Friday, 21 August 2009

NË AMBASADËN ANGLEZE, Alarm i rremë për bombë dhe letër kërcënuese në sportel

NË AMBASADËN ANGLEZE, Alarm i rremë për bombë dhe letër kërcënuese në sportel

Brenda dy ditësh në Ambasadën Angleze në Tiranë janë bërë dy kërcënime

Gazeta Albania Tirane

Për 48 orët e fundit në Ambasadën Angleze në Tiranë ka mbizotëruar tensioni për shkak të dy kërcënimeve që janë kryer në drejtim të saj nga persona ende të panjohur. Kërcënimi i parë erdhi nëpërmjet një telefonate ditën e martë, ku u njoftua policia dhe ambasada për vendosjen e një bombe në ambientet e brendshme të Ambasadës. Ky alarm rezultoi i rremë pas një kontrolli të imtësishëm që zgjati tre orë nga ana e forcave të rendit. Por pas këtij kërcënimi dhe alarmi të rremë për bombë, Ambasada Angleze ka marrë dhe një letër të egër dhe kërcënuese ndaj stafit të saj. Një zarf pa adresë dhe anonime e lënë fshehtas nga një person i paidentifikuar në sportelin e Ambasadës Britanike në Tiranë, ka alarmuar jo pak diplomatët e huaj të cilët nuk nguruan të lajmëronin menjëherë policinë.

Kontrolli

Vetëm pas mbërritjes në ambasadë uniformat blu kanë konstatuar se bëhej fjalë për një zarf që sipas personave të parë që kanë e lexuar letrën brenda tij, mesazhi anonim ishte kërcënues dhe agresiv. “Një person ende i paidentifikuar kishte shkruar një letër dhe e kishte mbyllur në një zarf për ta lënë më pas në sportelin e ambasadës. Në letër personi fyente diplomatët e huaj që sipas tij nuk lëshonin viza për në Britani” thanë burime nga policia. “Ju nuk jepni viza, jeni plehra, të këqij” ishte një nga fjalitë fyese të shkruara në letër drejtuar Ambasadës Britanike. Të trembur diplomatët e huaj lajmëruan policinë e cila ka nisur hetimet për të identifikuar autorin e letrës brenda së cilës kishte edhe fjalë kërcënuese. Sipas policisë letra mund të jetë shkruar nga ndonjë person që ka aplikuar për vizë në këtë ambasadë e cila mund t’i ketë dhënë përgjigje negative. Ndërkohë që zarfi dhe letra janë sekuestruar, ndërsa policia po vazhdon hetimet të cilat nisën me kërkimin për ndonjë gjurmë gishtash në letrën kërcënuese si dhe në evidentimin e numrit telefonik nga ku u paralajmërua vënia e bombës që më pas rezultoi e rreme.

Vizat

Ekspertët e policisë janë të sigurt se personi apo personat që i kanë sjellë këtë shqetësim Ambasadës Angleze në Tiranë bën pjesë te grupi i shtetasve shqiptarë të cilëve u është refuzuar viza nga ana e kësaj Ambasade. Vonesat në dhënien e vizave për aplikantët, kostot shtesë që i bashkëngjiten tarifës për një vizë Shengen, standardet e ndryshme që përdoren nga ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, janë disa nga problemet e konstatuara në raporte të ndryshme monitoruese. Shqiptarët ende e kanë shumë të vëhstirë të sigurojnë normalisht viza për të shkuar në vendet e Europës Perëndimore dhe jo rrallë herë një pengesë e tillë ka rritur agresivitetin e kategorisë të të pakënaqurve drejt ambasadave por edhe ndaj qeverisë shqiptare.

About Me

Veliupress


View My Stats