Thursday, 26 March 2009

Home Office drejt shpalljes "non-grata" te familjes Kumbaro

Gazeta Panorama

Rrjeti televiziv britanik BBC zbuloi qytetarin kosovar të cilit ish-agjenti i Shërbimit sekret shqiptar, Ilir Kumbaro, i kishte vjedhur identitetin dhe në emër të tij kishte marrë strehim në Britani që nga viti 1996.
Ish-shefi i degës së Parë të SHIK-ut të Tiranës, Ilir Kumbaro, i kërkuar në Shqipëri për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, u largua nga vendi një vit pasi biznesmeni shqiptaro-maqedonas ishte zhdukur. Një gjykatë britanike në Londër, u bind se i arrestuari në të vërtetë nuk ishte Shaqa Shatri nga Kosova. Trupi gjykues tha se nuk kishte asnjë dyshim se personi ishte Ilir Kumbaro. Me këtë argumentim gjykata në Londër miratoi ekstradimin e Ilir Kumbaros në Tiranë për tu ulur në bankën e të akuzuarve në gjyqin për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Një investigim të fundit të BBC-së, thuhet se "policia gjeti një fotografi, për të cilën pretendojnë se i përket njeriut që është Shaqa Shatri i vërtetë, identitetin e të cilit e kishte vjedhur zoti Ilir Kumbaro. Ai është një 63-vjeçar kosovar, që siç duket edhe nga fotoja, nuk ka asgjë të përbashkët dhe nuk ngjan aspak me Kumbaron". Fotografia e personit nga Kosova u publikua në specialen e BBC-së krahas imazhit të Ilir Kumbaros. Ndryshimi mes dy personave është krejt i dukshëm, ndërsa administrimi i fotos së Shaqa Shatrit të vërtetë dhe paraqitja e saj në gjyq, duket se patën rolin vendimtar në vendimin e Gjykatës londineze për të ekstraduar në Tiranë Ilir Kumbaron. Ai tani ndodhet para peripecive të tjera për shkak se është bërë e qartë se ka mashtruar shtetin anglez kur u paraqit si një kosovar i persekutuar nga regjimi serb dhe më pas kërkoi azil politik.
Familja Kumbaro, "non grata"
Autoritetet në Londër duket se janë duke menduar të përzënë jo vetëm Ilir Kumbaron, por edhe dy personat që u gjetën në banesën e tij dhe që dyshohet se janë gruaja dhe djali i ish-zyrtarit të SHIK-ut në Tiranë. Faktet e zbuluara gjatë 11 seancave të gjyqit për ekstradimin e Kumbaros, kanë vënë në lëvizje Ministrinë e Brendshme Britanike "Home Office". Ajo ka nisur procedurat e heqjes së nënshtetësisë britanike për familjarët e Ilir Kumbaros.
Burime të sigurta nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë, thanë ndërkaq se kanë marrë një kërkesë më shkrim nga homologët britanikë, ku kërkohet dërgimi i çdo lloj informacioni, që ka të bëj me trungun familjar të Ilir Kumbaros. "Materiali i kërkuar do të shërbejë për heqjen e nënshtetësisë britanike të përfituar përmes mashtrimit nga gruaja dhe dy djemtë e Ilir Kumbaros", sugjeruan burimet. Sipas tyre, së bashku me Ilir Kumbaron vetëm disa muaj pas zhdukjes së Remzi Hoxhës, kanë kërkuar azil si shtetas kosovarë gruaja Vjollca Kumbaro dhe djemtë Endrit dhe Ervin Kumbaro. Bashkëshortja e Kumbaros, përdorte emrin e rremë Naxhie Axhemi. Me këtë emër ajo u është prezantuar oficerëve të Scotland Yard, kur ata prangosën të shoqin në banesën pranë lagjes "Fulham". Prezent në banesë ishte edhe Ervin Kumbaro që është njëri prej dy djemve të tij. "Kjo është një kushërira ime. Ndërsa Ervini është një i afërm i familjes, që ka ardhur për të na vizituar", është shprehur Kumbaro kur është përballur me oficerët e policisë së Londrës në muajin tetor të vitit të kaluar. Ai ka pohuar në atë moment, se në të vërtetë nuk ishte Ilir Kumbaro, por Shaqa Shatri nga Kosova. Në procesin gjyqësor në Gjykatën e Londrës është mësuar se me identitete të rreme kanë kërkuar azil në Angli i vëllai i ish-agjentit, Dashamir Kumbaro, i cili ka përdorur emrin Dashamir Shatri kur aplikoi me familjen e tij, së bashku me të motrën. Sipas të dhënave të mësuara gjatë gjyqit, vetëm disa ditë pas kërkesës për azil të paraqitur nga Ilir Kumbaro në portin e Doverit duke përdor emrin Shaqa Shatri, atij i janë bashkuar në arrati edhe dy ish-shoferët e tij në kohën kur drejtonte Drejtorinë e parë të SHIK-ut në Tiranë. Gjatë këtyre viteve të qëndrimit në fshehje ata ishin njerëzit më besnikë, me të cilët Ilir Kumbaro shoqërohej në veri të Londrës në lagjen "Harringay" dhe vitet e fundit në zonën Hammersmith. Furtuna e hetimit ndaj familjes Kumbaro vjen menjëherë pas lejimit të ekstradimit dy ditë më parë nga Gjykata e Ekstradimeve në Londër. Ndërkohë, Ministria e Brendshme britanike Home Office është nën një presion të madh, pasi BBC në lidhje me Kumbaron transmetoi një raport special, ku publikoi detaje e të dhëna mbi mënyrën se si ish-agjenti shqiptar kishte mashtruar autoritetet britanike.

"Kumbaro jetoi në Angli si i sëmurë depresiv"

LONDER - Një ish-shef zbulimi shqiptar, i cili kërkohet për torturim dhe rrëmbim personi është gjetur në perëndim të Londrës, duke jetuar dhe punuar me një identitet të rremë. Ilir Kumbaro, 55 vjeç, në vitin 1996 arriti të merrte azil në Britaninë e Madhe, duke hequr si një refugjat kosovar. Por jeta e tij e dyfishtë 13-vjeçare u sqarua në gjykatë kur u vendos ekstradimi i tij. Gjyqtari Howard Riddle tha: Unë nuk kam asnjë dyshim se personi që është në bankën e të pandehurit është Ilir Kumbaro. "Unë duhet të dërgoj këtë rast në Sekretarinë e Shtetit, pasi i pandehuri duhet të ekstradohet. Një nga viktimat e supozuar të tij, babai i pesë fëmijëve, Remzi Hoxha, nuk është parë i gjallë që nga viti 1995. Zoti Kumbaro ka hyrë në Britaninë e Madhe, në gusht të vitit 1996, me emrin Shaqa Shatri. Ai arriti të bindë zyrtarët e imigracionit, që ai ishte një refugjat kosovar që i ishte larguar persekutimit serb. Në bazë të këtij identiteti fals Kumbaros i është dhënë një pasaportë britanike dhe i është lejuar që të qëndrojë. Madje, ai ka pasur edhe përfitime nga Britania, duke pretenduar se ishte i paaftë të punonte, pasi kishte vuajtur nga një depresion post-traumatik, i ardhur nga stresi. Zoti Kumbaro ka jetuar në "Fulham" me disa njerëz, që sipas policisë anglezë janë gruaja dhe djali i tij. Nuk ekziston asnjë lloj prove që ai të kishte qenë i punësuar për 13 vitet e fundit nga Departamenti i Punës dhe Pensioneve. Në mënyrë që të përfitonte të ardhura për paaftësinë e tij të ardhur nga depresioni, Kumbaro ishte regjistruar në një qendër shëndetësore. Por në vend që të regjistrohej me emrin e rremë, siç e kishte në pasaportë, Shaqa Shatri, në mënyrë të pashpjegueshme, ai kishte përdorur emrin e tij të vërtetë. Regjistrimi është anuluar më vonë, por kjo ka qenë e pamjaftueshme për të lajmëruar detektivët e Mbretërisë së Bashkuar. Vetëm pas një kërkese të autoriteteve shqiptarë, detektivët anglezë janë vënë në ndjekje të Ilir Kumbaros.




You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats