Wednesday, 25 August 2010

Sërish pranga londineze për Ilir Kumbaron

Nga Londra
Muhamed Veliu

Arrestohet për të dytën herë në Londër Ilir Kumbaro në bazë të një fletë arresti ndërkombëtar lëshuar nga Gjykata shqiptare e Krimeve të Rënda.

Top-Channel ekskluzivisht ka mësuar të gjitha detajet e operacionit të “Scotland Yard” ë bëri të mundur arrestimin e të shumëkërkuarit të drejtësisë shqiptare.

Gjatë javës së fundit ish-drejtori drejtorisë së parë të SHIK-ut për Tiranën është mbajtur nën survejim nga skuadra e ekstradimeve në “Scotland Yard”.

Ka rezultuar se ai nuk banonte më në banesën e tij në lagjen Fulham, por në shtëpinë e djalit, Endrit Kumbaros, në jug të Londrës ku ka ndodhur edhe arrestimi.

Sikurse në arrestimin e parë Ilir Kumbaro ka deklaruar se ai është Shaqa Shatri, një shtetas shqiptar nga Prizreni Kosovës.

Kumbaro ka dalë përpara gjykatës së ekstradimve në Londër ku i është komunikuar përmbajtja e fletë arrestit lëshuar nga drejtësia shqiptare.

Sipas fletë arrestit shtetasi shqiptar, Ilir Nazmi Kumbaro kërkohet të ekstradohet për një sërë akuzash që kanë të bëjnë me rrëmbimin dhe zdukjen e Remzi Hoxhës, torturimin e Zizo Kristopullit dhe Avdyl Loshajt përfshi shpërdorim detyre.

Një gjykatës britanik ka vendosur masën e arrestit me burg deri më 31 Gusht 2010.

Në këtë datë avokatët mbrojtës do të kenë mundësi të aplikojnë për ndjekjen e proçedurave nga klienti i tyre në gjendje të lirë nëse familjarët e zotit Kumbaro do të vendosin një garanci pasurore.

Ilir Kumbaro për herë të parë do të provonte ftohtësinë e prangave britanike mengjesin e datës 10 Shtator 2008.

Pas 13 seancash gjyqësore nga data e arrestimit më 24 Mars 2009 gjykatësi Haward Riddle e quajti të drejtë kërkesën e shtetit shqiptar për të ekstraduar Kumbaron.

Avokatët e tij e apeluan këtë vendim, ndërsa Gjykata e Apelit në Londër më 17 Dhjetor 2009 pushoi çështjen e ekstradimit pasi Gjykata e Lartë në Tiranë me një vendim të sajin e quajti mandatin e arrestit të pavlefshëm pas i kishte kaluar afati.

Megjithatë përpjekjet e prokurorisë shqiptare për të ekstraduar Ilir Kumbaron vazhduan duke i dërguar Ministrisë së Brendshme britanike “Home Office” një mandat të ri arresti lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Pikërisht ky mandat arresti është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme duke rikthyer në qelitë e burgut “Wansworth” ish-agjentin e SHIK-ut, Ilir Kumbaro.

Nëse gjithçka do të shkojë sipas proçedurave të parapara nga ligji anglez dhe pala shqiptare do të jetë korrekte në dërgimin e dokumentacionit përkatës gjykatës angleze, atëherë ekstradimi Ilir Kumbaros kësaj here është më afër se kurrë.

About Me

Veliupress


View My Stats