Tuesday, 20 October 2009

Trafiku klandestinëve 13 shqiptarë të arrestuar në Skoci

Nga Londra
Muhamed Veliu

Emigrantët shqiptarë në Itali dhe Greqi janë duke u mashtruar nga trafikantë të qenie njerëzore të cilët u thonë atyre, se në Angli mund të futen lirisht përmes aeroporteve Skoceze.Top-Channel ka mësuar se gjatë ditëve të fundit, janë arrestuar 13 shqiptarë të cilët përmes pasaportave të falsifikuara kanë tentuar hyrjen nga aeroporti Glasgout.
Personat e arrestuar i kanë deklaruar policisë se kishin paguar nga 8 deri në 10 mijë euro për të udhëtuar me këto pasaporta drejt Skocisë.
Ajo që atyre nuk u është treguar ka të bëjë me ndëshkimin nga gjykatat angleze nëse do të kapeshin me dokumente identifikimi të falsifikuara.
Nga dëshmitë e shqiptarëve të kapur është zbuluar i gjithë mekanizmi i këtij trafiku.
Ata janë shprehur se pasaportat u përkisnin qytetarëve Italian apo Grek të cilët ia kishin shitur trafikantëve shqiptarë.
Këta të fundit veçse kryenin ndërrimin e fotografive të këtyre pasaportave.
Burime pranë agjencisë së kufirit “UK Border Agency” në Skoci thanë se personat e kapur kanë dalë përpara gjykatës së krimeve dhe janë dënuar me nga një vit burg siç e parashikon ligji.
Në përfundim të dënimit ata kthehen për në Shqipëri.
Britania e Madhe mbetet një prej destinacioneve kryesore për të emigruar nga shqiptarët.
Masat shtrënguese në portet e Francës apo Belgjikës e ka ulur ndjeshëm numrin e personave që mbërrinin ilegalisht në Britani.
Edhe në ato raste kur shqiptarët mundet të hynë në Britani, ata nuk mund të jenë të suksesshëm në kërkimin e azilit.
Shqipëria dhe Kosova cilësohen si vende të sigurta, qytetarët e të cilëve mund të aplikojnë për azil por shanset e pranimit të aplikimit janë minimale.

© Veliupress copyright 2009

About Me

Veliupress


View My Stats