Tuesday, 2 December 2008

Ish-agjenti i SHIK-ut pret Vitin e Ri ne burgun anglez

Shtyhet për në janar ekstradimi i Ilir Kumbaros në Shqipëri

Nga gjykata "City of Westminster Magistrate Court”
në Londër
Muhamed Veliu

Për të parën herë në jetën e tij, Ilir Kumbaro do të kalojë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në një qeli burgu, mes ankthit se cili do të jetë fati i procesit të ekstradimit gjatë vitit 2009. Ish-punonjësi i SHIK-ut, Kumbaro, është lënë në qeli nga një gjykatës britanik deri më date 27 janar 2009, ku ai së bashku me avokatin mbrojtës do të prezantojnë një sërë provash se ai nuk është Ilir Kumbaro por Shaqa Shatri, një shtetas nga Jugosllavia.
Gjatë seancës se djeshme në "City of Westminster Magistrate Court në Londër" janë mësuar të tjera mistere që kanë të bëjnë me një fshehje pothuajse perfekte nga ish-shikasi Kumbaro, i cili siç pretendon pala shqiptare dhe oficerët e Scotland Yard, ka ndërtuar një identitet të ri.

Procesi

Pala mbrojtëse e Kumbaros nuk ishte gati t‘i parashtronte gjykatës argumentet se personi i arrestuar është Shaqa Shatri dhe jo Kumbaro, ish-drejtori i SHIKut për Tiranën që akuzohet për rrëmbim, torturë dhe vrasje me dashje të Remzi Hoxhës. Që në fillim të seancës së djeshme gjyqësore, që ka zgjatur më shumë se 60 minuta, Ilir Kumbaro ka shpalosur shenja nervozizmi kur i është kërkuar t‘i thotë gjykatësit emrin dhe datën e lindjes.
"Mos vallë doni t‘ju pohoj edhe tri data të ndryshme të ditëlindjes time që keni në dosje", është përgjigjur ai në anglisht me zë të lartë. Më tej Kumbaro me ndihmën e një përkthyeseje ka vijuar dëgjimin e seancës së katërt gjyqësore që kur u arrestua në mesin e tetorit 2008. Kumbaro, 63 vjeç, përfaqësohet në këtë proces ekstradimi nga avokati Xhon Xhons. Ai i kërkoi gjykatës më shumë kohë për mbledhjen e provave, ku përmes të cilave do të vërtetohet se klienti i tij është Shaqa Shatri dhe jo Ilir Kumbaro. "Na rezulton se në shërbimin mjekësor NHS ekzistojnë dy dosje, njëra me emrin Shaqa Shatri tjetra me emrin Ilir Kumbaro", deklaroi ai.
Në këtë moment ka ndërhyrë gjykatësi Evans, i cili e pyeti se si do të mund të siguronte dosjen "Kumbaro" kur ndërkohë ai në këtë proces përfaqëson Shaqa Shatrin, pasi një dosje e tillë është tërësisht konfidenciale me akses të limituar vetëm nga personi me të njëjtin emër. "I kemi kërkuar mjekut të familjes që ka dosjen e Ilir Kumbaros të na vërë në dispozicion të këtij procesi gjyqësor atë dosje", ishte përgjigjja e avokatit. Më tej ai ka vazhduar së argumentuari përse i duhet më shumë kohë, duke treguar një element të ri, të padeklaruar më parë, që ka të bëjë me një ekspert kriminalistik, i cili po harton një raport për mbrojtjen. "Po presim raportin e një eksperti që ka kryer krahasimin e fotos së klientit tim kur ai ka kërkuar azil në vitin 1996, me portretin e tij të sotëm, nëpërmjet metodës "Facial mapping", ka thënë avokati Xhons, i cili për herë të parë ka treguar të plotë strategjinë e mbrojtjes që do të vihet në zbatim në séance e radhës.

Mbrojtja

Avokati i Kumbaros ka hedhur hije dyshimi për autoritetet shqiptare, duke i akuzuar ata indirect për fshehje të fakteve të tjera që nuk janë përfshirë në dosjen me dokumente nisur gjykatës.
Pretendimi i tij kishte të bënte me faktin e një procesi gjyqësor në vitin 2003, ku së bashku me tre persona të tjerë Ilir Kumbaro është dënuar në mungesë dhe se gjykata ka rrëzuar akuzat. Avokati Xhons nuk ka paraqitur ndonjë provë shkresore për të mbështetur pohimin e tij. "E nëse kjo është e vërtetë, kredibiliteti i kërkesës së palës shqiptare në këtë proces është tejet i ulët dhe kjo nëse është e vërtetë do të më bëjë të dërgoj në shtëpi zotin Shatri", ka thënë gjykatësi, duke ju drejtuar përfaqësuesve të shtetit shqiptar.
"Në seancën e ardhshme dua të mësoj të vërtetën nga pala shqiptare rreth këtij pretendimi të zotit Xhons", deklaroi ai. Në fund të kësaj seance, kërkesa e avokatit Xhons është pranuar nga gjykatësi Nikolas Evans, i cili tha se është i prirë që ky proces ekstradimi të përfundojë sa më parë. Përfaqësuesja e shtetit shqiptar në këtë proces nuk ka paraqitur asnjë argument, ndërkohë që ka mohuar në mënyrë kategorike se gjatë kontrollit të shtëpisë ku banonte Ilir Kumbaro të jetë gjetur një certifikatëe të birit lëshuar nga zyra e gjendjes cilivile në Tiranë me emrin Ervin Ilir Kumbaro.
Ky fakt u bë publik disa ditë më parë, dhe u referohej burimeve nga prokuroria shqiptare. Palët në këtë proces do të paraqesin argumentet e tyre më 27 Janar 2009, ndërkohë që disa javë më vonë gjykatësi do të japë vendimin nëse personi i arrestuar është Shaqa Shatri apo Ilir Kumbaro. Seanca e djeshme është ndjekur nga tre të afërm të Kumbaros, të cilët qëndronin në galerinë e publikut, së bashku me dy përfaqësuese të "Amnesty International", të cilat janë përfshirë në çështjen e Remzi Hoxhës, duke ushtruar presion në qeverinë shqiptare për një hetim transparent.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

About Me

Veliupress


View My Stats