Wednesday, 22 September 2010

Harrohen shqiptarët e Anglisë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Drejtuesit e shoqatave të emigrantëve shqiptarë në Londër shprehen se ata janë harruar duke u lënë jashtë programit që ministria shqiptare e arsimit ka për dërgimin e materialeve mësimore të gjuhës shqipe.

Disa ditë më parë kjo minsitri deklaroi se ka në dispozicion një fond për dërgimin e librave për fëmijët që studiojnë gjuhën shqipe në Greqi dhe Itali.

Nga të dhënat që paraqesin 8 shoqata shqiptare në Angli të cilat organizojnë klasa në gjuhën shqipe mësohet se 1,745 nxënës janë regjistruar të ndjekin studimet e gjuhës amtare këtë vit shkollor.

Esat Brace drejtor i shoqatës “Nënë Tereza” që vepron në veri të Londrës thotë se gjatë tre muajve të fundit i ka dërguar disa mesazhe elektronike, ministrisë së arsimit madje edhe vetë kryeministrit Berisha dhe askush nuk i është përgjigjur.

Sipas tij janë 300 nxënës në veri të Londrës që janë detyruar të paguajn vetë për blerjen e abetareve pas heshtjes të institucioneve shqiptare.

Drejtuesit e “Shpresa Programme” në lindje të Londrës ndajnë po të njëjtin shqetësim.

Gjatë të gjithë kohës që nga dita e parë e hapjes së klasave shqipe 6 vite më parë, kjo shoqatë nuk ka marrë asnjë libër nga shteti shqiptarë.

“Ndodhemi përballë dëshirës së madhe të shumë nxënësve që duan të mësojnë gjuhën shqipe por nuk kemi bazë materiale. Thjesht kemi siguaruar disa fotokopje tekstesh” thotë Pranvera Smith nga shoqata “Iliria” në qytetin e Birmingamit ku priten të hapen dy klasa të gjuhës shqipe.

Zamira Ruspi drejtoreshë e shoqatës “Mother Tereza” tregon se vitin e shkuar Ministria e Armisimit kishte dërguar 300 tekse por kërkesa këtë vit për të mësuar gjuhën shqipe nga fëmitë e emigrantëve sa vjen e shtohet.

Megjithë përpjekjet e këtyre shoqatave numri atyre fëmijëve që studiojnë gjuhën shqipe në Britaninë e Madhe është shumë i ulët duke u llogaritur vetëm në 1%.

Vërehet një tendencë e emigrantëve shqiptarë për të komunikuar me fëmijët në anglisht që do të thotë zbehje deri në zhdukjen graduale të gjuhës shqipe për brezin e dytë të emigrantëve shqiptarë në Britani që jo zyrtarisht besohet të jenë mbi 100 mijë persona.

About Me

Veliupress


View My Stats