Thursday, 21 January 2010

Krimi shqiptar në Londër, “Skotland Jardi” në Tiranë

60 të kërkuarit që strehohen në Britani dhe bashkëpunimi, dy prej pikave që u diskutuan me autoritetet shqiptare

Rritja e krimit shqiptar në Londër, sidomos në këtë periudhë kur Britania e Madhe po përgatitet për lojërat Olimpike të vitit 2012, ka detyruar një delegacion të “Skotland Jardit” të vizitojë Tiranën zyrtare.

Burimet nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se mbërriti në vendin tonë një delegacion i lartë nga Policia britanike, me qëllim thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit me strukturat e policisë shqiptare.

“Delegacioni i policisë britanike, i kryesuar nga Gary Lindon, u prit në një takim të veçantë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Hysni Burgaj, ku ndër të tjera u evidentua bashkëpunimi mes palëve.

Po ashtu, të pranishmit diskutuan mundësitë dhe rrugët e reja të forcimit dhe konkretizimit të këtij bashkëpunimi, si në fushën e shkëmbimit te informacionit ashtu dhe të eksperiencës policore.

Sipas burimeve zyrtare, kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë këtij takimi dha vlerësimet e tij veçanërisht për ndihmën dhe kontributin e policisë britanike në asistencën e saj dhënë për strukturat e rendit dhe sigurisë në vend.

Ndërkohë pjesëmarrësit në takim theksuan edhe gatishmërinë e përbashkët të dy policive për të nënshkruar në të ardhmen një marrëveshje konkrete bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit shqiptar dhe policisë britanike.

Autoritetet policore shqiptare kanë pohuar se në Britani fshihen mbi 80 persona të shpallur në kërkim në Shqipëri.

Por, procedurat e ekstradimit shpesh herë bëhen të vështira për shkak të vendimeve që japin gjykatat britanike, gjë që ka shkaktuar në ndonjë rast pakënaqësinë e drejtuesve të policisë shqiptare.

Ndër rastet ku Tirana zyrtare ka hasur në vonesa ka qenë sjellja në Shqipëri e Ilir Kumbaros, i përshirë në grupin e ish-zyrtarëve të SHIK-ut për vrasjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha.

Pak muaj më parë ishte në Shqipëri një nga titullarët e Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe.

Ndërsa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit kanë bërë disa takime me homologët britanikë në Londër për kapjen e personave që fshihen atje.

Burimi:Gazeta Agon

About Me

Veliupress


View My Stats