Wednesday, 30 December 2009

Bisha nga Lindja është mysafiri ynë në Perëndim

Nga Oliver Harvey
“The Sun”

Një ish-spiun i lartë evropianolindor, që jeton në mënyrë të fshehtë në Britani dhe që ka përfituar mijëra paund, ka fituar një gjyq kundër ekstradimit, bën të qartë gazeta “The Sun”.

Bosi i Shërbimit Sekret, Ilir Kumbaro, 56 vjeç, një nga njerëzit më të kërkuar të Evropës Lindore, thuhet se ka rrëmbyer dhe torturuar tre njerëz në vendlindjen e tij, Shqipëri.

Ai fluturoi për në Britani në 1996, pasi ranë nga pushteti ai dhe zyrtarët e tjerë.

Ai ka përdorur emrin Shaqa Shatri për të fituar azil, duke bindur zyrtarët e emigracionit se ai është larguar për shkak të persekutimit serb.

Të vërtetit Shaqa Shatri i janë vjedhur dokumentet në kryeqytetin e ish-vendit komunist, Tiranë, më 1993. Kumbaros i ishte dhënë e drejtë qëndrimi pa afat dhe i është lëshuar një pasaportë britanike.

Ai u vendos në një pronë të Këshillit Bashkiak - në rrugën Fulham pranë Stamford Bridge të Chelsea-it, me gruan e tij dhe djalin.

Është e kuptueshme se ai ka marrë leje pune dhe përfitime për shtëpi dhe nuk ka punuar asnjëherë gjatë qëndrimit të tij 13-vjeçar me një jetë të dyfishtë në Britani.

Atij iu dhanë gjithashtu përfitime paaftësie për shkak të depresionit dhe çrregullimeve post-traumatike nga stresi.

Jeta sekrete e Kumbaros në Londër mund të kishte mbetur e pazbuluar, nëse nuk do të kishte qenë për një gabim çmendurak.

Me qëllim që të deklaronte paaftësinë për të përfituar nga kujdesi social, ai duhet të regjistrohej tek autoritetet e shëndetit.

Por, në vend që të regjistrohej nën identitetin e tij të ri, Kumbaro përdori emrin e tij të vërtetë. Regjistrimi u shua më vonë, por kjo mjaftoi që të viheshin në alarm detektivët britanikë.

Ata po kërkonin për Kumbaron në bazë të një kërkese nga autoritetet shqiptare në qershor 2008.

Në shtator 2008, detektivë nga njësia e ekstradimit e Scotland Yard, të drejtuar nga Peter Rance, arrestuan Kumbaron në apartamentin e tij në Fulham. Kur u pyet, ai tha: “Unë nuk jam Ilir Kumbaro, unë jam Shaqa Shatri.”

Por identiteti i tij i vërtetë u konfirmua më vonë dhe Ministria e Brendshme autorizoi ekstradimin për në prill të këtij viti.

Gjyqtari Howard Riddle tha në seancën e ekstradimit: “Është e qartë se z. Kumbaro kishte qëllim të shmangte hetimin duke përpiluar në mënyrë të kujdesshme dhe të mbështetur me dokumentacion një identitet të falsifikuar”.

Por gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Lord Dyson, dhe z. Tugendhat kanë pezulluar ekstradimin.

Burime në Shqipëri thonë se kjo ka ndodhur, për shkak se mandati i arrestit ishte i pavlefshëm, sepse koha e largët që prej lëshimit të tij në 2004, e ka zhbërë atë.

Një zëdhënës tha: “Gjykata e Lartë në Shqipëri shoi mandatin e arrestit, sepse ai qe i pavlefshëm. Gjykata këtu zhbëri ekstradimin si pasojë e kësaj”.

Zyrtarët shqiptarë nënshkruan një mandat të ri arresti më 14 dhjetor, para se të dëgjohej apeli.

Por kjo do të vendoset në mënyrë të ndarë. I pyetur për një mundësi ri-arrestimi, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme tha: “Do të ishte e papërshtatshme të ndërmerrej ndonjë vendim për përzënie apo heqje të qytetarisë”.

“Përparësia e qeverisë është të mbrojë sigurinë publike. Nëse dikush ka fituar qytetarinë me mashtrim ose është paditur për disa krime serioze, ligji lejon heqjen e qytetarisë (shtetësisë)”.

Një prej viktimave të dyshuara të Kumbaros, babai i pesë fëmijëve, Remzi Hoxha, nuk është parë i gjallë që prej vitit 1995.

Familja e tij ka frikë se ai është torturuar dhe vrarë, dhe Kumbaro ka qenë i implikuar. Një mandat arresti ndërkombëtar thotë se Kumbaro “qëllimisht ka shkaktuar dhimbje të mëdha dhe vuajtje” ndaj Hoxhës.

Ai ishte një biznesmen që mblidhte pará për lëvizjen për pavarësinë Kosovës, e cila po përpiqej të shkëputej nga Jugosllavia në 1990-ën. Djali i z. Hoxha, Ardiani, thotë: “Familja jonë kërkon që të ndërmerren të gjithë hapat, në mënyrë që Kumbaro të ekstradohet në Shqipëri”.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats