Thursday, 20 August 2009

Stansted- Avioni shqiptar 90minuta "peng"

Katër ditë më parë një tjetër avion i "Albanian Airlines" u ndalua 24 orë në kryeqytetin anglez. Londra s’jep leje, shtyhet fluturimi i 120 pasagjerëve

Nga Fatos Mahmutaj
Gazeta Panorama/20 Gusht 2009


Bllokohet në Londër avioni i "Albania Airlines", kompania shqiptare nuk kishte leje për fluturim drejt Rinasit. Rreth 120 pasagjerëve që ndodheshin në avion u është dashur më se dy orë pritje mesditën e djeshme në bordin e avionit, derisa autoritetet aeroportuale angleze të jepnin lejen për fluturimin drejt Tiranës.

Po kështu i njëjti problem kishte ndodhur edhe pak ditë më parë, më datë 16 gusht,
kur avioni caktuar për të udhëtuar nga Londra drejt Rinasit është bllokuar në pistë dhe nuk është lejuar të ngrihej. Situata është zhbllokuar një ditë më
vonë, më 17 gusht, kur pasagjerët janë lejuar të ktheheshin në Tiranë. Kompania
"Albania Airlines" mësohet se udhëton gjatë sezonit të verës dhe festave të fundvitit katër herë në javë drejt kryeqytetit anglez Londër. Fluturimet kryhen përmes aeroportit Stansted, ndërsa mësohet se çmimet e biletave variojnë nga 400 deri në 600 euro për person. Po kështu fluturimi Rinas-Stansted, që kryen kjo kompani është ndër të vetmit direkt, pasi pjesa dërmuese e fluturimeve drejt
kryeqytetit anglez kryhen me transit në ndonjë nga shtetet e tjera që ndodhen midis Shqipërisë dhe Anglisë. Kjo është një nga arsyet që emigrantët shqiptarë që jetojnë në Londër zgjedhin këtë kompani, duke mos pasur zgjidhje tjetër, edhe pse shpeshherë pasagjerët janë ankuar për çmime të kripura. Ndërkohë autoritetet aeroportuale londineze kanë bërë të ditur dje zyrtarisht se fluturimi i avionit të "Albania Airlines" ka pasur një vonesë rreth 90 minutëshe, për shkak
të mospagesës së karburantit nga kompania shqiptare asaj britanike, që menaxhon shërbimet ekstra, si ushqimi, uji, karburanti, karikimi i baterive
dhe transporti i baterive. Derisa janë zgjidhur këto mosmarrëveshje
të kompanisë së fluturimeve, pasagjerëve u është dashur të qëndronin në bordin
e avionit, me të cilin udhëtuan pas dy orësh vonesë. Ende nuk dihet se cila ka qenë arsyeja që ka vonuar fluturimin e katër ditëve më parë drejt Rinasit, por bëhet e ditur se udhëtimet nga Tirana për në Londër nuk kanë pasur probleme. Sipas pasagjerëve, udhëtimi nga Rinasi drejt Londrës, të paktën kohët e fundit, ka qenë i rregullt dhe se nuk ka pasur asnjë problem në lidhje me vonesat e nisjeve. Pas dhënies së lejes për fluturim avioni shqiptar është ngritur në ajër dhe më pas ka mbërritur në Rinas me vonesë, duke sjellë pasagjerët. Pas kësaj mjaft prej pasagjerëve kanë pohuar se vonesa në aeroport u kishte sjellë shqetësime të shumta.


Katër ditë më parë u shty fluturimi

Burime nga "Albania Airlines" pohojnë se katër ditë më parë një avion i kësaj kompanie që duhet të udhëtonte nga Londra drejt Tiranës është ndaluar në aeroportin Stansted. Fluturimi është shtyrë për një ditë më vonë,derisa janë zgjidhur të gjitha problemet që kompania shqiptare kishte në lidhje me këtë fluturim. Vetëm pas kësaj avioni shqiptar është lejuar të udhëtonte drejt Tiranës.Ndërsa dje, ka ndodhur i njëjti problem në
aeroportin Stansted të Londrës, kur avionit të kompanisë shqiptare i është komunikuar që nuk mund të çohej nga pista pa shlyer më parë detyrimit ndaj kompanisë anglezë që kishte kryer disa shërbime në mjetin futures para se të hipnin pasagjerët në bord.

About Me

Veliupress


View My Stats