përgjigje se si i kishte fituar 60 mijë sterlinat e depozituara në bankë.

Ai supozohej të paraqitej në një intervistë të dytë me avokatin e tij, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. Tani çështja i ka kaluar për hetim policisë. Megjithëse që të gjitha familjet shqiptare përfituan leje qëndrimi të përhershme në Angli nga amnistia e vitit 2003, shumica e tyre vazhdojnë të "zhvatin" sistemin e shërbimeve sociale.

Autoritetet britanike shpresonin se me legalizimin e tyre dhe më pas fitimin e nënshtetësisë britanike, familjet e emigrantëve shqiptarë do t‘i përvisheshin punës, por në fakt, nuk ndodhi kështu.
Shumica e pjesëtarëve të këtyre familjeve punojnë ilegalisht dhe në krahun tjetër vazhdojnë të marrin me mijëra paund ndihma sociale në vit.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

About Me

Veliupress


View My Stats