Wednesday, 20 August 2008

Rrjeti i kokaines, denohen pese shqiptare ne Angli

Shpërndanin lëndën narkotike në klubet e natës

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pesë shqiptarë të përfshirë në shitjen e kokainës nëpër lokalet e natës në Angli janë dënuar me 17 vite e tre muaj burg në total.
Ata kishin ndërtuar një rrjet me klientë, duke ja shitur pluhurin e bardhë për 60 sterlina një gram. Momentin e arrestimit në shtëpinë e Enkel Bushatit u gjet një sasi prej 500 gramë drogë, me vlerë 30 mijë sterlina. Nga analizat rezultoi se droga ishte e pastër, e tipit kokainë. Bushati bashkëpunonte në shpërndarjen e drogës në qytetin Northampton në veri të Anglisë me Edmir Myselinin. Në shtëpinë e këtij të fundit u gjet drogë me vlerë 1500 sterlina, një pasaportë e falsifikuar dhe një peshore elektronike. Të dy shqiptarët i kanë pranuar akuzat në gjykatë për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike të klasit A.

Enkel Bushati është dënuar me katër vite burg. Ndërsa Edmir Myselini është dënuar me 15 muaj burg. Në fund të vuajtjes së dënimit, ata do të dëbohen nga Anglia. Po në këtë qytet, nga një tjetër operacion policor do të arrestohej një tjetër shqiptar. Në shtëpinë e Arian Lamajt, 23 vjeç, policia e kapi atë duke përgatitur 1,8 kg kokainë për shitje. Droga e kapur ishte 100% e pastër me vlerë 160 mijë paund. Momentin e arrestimit, Lamajt iu gjetën në xhep vetëm 210 sterlina. Nga hetimi rezultoi se ai mund të ketë fituar 202573 sterlina, të cilat nuk janë gjetur kurrë. Policia beson se paratë janë transferuar në Shqipëri.

Lamaj së bashku me pesë persona të tjerë që të gjithë anglez, që prej katër muajsh përpara ditës së arrestimit,ishin nën survejimin policor. Ai do të dënohej me gjashtë vite burg. Nuk i ka shpëtuar survejimit policor në Londër edhe Arian Muçaj. Edhe ky një tjetër shpërndarës droge në kryeqytetin britanik. Mbrëmjen e 21 tetorit 2007, kur u ndalua nga policia, atij ju gjetën në xhep 50 porcione 1 gramëshe droge të tipit kokainë. Policia kishte kohë që survejonte lëvizjet e Muçajt.

Ai është dënuar me tre vite burg nga gjykata e krimeve Southwark Crown Court në Londër. Admir Dega nuk do t‘i shpëtonte arrestimit pas një kohe të gjatë si shpërndarës droge. I riu 23-vjeçar do të arrestohej në qendër të Londrës, disa momente pasi i ka shitur një përdoruesi 1 gram kokainë. Policia, pasi e ka ndaluar dhe kontrolluar, i ka kapur shqiptarit 44 gramë drogë të paketuara në copa një gramëshe gati për t‘ shitur. Tani, Degës do t‘ duhet të vuaj në burgjet angleze 3 vite burg.

Oxford-Superoperacioni policor prangosi 12 shqiptarë

Pas tre vjet survejimi,antidroga angleze mundi të shkatërrojë një organizatë kriminale shqiptare që shiste kokainë në qytetin e Oxfordit dhe Anglinë veriore. Gjatë operacionit policor, ku morën pjesë 200 policë, u ekzekutuan 23 kontrolle shtëpish, në dy prej të cilave shqiptarët kishin ndërtuar laboratorë për përzierjen e saj. Ftohtësinë e prangave angleze e kanë provuar 12 shqiptarë dhe dy britanikë.

Prokuroria ka dërguar në gjykatën "Oxford Crown Court" tetë shqiptarë dhe dy britanikë, me akuzat për konspiracionin në shitjen e narkotikëve të klasit A. Katër shqiptarët e tjerë po hetohen në gjendje të lire. Të arrestuarit janë Elton Celbeqiri 28 vjeç, Oltjon Nezha, 34 vjeç, Leon Cohadari, 30 vjeç, Gentian Harizaj, 26 vjeç, Elmond Koshaj, 34 vjeç, Ulijan Nelku, 29 vjeç, Klodian Kono, 37 vjeç, Albert Kovaçi, 35 vjeç, si dhe dy britanikëve Rickson Gill, 24 vjeç, Stephen Munro, 29 vjeç.

Sipas "Thames Valley Police", që organizoi operacionin e shkatërrimit të këtij grupi kriminal, mësohet se gjatë kontrollit është sekuestruar një sasi e konsiderueshme kokaine dhe disa mijëra paund në adresat e kontrolluara.

Në seancën e parë gjyqësore të caktimit të masës së arrestit në gjykatën e krimeve në Oksford, ata kanë mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria për konspiracion në tregtimin e drogës së kategorisë A, ndërsa gjykatësi vendosi që ata të qëndrojnë në burg deri në seancën e radhës. Procesi gjyqësor në ngarkim të tyre do të zhvillohet më 5 janar 2009.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

About Me

Veliupress


View My Stats