Tuesday, 7 October 2008

Fazllic: Krenar qe Berishen e kam mik

Fazlliç: Krenar që Berishën e kam mik

Nga Londra
Muhamed Veliu

Damir Fazlliç, biznesmeni i shumëpërfolur boshnjak, thyen heshtjen. Në të parën intervistë në dhjetë vitet e fundit, mohon gjithçka që është shkruar për të deri më tani. E cilëson median në Ballkan si të tërbuar, madje shumë të tërbuar kohët e fundit, saqë çdo gazetar që i kërkon intervistë e refuzon menjëherë.Pas një pritje për më shumë se gjashtë orë përpara shtëpisë ku banon në veri të Londrës në një lagje të pasurish, shfaqet Fazlliç me një telefon në dorë duke folur në serbisht. Më i dobët në paraqitje se ç'duket në fotot që qarkullojnë në media, i veshur thjesht si për një ditë me shi, Fazlliç duket i qetë.Fillimisht refuzon të flasë, duke drejtuar gishtin nga një botues i një të përditshmeje në Tiranë si strumbullari i të gjithë kësaj "bad press" publiciteti të keq në adresë të tij.Pasi biem dakord që intervista do të jetë vetëm për atë pjesë që ka të bëjë me arrestimin në Bosnjë, biznesmeni më i përfolur për momentin në Ballkan pranon të flasë.Improvizojmë një intervistë të shpejtë në hollin e apartamentit luksoz ku banonte.

Përmes kësaj interviste ekskluzive për "Top-Channel", ai rrëfen nga Londra për ndalimin e bujshëm të së premtes, bizneset në Shqipëri, madje nuk kursehet të komentojë lidhjet e tij miqësore me Kryeministrin Sali Berisha.Përpara intervistës, Fazlliç që flet me një aksent amerikan, fillimisht pranon të intervistohet vetëm me një kusht, që të flasë për atë pjesë të zhurmshme që ka të bëjë me ndalimin në Bosnjë.Por më pas me një qetësi absolute nuk refuzon t'i përgjigjet një mori pyetjesh të tjera, duke hedhur një dritë të zbehtë rreth aktiviteteve në Tiranë. Megjithatë, Fazlliç mbetet njeriu që mbart shumë mistere më të mëdha se 33 vite të moshës që mban mbi supe.Që në fillim kur e pyesim nëse ai është arrestuar të premten e shkuar në Bosnjë dhe më pas është lënë i lirë, Fazlliç jep një përgjigje të prerë:"Jo, jo, kurrë nuk jam arrestuar gjatë jetës time në asnjë vend. Ne jemi në Londër dhe unë nuk jam në qeli në Bosnjë. Di që shumë gazeta shqiptare e kanë raportuar një lajm të tillë. Pse e kanë bërë? Këtë nuk e di përse".

Në fakt ai e ka të qartë se nga buron ky agresivitet i medias në të tilla rate, si në vendin e origjinës apo edhe së fundmi në Shqipëri. Megjithatë ngulmoj në faktin se ai në mos arrestuar të jetë ndaluar nga policia boshnjake. Më duhet ta ripyes duke ndërtuar një fjali ndryshe.Disa pamje të transmetuara në televizionet e Bosnjës, ju tregojnë ju të rrethuar nga policë. Si e shpjegoni një gjë të tillë?"Unë nuk i kam parë këto filmime", përgjigjet në mënyrë të prerë duke mohuar kështu një ngjarje të tillë, përcjellë me bujë nga shumë televizione apo agjenci lajmesh në Ballkan.Ardhja në Londër menjëherë pas ndalimit në Bosnjë ngre një sërë pikëpyetjesh. Përse zgjodhi këtë vend dhe nuk shkoi në Uashington, ku shpenzon të shumtën e kohës?Kjo ardhje mund të shërbejë si një tjetër argument për hamendësitë apo ata që besojnë idetë konspirative, se Fazlliç është i rekrutuar nga shërbimet sekrete britanike, siç edhe është aluduar në mediat boshnjake.

Megjithëse ka pak ditë në Londër dhe nuk ka dyshim se e mban mend datën kur ka ardhur në Angli, Fazlliç jep këtë përgjigje."Tre apo katër ditë", pohon ai duke ndaluar dhe hedhur shikimin nga kamera që bo filmonte bisedën.Duke parë që ai me çdo kusht kërkon të më bindë se nuk është arrestuar e pyes përsëri.Pra, në mënyrë kategorike ju mohoni të jeni arrestuar?"Siç ju thashë, asnjëherë në jetën time", deklaron ai ftohtë, duke dhënë së treguari se çdo lloj pyetje që do të pasonte kishte për të marrë të njëjtën përgjigje.Një prej pikave më të debatueshme të aktivitetit në Shqipëri të Damir Fazlliç janë ndërtimi i disa kompanive fantazmë, të cilat nuk kanë pasur asete, por siç vërtetohet nga një akt shitje rezulton të jetë shitur 1 milion e 700 mijë euro.Por sa është numri i kompanive të regjistruara në Shqipëri që kanë pronësinë e Fazlliç?Një përgjigje nga vetë ai do të ndihmonte shumë për të pasur një panoramë reale të investimeve që ka në Tiranë."Nuk e mbaj mend se sa kompani kam. Ajo që mund të pohoj është se unë jam një investues në Shqipëri. Besoj se Shqipëria ka shumë potenciale të frytshme për të investuar. Ju keni një qeveri largpamëse. Por unë jam një investitor aktiv në Tiranë", deklaron Fazlliç.Nga deputetë të opozitës apo në media shpeshherë kohët e fundit është lakuar emri i Mihal Delijorgjit si një njeri që ka patur lidhje me karizmatikun Fazlliç, njohur ndryshe si super-sekseri i Ballkanit.

Sipas tij, emri i Delijorgjit është i panjohur për të."Është hera e parë që e dëgjoj një emër të tillë", thotë Fazlliç kur e pyes nëse e kishte njohur apo bashkëpunuar me Delijorgjin përpara arrestimit të këtij të fundit.Siç është raportuar në mediat shqiptare masivisht ditët e fundit, Erion Isufi është një tjetër personazh i lidhur ngushtë me bizneset e Damir Fazlliç në Tiranë. Nga dokumentet zyrtare figuron se Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, të jetë administrator i të paktën tre bizneseve.

Besohet se Fazlliç e ka larguar atë nga puna. Por ky i fundit jep një tjetër variant të kësaj ngjarjeje."Unë nuk e kam hequr zotin Isufi nga puna. Ai ka shkuar të merret me bizneset e tij private. E shikoj atë një djalë të ri me potenciale".Zoti Isufi ishte menaxher apo partner në bizneset tuaja?Damir Fazlliç thotë: "Ai ka menaxhuar vetëm një prej bizneseve të mia".Fazlliç shquhet për lidhjet e tij me politikanë në të gjithë Ballkanin, gjë e cila padyshim është çelësi i suksesit në bizneset apo ndërmjetësimet mjeshtërore që mbajnë firmën e tij. Shqipëria nuk bën përjashtim. Shpeshherë përpara dhe pas ardhjes së demokratëve në pushtet, Fazlliç është ulur në një tavolinë me Kryeministrin Berisha, sikurse mund ta kenë bërë edhe biznesmenë të tjerë ndërkombëtarë. Njohës të mirë të marrëdhënieve Berisha -Fazlliç pohojnë se mes tyre kjo miqësi mbetet në nivele të larta, siç edhe vetë Fazlliç e pohon me gojën e tij."Jam krenar të konsideroj zotin Berisha si një nga miqtë e mi", deklaron ai kur i drejtoj pyetjen si shkon miqësia me kryeministrin e vendit.

E pyes Damir Fazlliç se a do të thotë të pasurit miqësi me zotin Berisha avantazhe në bizneset e tij në Shqipëri?"Nuk më duhet të jem mik me zotin Berisha për të pasur avantazhe në biznes. Unë mendoj se ligjet në Shqipëri të hartuara nga qeveria janë të mjaftueshme për cilindo investitor të huaj, për të zhvilluar një biznes pa qenë mik me kryeministrin apo ministra të tjerë".Përgjigjet e Damirit kur e pyet për Kryeministrin Berisha janë më të gjata se të gjitha pyetjet e mëparshme të marra së bashku.Por kur janë takuar për herë fundit dy miqtë Berisha-Fazlliç?"Si investitor një vit apo nëntë muaj më parë, kur ne prezantuam tek qeveria një projekt tonin", përgjigjet ai.

Nuk do të kishte kuptim nëse kjo intervistë me Fazlliç do të përfundonte pa e pyetur rreth shitjes së njërës prej pesë kompanive që ka në Shqipëri e quajtur "CROWN ACQUISITIONS" një kompanie në Qipro. Pavarësisht se ekziston një akt shitje me vlerë 1 milion e 700 mijë euro, Fazlliç e mohon një shitje të tillë.Përgjigjet me tri fjalë."Nuk është e vërtetë" dhe vetëm kaq. Si është e mundur që thoni s'është e vërtetë, kur ka dokumente të firmosura nga avokatja Flutura Kola, të cilat tregojnë se e keni shitur këtë kompani?"Unë ju tregova në fillim. Nuk kam ndërmend t'ju tregoj detaje, pasi pastaj do të më duhen gjashtë orë të bisedoj rreth gënjeshtrave që janë shkruar. E vetmja gjë e vërtetë e shkruar është emri im, të tjerat janë gënjeshtra".Damir Fazlliç nuk pranon t'i përgjigjet pyetjeve të tjera, por premton se një kohë të përshtatshme do të jetë i gatshëm të flasë përsëri.

"Do të rishikohemi së shpejti. Ju premtoj t'ju jap një intervistë të gjatë, me një kusht që fjalët e mia mos të ndryshojnë", premton Fazlliç, i cili lë të kuptojë se beson më shumë një gazetar shqiptar se sa atë në vendin e origjinës, të cilët i kanë hapur jo pak telashe me shkrimet e tyre investigative.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

About Me

Veliupress


View My Stats