Sunday, 19 October 2008

Pranga në Londër ish-oficerit të SHIK

Pas 11 vitesh arratie, "Scotland Yard" arreston të dyshuarin kryesor për zhdukjen e Remzi Hoxhës

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ka marrë fund pas 11 vitesh arratia e Ilir Kumbaros, ish efektiv i SHIK-ut të Tiranës, i cili kërkohet nga drejtësia shqiptare si pjesëmarrës në rrëmbimin dhe mw pas zhdukjen, e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Një zëdhënës i Scotland Yard ka konfirmuar dje arrestimin e tij. "Skuadra e ekstradimeve pranë Scotlad Yard, ka ekzekutuar një mandat ndërkombëtar arresti, lëshuar nga autoritetet shqiptare, duke arrestuar zotin Kumbaro", ka pohuar zëdhënësi.

Arresti me firmën e Xhevat Hanës

Mësohet se Ilir Kumbaro ka qenë për tre javë nën survejimin e oficerëve të policisë britanike, pasi ishte lokalizuar vendndodhja. Fillimisht, ai është fotografuar, duke dalë nga shtëpia. Fotot janë dërguar më pas në Shqipëri për të bërë krahasimin me fotot e disponuara nga policia shqiptare. I gjithë operacioni i arrestimit është mbajtur në sekret të plotë. I vetmi person që ka pasur dijeni për zhvillimet në Londër rreth kësaj çështje ka qenë prokurori i çështjes, Xhevat Hana. E ndërsa në Angli po finalizohej arrestimi i të shumëkërkuarit Kumbaro, prokurori Hana në Tiranë ka përgatitur një fletë-arresti ndërkombëtar, të firmosur nga vetë ai, për t‘u ekzekutuar nga oficerët ne Scotland Yard. Nëpërmjet kanaleve diplomatike, kërkesa e prokurorit Hana ka mbërritur në zyrën e agjencisë "Special Organised Crime Agency". Meqë kërkesa për të arrestuar këtë person ishte tejet e detajuar dhe aq më tepër, që bëhet fjalë për një ish-agjent të shërbimit sekret shqiptar, prokuroria angleze ka zhvilluar më 6 Tetor 2008 një seancë gjyqësore, ku i është kërkuar gjykatës leja për të ekzekutuar këtë mandat ndërkombëtar arresti.

Marrja e vendimit nga gjykata britanike

Pasi është dhënë drita jeshile nga gjykata, oficerët e Scotlad Yard kanë arrestuar Ilir Kumbaron. Megjithëse autoritete britanike, për momentin kanë qenë të rezervuara në dhënien e informacionit për këtë arrestim, mësohet se kërkimet për Iir Kumbaron u intensifikuan kohët e fundit pas vizitës së kryeprokurorit britanik Ken McDonalds në Shqipëri. Gjatë takimeve me autoritetet e prokurorisë shqiptare, çështja "Kumbaro" ka qenë një nga pikat e bisedimeve me prokurorëve shqiptarë dhe zotit McDonald. Frytet e këtyre bisedimeve janë parë dje, kur Scotlad Yar konfirmoi arrestimin e Ilir Kumbaros, njeriut i cili mund të hedhë dritë mbi misterin e zhdukjes së Remzi Roxhës. Scotland Yard do të bëjë publike gjatë ditëve në vazhdim detajet e ndalimit të Kumbaros. Ndaj tij kanë filluar procedurat e ekstradimit në gjykatën "City of Westminster Magistrate Court".

Interpoli zbuloi identitetin e rremë

Arrestimi i Ilir Kumbaros është realizuar pas një pune disavjeçare gjurmuese të zyrës së "Interpol Tiranës". Oficerët e kësaj zyre, fillimisht kanë mundur të identifikojë emrin e rreme që ish SHIK-asi, Ilir Kumbaro ka përdorur kur është regjistruar si azilant në Londër. Lokalizimi vendndodhjes së tij në Angli ishte problemi më madhor që oficerët e kësaj zyre janë ndeshur. "Bashkëpunimi me palën angleze në këtë çështje ka qenë i niveleve më të larta", pohojnë burime nga policia shqiptare. Ilir Kumbabo, gjatë këtyre viteve fshehjeje në Angli, ka mbajtur një profil të ulët. Burime nga komuniteti shqiptar pohojnë se ai për një kohë të gjatë ka jetuar në veri të kryeqytetit britanik në lagjen Harringey. Me rihapjen e procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë në Tiranë për rrëmbimin e Remzi Hoxhë, Ilir Kumbaro është larguar nga Londra për të jetuar në një qytet tjetër në Angli. Pavarsisht nga kjo lëvizje për të vazhduar fshehjen, ai nuk ka mundur t‘i shpëtojë prangave angleze për llogari të Interpol-Tiranës. Prangosja në Londër e Kumbaros, njeriut kyç në zhdukjen e Remzi Hoxhës, është suksesi radhës për Zyrën e Interpol-Tiranës, duke e çuar në 16 numrin e shqiptarëve "wanted" të prangosur në Britani.




You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

About Me

Veliupress


View My Stats