Sunday, 12 October 2008

Muhamed Veliu zbulon sekretin: "Jam i droguar pas lajmit"

Nga Entela Resuli

Për "Tirana Obserer" nga Londra Muhamed Veliu. E dëgjojmë shpesh në televizor të raportojë me mjeshtëri lajmet që vijnë nga përtej oqeanit, por këtë herë ai raporton për vetën e vetë në rubrikën "Brenda medias". Korrespondenti i Top-Channel në Londër, gjatë javës që lëmë pas ishte gazetari më i lakuar në qarqet mediatike dhe ato politike në Tiranë. Një intervistë skup nga Londra me Damir Fazliç e risiell atë edhe njëherë tjetër në vëmendjen e publikut shqiptar. Ai tashmë falë punës pasionante është shndërruar në një gazetar të mirënjohur, i cili ka sjellë gjatë 10 viteve të fundit, nga Londra ku jeton dhe punon, lajme pikante që i mungojnë medias shqiptare. Investigimet e realizuara me aq mjeshtëri janë botuar në mediat prestigjioze angleze, duke e afirmuar atë gjithnjë e më shumë. Gazetari Muhamed Veliu ka preferuar të mbajë një profil të ulët kur vjen puna për të rrëfyer karrierën si reporter investigativ. Është mjaftuar me rrëfimin e investigimeve të zhvilluara në Angli, të cilat janë ribotuar edhe në median shqiptare, duke ngjallur kuriozitet dhe interes. Por asnjëherë deri më sot nuk ka folur për karrierën e suksesshme të deritanishme. Për të parën herë, Veliu rrëfen ekskluzivisht për "Tirana Observer" karrierën si korrespondenti i vetëm i medias shqiptare në Londër dhe punën si gazetar investigativ. Ndër të tjera ai analizon sipas këndvështrimit të tij median shqiptare, ku lëshon edhe kritika të forta për botuesit e gazetave, përfshi kolegët gazetarë të Tiranës.

Kur e keni filluar gazetarin?

Që vitin 1998 kur erdha në Angli. Nisa të dërgoja intervista të përkthyera nga mediat britanike apo me personazhe shqiptarë në gazetën "Intervista" në Tiranë. Një vit më vonë nisa të shkruaj për një gazetë të komunitetit shqiptar këtu në Angli, e quajtur "Kuq e zi". Dua të theksoj se lidhjet e mia me gazetarinë janë që në moshën 12-vjeçare kur babai dëgjonte "Zërin e Amerikës" dhe "BBC". Kjo bëri që unë të "dashurohem" pas botës së lajmit dhe të isha një lexues i rregullt i gazetave të përditshme. E gjitha kjo u kthye në një hobi. Mbetet ende i tillë, paçka se është kthyer në profesionin tim kaq të dashur. Tani më duket vetja se jam i "droguar" pas lajmit, gjetjes, shkruatjes dhe sjelljes sa më qartë e bukur lexuesve apo shikuesve që ndjekin përmes televizorit raportimet nga Londra. E quaj me fat të kem punuar këto gjashtë vitet e fundit me kohë të plotë si korrespondent i Anglisë për disa media prestigjioze në Shqipëri, siç janë "Gazeta Shqiptare", "News 24" dhe "Top-Media". Nëse "Gazeta Shqiptare" apo "News 24" më bënë të njohur për publikun shqiptar, vajtja në Top-Channel ishte konsolidimi i punës time si gazetar. Nuk dua ta fsheh. Ka qenë ëndërr për mua të thosha "Muhamed Veliu Top-Channel Londër" në valët e këtij televizioni që e kam për nder dhe privilegj të jem pjesë e tij.

A ju kujtohet sa shkrime apo kronika televizive keni përcjellë nga Londra gjatë këtyre gjashtë viteve si i vetmi korrespondent i medias shqiptare atje?

Jam një fanatik i çmendur në ruajtjen e të gjithë shkrimeve apo kronikave televizive që kam dërguar nga Londra. Kështu e kam të lehtë t'i përgjigjem kësaj pyetje. Nga statistikat që kam, më rezulton se nga shtatori 2002 deri në janar 2006, kohë kur kam punuar për "Gazeta Shqiptare", janë botuar 338 shkrime. Ndërsa për periudhën që kam raportuar për "News 24" numërohen mbi 190 raportime. Kam fatin të jem njëri prej atyre që ka shkruajtur për gazetën "Shqip" që nga numri i parë i saj dhe të jem unë autori shkrimit të parë që ka hapur suplementin "Ndryshe" të kësaj gazete. Deri në fund të muajit gusht 2008 në "Shqip" kam publikuar 272 shkrime. Raportimi im i parë për Top-Channel ka qenë me 13 janar 2006. Që nga kjo datë e deri më tani janë 246 kronika lajmesh dhe disa dokumentarë për çështje të ndryshme.E kishit menduar se do të punonit gazetar jashtë vendit tuaj?Asnjëherë. E vetmja dëshirë që kisha, ishte që një ditë të vizitoja studiot e Seksionit të BBC në Shqip. Kurrë nuk e mendoja se shumë shkrime të mija do të firmoseshin me emrin tim në gazetat britanike. Aq më tepër pastaj të punoja si reporter investigativ për gjigandin mediatik BBC apo televizionin ITV.

Ç'do të thotë të jeni korrespondenti Anglisë për një prej mediave më të rëndësishme në Shqipëri?

Siç e theksova më sipër, është privilegj dhe plotësim i një dëshire të kahershme që kur televizioni Top-Channel nisi të transmetonte. Është një ndjesi e veçantë të jem pjesë e atyre 500 korrespondentëve ndërkombëtarë të akredituar në Londër. Të jesh korrespondent i një media ndërkombëtare në një qytet si Londra është një prej pozicioneve të lakmueshme për shumë gazetarë në botë. Jam me fat që mu dha mundësia të punoj nga këtu për mediat në Tiranë dhe Prishtinë. Po ashtu e quaj një arritje profesionale për mua, të jem pjesë e një media që u krijua me shumë dashuri dhe profesionalizëm nga presidenti i ndjerë, zoti Dritan Hoxha.

Ju keni bërë një sërë investigimesh, sa të vështira kanë që ato për të arritur në përfundim?

Gazetar investigativ do të thotë të ekspozosh çdo gjë që është e kundërligjshme. Kjo kërkon shumë kohë për të studiuar subjektin që ti po investigon. Në shumë raste kërkohet aktrim dhe të bindësh personin që ke përballë të tregojë rreth aktivitetit të tij të jashtëligjshëm. Të gjitha investigimet që kam kryer deri më tani kanë qenë të vështira. Dua të theksoj se kjo lloj gazetarie kërkon edhe shumë fat, të cilin e kam patur deri më tani. Stresi përpara çdo takimi është i madh. Vetëm ky stres që ti futesh kur shkon të ekspozosh diçka nuk ka të paguar. Të mbërthen një emocion i brendshëm, pasi mendon çdo sekondë nëse do të arrish të marrësh atë që je nisur. Kjo është një vështirësi më vete, krahas shumë të tjerave.

Cili është momenti më i vështirë në karrierën tuaj?

Ka qenë ai moment kur për pak isha shumë afër eliminimit fizik gjatë një investimi. Është një ngjarje e rëndë për të cilën nuk më pëlqen ta rikujtoj. Pas shumë vitesh, kur të hedh në një libër të gjitha investigimet e mija, do të flas edhe për këtë dhe njeriun që më tha se "kishte ardhur momenti të përfundoja në copa në qese të zeza hedhjesh mbeturina". Fatmirësisht një gjë e tillë nuk ndodhi. Isha me fat.

Sa e vështirë ishte të kontaktoje më Fazlliç dhe, sipas jush, sa i vërtetë ishte ai në ato që thoshte?

Fillimisht dua të them se pas kësaj interviste unë vazhdoj punën si vazhdimisht, dhe jam në kërkim të lajmeve të reja për audiencën e televizionit ku punoj. Ky sukses është një motivimin për të vazhduar me devotshmëri punën e gazetarit. Takimi me Damir Fazliç ishte produkt i ngulmimit tim si gazetar për ta takuar dhe një koordinim perfekt i informacionit rreth këtij personi me kolegët e Top-Channel. Ajo intervistë ekskluzive erdhi në kohën e duhur në një moment kur për këtë njeri flitej aq shumë dhe askush nuk e dite se ku ndodhej. Pa diskutim është produkt i një "team work" mes meje dhe Top-Channel, që kur vjen puna për të tilla lajme falë, një pune këmbëngulëse në pasjen me çdo kusht të lajmit ekskluziv zor se ka sukses. Dua të falënderoj kolegët për besim që patën tek unë në të intervistuarit e zotit Falliç. Të siguroja atë intervistë ishte padyshim e vështirë, pasi zoti Fazliç që në fillim refuzoi të intervistohej. Mu desh të mendoja shpejt për t'i mbushur mendjen. I them, të lutem më thuaj vetëm dy fjalë për arrestimin në Bosnjë, se askush nuk e beson që jeni i lirë në mes të Londrës. Isha me fat. E binda, por Fazliç më thotë mos më pyet asnjë fjalë për ato që ka shkruar media në Tiranë, që në fakt ishte objektivi primar i asaj interviste. Në fakt mu desh ta "tradhtoja" në marrëveshjen paraprake që kishim për të folur vetëm për ndalimin. Kur i drejtova pyetje për aktivitet në Shqipëri , marrëdhëniet me kryeministrin Berisha, e pashë që u zu ngushtë, pasi nëse do të refuzonte të përgjigjej dhe të ngrihej e të ikte do të ngjante shumë keq për atë. Ishin shtatë minuta intervistë të vështira për mua si gazetar, pasi i pata përgjigje të shkurtra, të cilat nuk të japin shumë material që të improvizosh pyetjen e radhës. Megjithatë ja arrita. Për këtë jam i lumtur. Nuk i takon gazetarëve të komentojnë vërtetësinë e përgjigjeve të atyre që ata intervistojnë. Është publiku ai që vendos.

Cili do të jetë investigimi juaj i radhës, a do të këtë surpriza?

Janë disa investigime, ku jam duke punuar paralelisht. Tre prej tyre për gazetën "The People", një tjetër për gazetën "The Sun" si dhe një dokumentar me elementë investigativë brenda tij për televizionin ITV. Mund t'ju them se njëri prej këtyre investigativëve do të krijojë debate në Britaninë e Madhe, pasi ka të bëjë me mosfunksionim si duhet të një departamenti qeveritar që merret me kontrollin e personave që punojnë si roje në sigurinë e objekteve të rëndësisë së veçantë. Padyshim që do të jetë një surprizë e hidhur për drejtuesit e këtij departamenti dhe ka për të qenë shokues për publikun.

Ju jeni korrespodent i Top Channel-it në Shqipëri, po në Britani keni një media që jeni i punësuar, cila është ajo?

Nuk jam i punësuar me kohë të plotë nga ndonjë media britanike. Punoj si reporter investigativ freelance. Ka raste kur janë televizionet apo gazetat e këtushme që kërkojnë shërbimet e mija. Në të shumtën e rasteve jam unë ai i cili i propozoj këtyre media tema të ndryshme investigative, duke u shitur idenë dhe mbledhjen e fakteve, të cilat më pas publikohen. Krahas të qenit gazetar investigativ dhe korrespondent i Top-Channel, punoj edhe si kryeredaktor i gazetës "The Albanian", e cila është një organ informues për komunitetin shqiptar në Angli.

Duke qenë në kontakt më shtypin e huaj dhe, në një farë mënyre dhe me atë shqiptar, cilat janë ndryshimet dhe problemet që kanë mediat tona, jo vetëm gazetat, por edhe televizionet?

Do të preferoja t'i përgjigjem kësaj pyetje në dy pjesë, duke analizuar fillimisht shtypin e shkruar për të cilin kohët e fundit u hap një debat nga analisti Mustafa Nano. Nëse në vitet '90 shtypi i shkruar mori një zhvillim të madh, tani ai ndodhet në krizë të plotë për shumë arsye. Numri i madh i gazetave në treg, që e kthen atë në një shtyp sasior dhe jo cilësor. Gazetarët shqiptarë janë të vetmit në rajon, për mos të thënë në botë, që kanë një normë. Thënë ndryshe çdo ditë u kërkohet të mbushin faqe me lajme, ndërkohë në perëndim gjërat funksionojnë ndryshe falë edhe redaksive të mëdha. Është absurde një gazetë e përditshme në Tiranë del në treg falë punës së 10 gazetarëve që punojnë në një apartament 2+1 të kthyer në redaksi. Shtypit shqiptar i mungojnë pena apo drejtues të zotë që kanë bërë historinë e medias së shkruar shqiptare si Alfred Peza, Armand Shkullaku, Andi Bejtja, Arjan Çani, Erion Tase, Sokol Balla etj, të cilët tani janë drejtues të mediave elektronike më të fuqishme në vend. Vendin e tyre e kanë zëvendësuar ndonjë kryeredaktor që bie nga shkallët e redaksisë, pasi ka pirë alkool tërë ditën apo ndonjë kryeredaktore, e cila kur hyn në redaksi qelbet nga era Xhin& Tonik pasi ka konsumuar shumë gota nën shoqërinë e VIP-ave, të cilëve u nxjerr horrllëqet në gaztë, e më pas u tregon burimin se nga ka ardhur ai lajm në redaksi. Në gazetat e përditshme të marra së bashku shpeshherë nuk gjej një lajm të vetëm të më bëjë përshtypje, pasi gazetarët ndajnë lajme me njëri-tjetrin për të realizuar normën e mbushjes së faqeve. Jo për faj të tyre, por pronarëve të mediave të shkruar, ata më shumë se gazetarë i përngjajnë tullaxhinjve që kanë një normë sa tulla duhet të vendosin në ditë. Gazetat kanë nevojë për një revolucion brenda redaksive, duke i ngritur ato sipas modelit perëndimor e jo miadave të botuesit për të patur në treg një gazetë me kosto sa më minimale. Vërej se mediat elektronike falë konkurrencës që Top-Channel u ka imponuar mediave të tjera janë duke ecur në rrugë të mbarë. Pronarët e tyre e kanë kuptuar se pa investuar në programe apo njerëz nuk mund të kapësh atë audiencë maksimale, prandaj shikojmë studio të reja dhe një larmi programesh. Megjithatë politikat editoriale nga një televizion në tjetrin lënë për të dëshiruar, duke u kthyer në shërbim të pronarëve dhe jo shikuesit. Kjo i ka çuar disa televizione drejt një vetizolimi, pasi shikuesi e ka të qartë menynë e lajmeve që do t'i ofrohet pa hapur gojën ende prezantuesja, e cila të duket sikur po rrëfen një përrallë me Borbardhën dhe jo po lexon tekstin e një lajmi.

Sa e vlerësoni ju median shqiptare?

E vlerësoj me notën 6.

Që një gazetar të bëjë mirë punën e vetë dhe ajo të jetë profesionale, çfarë duhet të bëjë sipas jush, disa këshilla?

Ta bëj atë me pasion. Gazetaria është një prej atyre fushave ku pasioni dhe vendosmëria janë dy gjëra parësore. Vërej se këto të dyja mungojnë tek shumë kolegë që bëjnë gazetari thjesht për të marrë atë rrogën. Të zgjohet në mëngjes me mendimin se duhet të luftojë të kap një lajm ekskluziv dhe jo të ulet në kafene dhe të ndajë lajme me kolegët gazetarë të media të tjera siç ndodh në Tiranë. Kur vjen puna për lajme, gazetarët duhet të "urrejnë" njëri-tjetrin, duhet të demonstrojnë ndjenjë rivaliteti mes tyre për të arritur tek lajmi ekskluziv.

Shpeshherë në shtypin rozë të Tiranës janë botuar shkrime rreth jetës tuaj private. Çfarë mund të na thoni më shumë rreth saj?

Është e vërtetë ajo që thoni. Mua nuk më shqetëson fakti që janë person publik. Dua apo nuk dua unë, kjo vjen natyrshëm nga puna që bëj. Shumë prej atyre shkrimeve janë të ekzagjeruara. Jetoj një jetë të qetë mes shumë miqsh. Për momentin jam singëll në kërkim të një vajze që do ta pranojë Muhamedin ashtu siç është. Është një vajzë, e cila ka kohë që po trazon mendjen time me inteligjencën dhe bukurinë e saj. Për momentin vetëm kaq.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

About Me

Veliupress


View My Stats