Tuesday, 15 December 2009

Greva BA-mijëra shqiptarë rrezikojnë festat e fundvitit në atdhe

Nga Londra
Muhamed Veliu

Me mijëra emigrantë shqiptarë në Britaninë e Madhe rrezikojnë të mos i festojnë Krishtlindjet sëbashku me festën e ndërrimit të viteve në Shqipëri pasi kompania fluturimeve British Airways ka anoncuar një grevë 12 ditore.Janë me mijëra emigrantët të cilët kanë rezervuar biletat me këtë kompani, punonjësit e të cilës sot ranë dakort ta nisin grevën në datën 22 Dhjetor deri 2 Janar 2010.
Ishte sindikata e stuardesëve që votoi pro grevës pasi kompania British Airways kishte hartuar një plan për shkurtimin e 1200 vendeve të punës.
James Von Der Flic zëdhënës i kompanisë British Airways tha se greva do të prekë edhe fluturimet drejt Tiranës.
“Ne do të bëjmë ç’është e mundur për ti ofruar data alternative fluturimi, atyre që kanë rezervuar biletat me kompaninë tonë. Gjithashtu klientët tanë duhet që të na dërgojnë të dhënat e sakta të adresës së postës elektronike sëbashku me numrat e telefonit ku mund ti kontaktojmë.” shtoi zëdhënësi Flic.
Drejtuesit e kompanisë British Airways janë shprehur të gatshëm për të vazhduar negociatat me sindikatën e stuardesëve.
Nuk dihet ende nëse do të mund të arrihet një mirëkuptim mes palëve, gjatë ditëve në vazhdim, që do të çojë në anulimin e grevës e cila do ta trondisë akoma më shumë kompaninë British Airways që për pak i shpëtoi falimentimit disa muaj më parë.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2009 kjo kompani shënoi 292 milion stërlina humbje.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats