Thursday, 23 October 2008

Zbulohet identiteti i rreme i Ilir Kumbaros

Fshihej si çek në Londër, me emrin Shaqa Shatri. Britanikët i garantuan azil politik

Nga Londra
Muhamed Veliu

Spiuni mbetet spiun" deri në fund të jetës së tij. Kësaj thënie nuk i ka shpëtuar pa u përfshirë edhe Ilir Kumbaro. Pas largimit nga Shqipëria, në fund të vitit 1996, ai ka zgjedhur si vend fshehjeje Londrën, njësoj si shumë kolegë të SHIK. Por, Kumbaro është treguar shumë i kujdesshëm në zgjedhjen e identitetit që do të përdorte. Ai nuk ka përdorur ndonjë emër shqiptar apo kosovar në kërkimin e azilit politik. Ish-oficeri SHIK-ut, i arrestuar disa ditë më parë në Londër, gjatë 12 viteve fshehje në Angli ka përdorur një sërë identitetesh të rreme. Kjo për t‘i shpëtuar prangosjes pas shpalljes si "wanted" në vitin 2000, nga Interpol Tirana. Gazeta ka zbuluar se Kumbaro kishte kërkuar azil pranë Ministrisë së Brendshme si shtetas çek.

Emri i përdorur prej tij është Shaqa Shatri. Po me këtë identitet, ai është paraqitur në gjykatë, gjatë séances së parë gjyqësore të ekstradimit.

Kumbaro, në mënyrë mjeshtërore, ka mundur të bindë autoritetet britanike se ai ishte shtetas çek, i cili persekutohej në vendin e origjinës. Mospasja e shenjave të gishtave për të ka qenë avantazhi i përdorur nga ishspiuni shqiptar për t‘i hedhur "hisyve" autoriteteve britanike të emigracionit.

Ministria e Brendshme, pa e ditur se Kumbaro ishte njeri prej shtetasve më të kërkuar shqiptarë, nga Interpoli ka pranuar kërkesën e për azil. Më 7 nëntor 1998, po kjo ministri i ka garantuat atij leje qëndrimi përgjithmonë në Britaninë e Madhe. Dokumenti për pranimin e azilit është pjesë e dosjes së ekstradimit. Burime policore nga "Scotland Yard" (policia angleze) pohojnë se gjatë kontrollit të banesës, në momentin kur Kumbaro është arrestuar, janë gjetur një seri dokumentesh identifikuese të falsifikuara, që përdoreshin prej tij.

54-vjeçari Kumbaro, njeriu që di detajet e zhdukjes misterioze të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, 13 vjet mëparë, në momentin e arrestimit në shtëpinë ku banonte në lagjen "Fulham", u ka thënë oficerëve të policisë lokale se ai nuk është Ilir Kumbaro. Edhe gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor të zonës "Belgravia", Kumbaro ka pohuar se policia kishte të bënte me një ngatërrim identiteti. Pohimet e Kumbaros nuk kanë qenë bindëse.

Megjithatë do të jetë gjykata "City of Westminster Magistrate Court", ajo e cila do të marrë një vendim gjatë ditëve në vazhdim, nëse personi i arrestuar për llogari të Interpol Tiranës është shtetasi shqiptar, Ilir Kumbaro. Deri në seancën e ardhshme gjyqësore, Kumbaro mbahet i izoluar në burgun Wansworth në jug të kryeqytetit britanik.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

About Me

Veliupress


View My Stats