Tuesday, 31 August 2010

Londër, Ilir Kumbaro mbetet në burg

Nga gjykata “City of Westminster Magistrate Court”
Muhamed Veliu

Ilir Kumbaro edhe në seancën e djeshme gjyqësore të ekstradimit ka këmbëngulur përballë një gjykatësi britanik se ai është Shaqa Shatri një qytetar shqiptar nga Prizreni i Kosovës.

Që në fillim të seancës gjyqësore që zgjati më shumë se 40 minuta, kur ish-shefit të drejtorisë së parë të SHIK-ut për Tiranën iu kërkua t’i tregonte gjykatës emrin ai tha: “Unë jam Shaqa Shatri”.

Sipas fletarrestit ndërkombëtar mbi Kumbaron rëndojnë 6 akuza ndër to më e rënda është ajo për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në tetor të vitit 1995.

Mary Westcott, përfaqësuese e shtetit shqiptar i tha gjykatësit Anthony Evans se ndaj zotit Kumbaro rëndojnë disa akuza të rënda dhe tejet serioze.

Sipas saj, nuk ka as më të voglin dyshim se personi në gjykatë është pikërisht ai që kërkohet nga drejtësia shqiptare.

Jones, avokati i zotit Kumbaro u ka bërë një kronologji të gjitha zhvillimeve të deritanishme në këtë proces ekstradimi duke kërkuar edhe liri me kusht për klientin e tij.

“Për më shumë se 15 muaj, vitin e shkuar, zoti Kumbaro qëndroi në burg për faj të drejtësisë shqiptare, e cila vendosi se fletarrestit dërguar në Angli i kishin kaluar afatet. Zoti Kumbaro ishte në dijeni të një mandati të ri arrestimi lëshuar 8 muaj parë. Ai nuk bëri asnjë përpjekje për t’iu fshehur drejtësisë”, ka argumentuar avokati Jones, kërkesën për lirimin me kusht të klientit të tij.

Djali i Ilir Kumbaros fillimisht ishte i gatshëm të vendoste për lirinë e të atit një garanci pasurore prej 5 mijë sterlinash.

Gjykatësi Evans kërkoi më shumë para dhe familjarët e rritën shumën e garancisë deri në 10 mijë sterlina, por përfaqësuesja e shtetit shqiptar e kundërshtoi aprovimin e lirisë me kusht dhënë nga gjykatësi Anthony Evans.

Ankimimi i saj do të shqyrtohet gjatë 48 orëve të ardhshme nga Gjykata e Apelit në Londër. Ndërkohë, edhe për orët në vazhdim, Ilir Kumbaro do të vazhdojë të qëndrojë në Burgun Wandsworth.

Seanca e ardhshme gjyqësore do të zhvillohet më 1 tetor 2010.

Gjykatësi Evans la të kuptohet se do të jetë shumë e lehtë për të në dhënien e vendimit, pasi më 24 mars 2009 kolegu i po të njëjtës gjykatë, Haward Riddle e quajti të drejtë kërkesën e shtetit shqiptar për të ekstraduar Ilir Kumbaron.

Ilir Kumbaro u arrestua për të dytën herë në Londër në bazë të një fletarresti ndërkombëtar lëshuar nga Gjykata shqiptare e Krimeve të Rënda.

Gjatë javës së fundit, ish-drejtori i Drejtorisë së Parë të SHIK-ut për Tiranën është mbajtur nën survejim nga skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard.

Ilir Kumbaro nuk banonte më në banesën e tij në lagjen “Fulham”, por në shtëpinë e djalit, Endritit, në jug të Londrës, ku ka ndodhur edhe arrestimi.

Sikurse në arrestimin e parë, Ilir Kumbaro ka deklaruar se ai është Shaqa Shatri, një shtetas shqiptar nga Prizreni i Kosovës.

Kumbaro ka dalë përpara gjykatës së ekstradimeve në Londër, ku i është komunikuar përmbajtja e fletarrestit lëshuar nga drejtësia shqiptare.

Sipas fletarrestit, shtetasi shqiptar, Ilir Nazmi Kumbaro, kërkohet të ekstradohet për një sërë akuzash që kanë të bëjnë me rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, torturimin e Zizo Kristopullit dhe Avdyl Loshajt përfshi edhe shpërdorim detyre.

Një gjykatës britanik vendosi masën e arrestit me burg deri më 31 gusht 2010, për t’u dhënë mundësi avokatëve mbrojtës të aplikojnë për ndjekjen e procedurave nga klienti i tyre në gjendje të lirë nëse familjarët e zotit Kumbaro do të vendosin një garanci pasurore.

Ilir Kumbaro për herë të parë do të provonte ftohtësinë e prangave britanike mëngjesin e datës 10 shtator 2008.

Pas 13 seancash gjyqësore nga data e arrestimit më 24 mars 2009, gjykatësi Haward Riddle e quajti të drejtë kërkesën e shtetit shqiptar për të ekstraduar Kumbaron.

Avokatët e tij e apeluan këtë vendim, ndërsa Gjykata e Apelit në Londër më 17 dhjetor 2009 pushoi çështjen e ekstradimit, pasi Gjykata e Lartë në Tiranë me një vendim të sajin e quajti mandatin e arrestit të pavlefshëm, pasi i kishte kaluar afati.

Megjithatë, përpjekjet e prokurorisë shqiptare për të ekstraduar Ilir Kumbaron vazhduan, duke i dërguar Ministrisë së Brendshme britanike Home Office një mandat të ri arresti lëshuar nga Gjykata e Krimeve të rënda.

Pikërisht ky mandat arresti është ekzekutuar mbrëmjen e së martës, duke rikthyer në qelitë e burgut Wansdworth ish-shikasin Ilir Kumbaro.

About Me

Veliupress


View My Stats