Wednesday, 26 August 2009

Shqiptarët e armatosur “pushtojnë” Facebook

Nga Londra
Muhamed Veliu

Rrjeti social Facebook po gjen një masivitet përdoruesish në Shqipëri dhe veçanërisht nga shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në diasporë.
Krahas përdorimit për t’u lidhur me miq të vjetër apo krijimin e kontakteve të reja për çështje pune, Facebook po përdoret ditët e fundit edhe si një mjet kërcënimi ndaj policisë shqiptare, siç është rasti i hapjes së një grupi në mbështetje të Ledion Marës.

E vetmja foto ilustruese e Ledion Marës, kur ai mbeti i vdekur pas një përleshjeje me policinë shqiptare, u gjet në Facebook.

Fotoja tregonte Marën të armatosur me një automatik dhe shumë shpejt do të përdorej nga të gjitha mediet e elektronike dhe të shkruara.

Ledion Mara nuk ishte i vetmi shqiptar që kishte postuar një foto të tijën në Facebook i armatosur.

Një investigim disajavor i Top Channel duke naviguar për orë të tëra në këtë rrjet social mundi të sigurojë një sërë fotografish, të postuara nga individë shqiptarë të armatosur.

Nga këto foto të bën përshtypje albumi i një vajze nga Tirana, e quajtur Jonilda. Fotot e publikuara nga ajo, më 12 gusht 2009, apo dikush tjetër, mbajnë si titull albumi: “Jonilda, skorpione, garipe, shkatërruese, asgjësuese dhe dominuese e NATO-s”.

Në to duket qartë dëshira për të pozuar me një pistoletë, në pozicione të ndryshme brenda një zyre, mbi të gjitha të treguarit e një vajzë agresive dhe ushtarake. E gjitha kjo mbase nga profesioni i Jonildës si ushtarake.

Me veshje ushtarake dhe i armatosur në një kamp stërvitjeje ka pozuar edhe Tomi Nano, një emigrant shqiptar që jeton në Birmingem të Anglisë.

Nazmi Shabani si foto profili në faqen e tij në Facebook ka vendosur një foto ku ai ka

pozuar i armatosur. Si për të mos u mjaftuar me kaq i riu shqiptar ka publikuar edhe 6 foto të tjera sikur të ishte një Rambo i vërtetë.

I kontaktuar nga Top Channel nëpërmjet postës elektronike ai thotë se pistoleta që mban në dorë është një beretë 9 milimetra.

Ndërsa Anton Pjetri, që jeton në Zvicër, nuk e ka aspak problem të na tregojë se pistoleta që mban në dorë, kur ka pozuar, është pa leje. “Kjo pistoletë është e një shokut tim. Unë jetoj në Zvicër dhe nuk kam leje për të”, - thotë ai.

25-vjeçari Yrgyn Tahiri thotë se tri fotografitë ku ai ka pozuar me një kallashnikov, shotgan dhe çifte i vendosi në Facebook për t’i treguar miqve të tij në Londër se të gjeturit e armëve të kalibrave të ndryshëm në Shqipëri nuk është problem.

Sipas tij, kur ai u kishte folur për armë miqve në Londër, ata asnjëherë nuk e besonin.

Sido që të jetë, për qejf apo për t’u krenuar, këto foto dhe shumë të tjera si këto në Facebook dëshmojnë dëshirën e të rinjve shqiptarë ndaj armëve, të cilat i posedojnë dhe fatkeqësisht shpeshherë nuk kursehen t’i përdorin.

Nga ana tjetër, ato pasqyrojnë pjesën e dhunshme të shoqërisë shqiptare, pjesëtarët e së cilës nuk kursehen t’i bëjnë publike këto foto në një rrjet me 131 milionë përdorues në të gjithë botën.

About Me

Veliupress


View My Stats