Thursday, 21 October 2010

Bllokohet përkohësisht ekstradimi Ilir Kumbaros

Nga Londra
Muhamed Veliu

Bllokohet përkohësisht në Londër procesi shqyrtimit të kërkesës së ekstradimit të drejtësisë shqiptare për Ilir Kumbaron.
Shkaku i mos procedimit të mëtejshëm në gjykatën londineze të ekstradimeve, është marrja në shqyrtim nga Kolegjet e Bashkuara pranë Gjykatës së Lartë në Tiranë e kërkesës së avokatëve të Ilir Kumbaros.
Ata kërkojnë interpretimin e ligjshmërisë së fletë arrestit të ri ndërkombëtar lëshuar nga pesë gjyqtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda vitin e shkuar.
I veshur me një kostum gri, këmishë të bardhë dhe një kollare ngjyrë po gri të errët, i shoqëruar nga i biri Ervini, Ilir Kumbaro është ulur qetësisht në bankën e të akuzuarit.
Edhe gjatë kësaj séance që zgjati vetëm 10 minuta kur është pyetur ti deklarojë gjykatës emrin, Ilir Kumbaro është përgjigjur se ai quhet Shaqa Shatri pamvarsisht se Kolegjeve të Bashkuara në Tiranë, i është kërkuar një interpretim për shtetasin Ilir Kumbaro.
Claire Dobbin përfaqësuese e shtetit shqiptar i tha gjykatëses Alison Rose se për momentin nuk mund të procedohet me këtë cështje pasi është në pritje të zhvillimeve që do të ndodhin në Shqipëri.
Kjo kërkesë e prokurores Dobbin është pranuar duke u vendosur data 25 Nëntor për ti raportuar gjykatës zhvillimet e pritshme nga drejtësia shqiptare për këtë cështje.
Ndërkohë Top-Channel ka mësuar se Kolegjet e Bashkuara do ta shqyrtojnë kërkesën e avokatëve të zotit Kumbaro pas datës 20 Nëntor.
Ndërsa séanca kryesore e shqyrtimit të kërkesës së drejtësisë shqiptare, do ti paraqitet gjykatësit Haward Riddle i cili më 24 Mars 2009, mbërriti në përfundimin se personi i arrestuar pa më të voglin dyshim është Ilir Kumbaro dhe se kërkesa e ekstradimit ishte në përputhje me ligjin britanik të ekstradimeve.
Zoti Kumbaro vazhdon të jetë i lirë me kusht që të parqitet tre herë në javë në stacionin e policisë Fulham, pëfshi mbajtjen në këmbë të një cipi elektronik monitorimi.

About Me

Veliupress


View My Stats