Saturday, 18 April 2009

Anglezët hetim në Fier për tutorin e prostitutave

Nga Fatos Mahmuti
Gazeta Panorama

Verifikime në Shqipëri tutorit të prostitutave në Londër.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përcjellë në Gjykatën e Tiranës dy ditë më parë letër-porosinë e mbërritur nga autoritet angleze të drejtësisë për verifikimin në vendlindje të aktivitetit të 35-vjeçarit Jetnor Rrapushi, si dhe dy lituanezëve Juraite Pivoraite, Anasats Klevas, të dënuar si bashkëpunëtorë të tij.

Kërkesa për ekzekutimin e letër-porosisë britanike pas procedurave të shortit elektronik i është dorëzuar gjykatësit Martin Deda, i cili pritet që në ditët në vazhdim të caktojë seancën e parë.

Pritet që veç aktivitetit Rrapushit në qytetin e lindjes të verifikohen edhe pronat e tij, të cilat mendohen se janë pasojë e të ardhurave nga shfrytëzimi i prostitucionit. Jetnor Rrapushi, me origjinë nga qyteti i Fierit u arrestua në Londër në fund të vitit 2007, së bashku me dy shtetasit lituanezë Jurate Pivoraite dhe Anasats Klevas nën akuzën e shfrytëzimit të disa vajzave litauneze si prostituta.

Në fund të procesit gjykata “Southwark Crown Court” vendosi të dënonte shqiptarin Rrapushi me 4 vjet burg, ndërsa lituanezen Juraite Pivoraite me tre vjet burg. Këta të dy pranuan para gjykatës akuzat për kontroll, shfrytëzim prostitucioni për qëllime fitimi, pastrim parash, si dhe për përdorim të dokumenteve të falsifikuara.

Gjykata ka cilësuar Rrapushin si kreun e këtij biznesi fitimprurës, ndërsa bashkëpunëtorja nga Lituania kishte rolin e ndërmjetëses në gjetjen e prostitutave dhe më pas negocimin me klientët për çmimet. Po kështu në vendimin e dënimit të tyre gjykata u shpreh se nuk kanë ushtruar dhunë ndaj prostitutave, por për vite me radhë kanë shfrytëzuar disa vajza.

About Me

Veliupress


View My Stats